Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 13 shtator

13 shtator. Lindën: Daniel Defoe (13 shtator 1660 – 24 prill 1731), shkrimtar anglez, konsideruar si babai i romanit anglez, i njohur gjerësisht me romanin e tij të famshëm “Robinson Kruzo”; Nicolaas Beets (13 shtator 1814 – 13 mars 1903), shkrimtar, poet e teolog holandez; Marie von Ebner-Eschenbach (13 shtator 1830 – 12 mars 1916), shkrimtare  austriake, konsideruar si një ndër shkrimtaret më të rëndësishme të gjuhës gjermane për shekullin XIX; Sherwood Anderson (13 shtator 1876 – 8 mars 1941), romancier e tregimtar amerikan; Pierre Reverdy (13 shtator 1889 – 17 qershor 1960), poet francez, një ndër më të më të shquarit e gjysmës së parë të shekullit XX; Arthur Henderson (13 shtator 1863 – 20 tetor 1935), politikan e shtetar anglez, çmimi Nobel për Paqen më 1934;  John Boynton Priestley (13 shtator 1894 – 14 gusht 1984), romancier e dramaturg anglez; Corneliu Zelea Codreanu (13 shtator 1899 – 30 nëntor 1938), politikan rumun; Julian Tuwim (13 shtator 1894 – 27 dhjetor 1953), poet polak me origjinë hebreje; Mitrush Kuteli (13 shtator 1907 – 4 maj 1967), shkrimtar shqiptar; Roald Dahl (13 shtator 1916 – 23 nëntor 1990) shkrimtar, skenarist e aviator britanik; Tõnu Õnnepalu (13 shtator 1962), poet, shkrimtar e përkthyes estonian.

Daniel Defoe (13 shtator 1660 – 24 prill 1731):
“Frika nga rreziku është dhjetë mijë herë më e tmerrshme sesa vetë rreziku.”
“Më mirë një luan në krye të një ushtrie delesh, sesa një dele në krye të një ushtrie luanësh.”
“Mos prit asgjë. Kësisoj do të kesh vazhdimisht surpriza.”
“Nuk jemi kurrë vonë për t’u bërë njerëz të ditur.”
“Të gjithë njerëzit do të bëheshin tiranë, nëse do t’u jepej mundësia.”

Nicolaas Beets (13 shtator 1814 – 13 mars 1903):
“Fjalët shërbejnë për të shprehur mendimet, por edhe për t’i fshehur ato.”
“Mysafirët na gëzojnë gjithmonë: ose kur vijnë, ose kur ikin.”
“Gjuha e zemrës ka shumë dialekte.”

Marie von Ebner-Eschenbach (13 shtator 1830 –12 mars 1916):
“Skllevërit e lumtur janë armiqtë më të egër të lirisë.”
“Sa pak të këqija do të kishin ndodhur në këtë botë, nëse e keqja nuk do të ishte bërë në emër të së mirës.”
“Ekziston vetëm një gjë, që dëshmon aftësinë tënde: veprimi.”
“Një grua inteligjente ka një milion armiq të lindur: burrat budallenj.”
“Në rini mësojmë. Kur moshohemi, kuptojmë.”
“Jemi kaq vanitozë, sa shqetësohemi edhe për opinionin e njerëzve që nuk na interesojnë.”
“Zakonisht mësojmë të presim vetëm atëherë kur nuk na ka mbetur më asgjë për të pritur.”
“Gjeniu tregon rrugën, talenti e ndjek atë rrugë.”

Sherwood Anderson (13 shtator 1876 – 8 mars 1941):
“Jetët e njerëzve u ngjajnë pemëve në një pyll, që u zihet fryma nga bimët kacavjerrëse. Këto bimë kacavjerrëse janë mendime dhe besëtytni të mbjella nga njerëz tashmë të vdekur.”

Pierre Reverdy (13 shtator 1889 – 17 qershor 1960):
“Më nevojitet aq shumë kohë për të mos bërë asgjë, sa nuk gjej kohë për të punuar.”
“Nuk ka dashuri, por vetëm prova dashurie. Sido që të jetë dashuria që ndjej në zemër, të tjerët shohin vetëm veprimet e mia.”
“Koha nuk është asgjë nëse nuk ëndërrohet.”

Roald Dahl (13 shtator 1916 – 23 nëntor 1990):
“Mendoj se të rriturit janë tepër seriozë. Ata nuk dinë të qeshin. Më mirë që shkruaj për fëmijët, sepse është e vetmja mënyrë që të mund të dëfrehem edhe unë vetë.”

Arthur Henderson (13 shtator 1863 – 20 tetor 1935):
“Çfarëdo që të bëjmë e çfarëdo që të mos bëjmë, të dyja këto ushtrojnë ndikim në rrjedhën e historisë.”

John Boynton Priestley (13 shtator 1894 – 14 gusht 1984):
“Optimisti nuk është gjë tjetër veçse një person i painformuar në mënyrë të mjaftueshme.“
“Jemi gjymtyrë të të njëjtit trup. Jemi përgjegjës për njëri-tjetrin.”
“Shkruaj sa më shpesh që të mundesh, jo me idenë për të botuar menjëherë, por thjesht sikur je duke mësuar një instrument.”

Corneliu Zelea Codreanu (13 shtator 1899 – 30 nëntor 1938):
“Ligji i heshtjes: fol pak. Thuaj vetëm gjëra domosdoshme. Oratoria jote duhet të jetë vepër, jo fjalë. Vepro. Fjalët lërja të tjerëve.”

Julian Tuwim (13 shtator 1894 – 27 dhjetor 1953):
“Ndryshimi mes gamiles dhe njeriut: gamilja punon një javë rresht dhe nuk pi; njeriu pi një javë rresht dhe nuk punon.”
“Një vajzë e virtytshme nuk shkon kurrë pas djemve. Tekefundit, kush ka parë ndonjë kurth minjsh duke ndjekur minjtë?”
“Tragjedi: të biesh në dashuri me fytyrën e një gruaje dhe të martohesh me tërë gruan.”
“Sukses: diçka që miqtë e tu nuk ta falin kurrë.”
“Egoist është dikush që kujdeset më shumë për veten e tij sesa për mua.”
“Flake në ujë një njeri që ka fat dhe do ta shohësh duke dalë jashtë me një peshk në gojë.”

Tõnu Õnnepalu (13 shtator 1962):
“Nuk ka më letërsi. Tashmë ka thjesht libra, që përfundojnë në librari ashtu sikundër përfundojnë në kutinë tënde të postës letrat, gazetat dhe fletëpalosjet e reklamave.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: