Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 16 shtator

16 shtator. Lindën: Hildegard von Bingen (16 shtator 1098 – 17 shtator 1179), e njohur gjithashtu si Shën Hildegard dhe si Sibila e Rinit, murgeshë gjermane, shkrimtare, kompozitore, filozofe, mistike, vizionare dhe njohëse e shumë disiplinave të dijes; Henry St John (16 shtator 1678 – 12 dhjetor 1751), politikan, shtetar dhe filozof politik anglez; Emilia Pardo Bazán (16 shtator 1851 – 12 maj 1921), shkrimtare, gazetare, kritike arti, poete e përkthyese spanjolle; Alfred Noyes (16 shtator 1880 – 25 qershor 1958), poet, tregimtar e dramaturg anglez; Thomas Ernest Hulme (16 shtator 1883 – 28 shtator 1917) poet e kritik anglez, i cili nëpërmjet shkrimeve të tij mbi artin, letërsinë dhe politikën, ushtroi ndikim të ndjeshëm në lindjen e modernizmit; Karen Horney (16 shtator 1885 – 4 dhjetor 1952), psikanaliste gjermane; Albert Szent-Györgyi (16 shtator 1893 – 22 tetor 1986), biokimist hungarez, Nobel më 1937; Nancy Huston (16 shtator 1953), shkrimtare e eseiste kanadeze; David Copperfield (16 shtator 1956), magjistar amerikan, përshkruar nga revista Forbes si magjistari më i suksesshëm komercial në tërë historinë.

Hildegard von Bingen (16 shtator 1098 –  17 shtator 1179):
“Njeri, shqyrtoje mirë veten! Ti ke përbrenda qiellin, tokën, mbarë krijimin. Je një botë e tërë: gjithçka është fshehur në ty.”
“Çdo krijesë është pasqyrë vezulluese e Hyjnitetit.”
“Kur fjalët vijnë te ne, ato janë thjesht guaska të zbrazëta, pa muzikë. Ato jetojnë kur këndohen, sepse fjalët janë trupi, ndërsa muzika është shpirti.

Henry St John (16 shtator 1678 – 12 dhjetor 1751):
“Historia është mësim filozofie nëpërmjet veprimeve konkrete.”
“Kam vënë re se nëpër komedi aktorët më të mirë luajnë role e karagjozësh, ndërsa ata të dorës së dytë luajnë role fisnikësh apo heronjsh. Kështu ndodh edhe në farsën e jetës. Të urtët e kalojnë jetën në hare, ndërsa budallenjtë rrinë seriozë.”
“Askush nuk është në gjendje të na e marrë lirinë, nëse edhe ne vetë nuk bashkëpunojmë për të ndodhur një gjë e tillë.”

Emilia Pardo Bazán (16 shtator 1851 – 12 maj 1921):
“Zoti ndëshkon mëkatet, por bota që shoh unë ndëshkon vetëm mungesën e largpamësisë dhe gabimet”.
“Kombet që marrin një kulturë të gatshme dhe nuk e realizojnë vetë atë, janë të dënuar me shterpësi intelektuale dhe maksimumi që mund të arrijnë, është të shpresojnë se mund të imitojnë mirë”.
“Bota është një bashkësi sysh, veshësh e gojësh, të cilat dinë të hapen vetëm ndaj shijes së keqe.”

Alfred Noyes (16 shtator 1880 – 25 qershor 1958):
“Kjo botë e jashtme është shpërfaqje figurative e botës së shpirtit: një letër e ngjyrosur, një libër i mbushur me simbole e kumte, dhe ai që di të kundrojë me vëmendje mund të arrijë të lexojë mrekulli e ta orientojë veten drejt parajsës.”

Thomas Ernest Hulme (16 shtator 1883 – 28 shtator 1917):
“Emocionet përbëjnë mineralin prej të cilit mund të nxirret poezia.”

Thomas Ernest Hulme (16 shtator 1883 – 28 shtator 1917):
“Artisti përpiqet të shohë nëse ka kund ndonjë gjë interesante… Ai nuk krijon diçka, por ai shikon diçka.”
“Në të vërtetë proza është muzeu ku ruhen armët e vjetra të poezisë.”

Karen Horney (16 shtator 1885 – 4 dhjetor 1952):
“Nëse dëshiron të ndjehesh krenar, atëherë fillo e bëj vepra për të cilat ia vlen të ndjehesh krenar.”

Albert Szent-Györgyi (16 shtator 1893 – 22 tetor 1986):
“Mendo me guxim. Mos ki frikë se mund të gabosh. Mos i anashkalo kurrë hollësitë dhe mbaji sytë hapur. Ji modest në çdo gjë, me përjashtim të objektivave që i vë vetes.”

Nancy Huston (16 shtator 1953):
“Duhet të luash me rregullat dhe jo të luash sipas rregullave, sepse një jetë pa rrezikun nuk është jetë fare.”

David Copperfield (16 shtator 1956):
“Nëse njerëzit të thonë se nuk mund t’ia dalësh mbanë sepse është e pamundur, ti mos i humb kurrë shpresat! Fakti që është e pamundur për ta, nuk do të thotë se është e pamundur edhe për ty.”

Similar Posts: