Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 14 shtator

14 shtator. Lindën: Heinrich Cornelius Agrippa (14 shtator 1486 – 18 shkurt 1535), kulturolog, fizikan, studiues, teolog dhe shkrimtar okult gjerman; Francisco de Quevedo (14 shtator 1580 – 8 shtator 1645), fisnik, politikan e poet spanjoll i periudhës barok, që së bashku me rivalin e vet të përjetshëm, Luis de Góngora, konsiderohet poeti më i madh i epokës së tij; Alexander von Humboldt (14 shtator 1769 – 5 maj 1859), gjeograf gjerman; Mario Benedetti (14 shtator 1920 – 17 maj 2009), poet e romancier uruguaian, konsideruar një nga shkrimtarët më të rëndësishëm latinoamerikane të gjysmës së dytë të shekullit XX; Allan Bloom (14 shtator 1930 –  7 tetor 1992), filozof amerikan; Amy Winehouse (14 shtator 1983 – 23 korrik 2011), këngëtare dhe kantautore angleze, e njohur për zërin e saj të thellë e ekspresiv, me një veprimtaria artistike që shtrihet në zhanre të ndryshme muzikore, si soul, blues, jazz etj.

Francisco de Quevedo (14 shtator 1580 – 8 shtator 1645):
“Dashuria është filozofia e fundit në tokë dhe në qiell.”
“Aty ku nuk ka drejtësi është e rrezikshme të kesh të drejtë.”
“Teprimi është helmi i arsyes.”
“Zilia është aq e dobët dhe e zbehtë ngaqë vdes e nuk ha.”
“Të gjithë dëshirojnë të plaken, po prapëseprapë nuk duan ta pranojnë që po plaken.”
“Është më e lehtë të shkruash kundër krenarisë, se sa ta mposhtësh atë.”
“Krenaria nuk zbret kurrë prej lartësisë ku është ngjitur, por thjesht rrëzohet së andejmi.”
“Nuk ka gjë që e ushqen dashurinë më shumë se sa frika se mund ta humbasim njeriun që duam.”
“Kush e kalon kohën duke u qaravitur për të shkuarën, jo vetëm që humbet të tashmen, por rrezikon edhe të ardhmen.”
“Të pasurit hanë, ndërsa të varfrit ushqehen.”

Heinrich Cornelius Agrippa (14 shtator 1486 – 18 shkurt 1535):
“Mjafton që një burrë të mos jetë krejtësisht i verbër, dhe do të mund të shohë se Zoti ka përmbledhur te gruaja të gjitha llojet e bukurive, vepër cilën s’është në gjendje ta realizojë tërë dija njerëzore e kësaj bote.”

Alexander von Humboldt (14 shtator 1769 – 5 maj 1859):
“Përpara se të jemi të lirë, fillimisht duhet thjesht të ‘jemi’.”
“Në hapësirën brenda së cilës jeton një gjahtar mund të jetojnë dhjetë barinj, njëqind fshatarë dhe njëmijë lulishtarë. Mizoria ndaj kafshëve nuk mund të jetë e pajtueshme as me një kulturë të vërtetë, as me një dije të vërtetë. Kjo lloj mizorie është karakteristikë e një populli trashanik e vulgar.”

Mario Benedetti (14 shtator 1920 – 17 maj 2009):
“Përsosmëri është një koleksion i rafinuar gabimesh.”
“Mjaftojnë pesë minuta për të ëndërruar një jetë të tërë. Ja, kjo është koha relative.”
“Bujaria është e vetmja formë legjitime e egoizmit.”
“Arma e intelektualit është të shkruarit, por nganjëherë njerëzit e trajtojnë si të qe armë zjarri. Një shkrimtar mund të bëjë shumë për të ndryshuar gjendjen, po me aq sa di unë, asnjë diktaturë nuk ka përmbysur për shkak të një soneti.”
“Tek e fundit, vdekja është një simbol që dëshmon se dikur ishte jeta.”

Allan Bloom (14 shtator 1930 –  7 tetor 1992):
“Nuk na duhet historia për të na shpjeguar atë që ka ndodhur dikur, po për të na ringjallur të shkuarën, me qëllim që të mund të na udhëzojë si ta ndërtojmë të ardhmen.”

Amy Winehouse (14 shtator 1983 – 23 korrik 2011):
“E dua jetën dhe jetoj për të dashuruar.”
“Unë jam romantike. Dashurohem çdo ditë. Jo me njerëzit, por me situatat.”
“Nuk e besoj se guximi yt për të luftuar ka të bëjë me faktin se sa i madh je. Në të vërtetë ka të bëjë thjesht me faktin se sa zemërim ke brenda vetes.”
“Nuk ka kuptim të thuash diçka tjetër përveç së vërtetës.”
“Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se njerëzve u lejohet të bëjnë gabime.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: