Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 15 shtator

15 shtator. Lindën: Marco Polo (15 shtator 1254 – 8 janar 1324), tregtar, eksplorator dhe shkrimtar venedikas, i cili mes viteve 1271 – 1295 udhëtoi nëpër Azi, duke përshkuar Rrugën e Mëndafshit; François de La Rochefoucauld (15 shtator 1613 – 17 mars 1680), moralist, aforist e memuarist francez; James Fenimore Cooper (15 shtator 1789 – 14 shtator 1851), shkrimtar amerikan, gjerësisht i njohur si autor i romanit “I fundmi i Mohikanëve”; Robert Benchley (15 shtator 1889 – 21 nëntor 1945), humorist dhe aktor amerikan; Agatha Christie (15 shtator 1890 – 12 janar 1976), shkrimtare angleze, e njohur për romanet e saj me detektivë; Claude McKay (15 shtator 1890 – 22 maj 1948), shkrimtar e poet xhamajkiano-amerikan; Adolfo Bioy Casares (15 shtator 1914 – 8 mars 1999), shkrimtar argjentinas.

Marco Polo (15 shtator 1254 – 8 janar 1324):
“Nuk kam shkruar as gjysmën e gjërave që kam parë, sepse e dija që s’do të më besonin.”

François de La Rochefoucauld (15 shtator 1613 – 17 mars 1680):
“Dashuria e vërtetë i ngjan fantazmës: të gjithë flasin për të, por rrallëkush e ka parë.”
“Hipokrizia është nderimi që vesi i bën virtytit.”
“Mungesa zvogëlon pasionet mediokre dhe rrit akoma më shumë pasionet e mëdha, ashtu sikundër era shuan qirinjtë dhe fuqizon zjarret.”
“Dashuria e vërtetë është e rrallë, por miqësia e vërtetë është akoma më e rrallë.”
“Nëse do ta gjykonim dashurinë sipas pasojave të saj, do të vërenim se i ngjan më shumë urrejtjes sesa miqësisë.”
“Pendimi nuk ka të bëjë edhe aq me brejtjen e ndërgjegjes për atë që kemi bërë, sesa me frikën nga pasojat.”
“Pasioni i bën idiotët më inteligjentë, ndërsa inteligjentët i shndërron në idiotë.”
“Të dish të fshehësh aftësitë që ke, është aftësi e madhe.”
“Ashtu sikundër mendjet e mëdha kanë aftësinë të thonë shumë gjëra duke përdorur pak fjalë, po ashtu edhe mendjet e rëndomta kanë talentin të flasin pareshtur e të mos thonë asgjë.”
“Zakonisht mendjet mediokre refuzojnë gjithçka që kapërcen aftësinë e tyre të të kuptuarit.”
“Nëse nuk arrijmë ta gjejmë qetësinë brenda vetes, është e kotë ta kërkojmë diku tjetër.”
“Martesa është e vetmja luftë, gjatë së cilës flihet me armikun.”

James Fenimore Cooper (15 shtator 1789 – 14 shtator 1851):
“Shpresa është më e pabesa ndër të gjitha llojet e fantazive njerëzore.”
“Është më mirë që një njeri të vdesë duke qenë në paqe me veten, sesa të vazhdojë të rrojë i përndjekur nga brejtjet e ndërgjegjes.”
“Injoranca dhe supersticioni kanë gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë matematike midis tyre.”
“Këshilla nuk është dhuratë, por borxh që pleqtë u kanë të rinjve.”

Robert Benchley (15 shtator 1889 – 21 nëntor 1945):
“Jam përpjekur që të mos di absolutisht asgjë në lidhje me shumë çështje dhe mund të them se ia kam dalë mbanë me sukses.”
“Opera është vendi ku një tipi i ngulet thika në kurriz, por në vend që të qajë, ai këndon.”
“Më fol për fobitë tua dhe unë të tregoj se nga çfarë ke frikë.”
“E di që të pirët do të më shkaktojë vdekje të ngadalshme, por nuk e kam me ngut.”

Agatha Christie (15 shtator 1890 – 12 janar 1976):
“Frika është dije e paplotësuar.”
“Njeriu i pafajshëm nuk ka kurrë alibi.”
“Guximi është zgjidhja e duhur për t’u përballur me të papriturën.”
“Të rinjtë mendojnë se pleqtë janë budallenj, ndërsa pleqtë e dinë se të rinjtë janë budallenj.”
“Tek e fundit, fytyra njerëzore nuk është as më shumë e as më pak se një maskë.”
“Mos i trego askujt gjithçka që di, madje as njeriut që njeh më së miri.”
“Tragjedia e jetës është që njerëzit nuk ndryshojnë.”

Claude McKay (15 shtator 1890 – 22 maj 1948):
“Njeriu që nuk është besnik ndaj individualitetit të tij, nuk është besnik ndaj askujt.”

Adolfo Bioy Casares (15 shtator 1914 – 8 mars 1999):
“Njerëzit nuk duan askënd sa ç’duan urrejtjen e tyre.”
“Çdo det është i pafundmë nëse ke hipur mbi një varkë me rrema.”
“Të shkruash është njëlloj si t’i shtosh edhe një dhomë tjetër shtëpisë së jetës.”
“Në pleqëri gjithçka është e trishtë dhe qesharake, madje edhe vdekja.”
“Përjetësia është një ndër virtytet e rralla të letërsisë.”
“Mendoj se një pjesë të dashurisë që kam për jetën ia detyroj dashurisë për librat.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: