Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 12 shtator

12 shtator. Lindën: Henry Hudson (1570 – 1611), lundërtar dhe eksplorator anglez; Auguste Brizeux (12 shtator 1803 – 3 maj 1858), poet francez; Anselm Feuerbach (12 shtator 1829 – 4 janar 1880), piktor gjerman; Herbert Henry Asquith (12 shtator 1852 – 15 shkurt 1928), burrë shteti britanik, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 1908 – 1916; William Sharp (12 shtator 1855 – 12 dhjetor 1905), shkrimtar skocez; Henry Louis Mencken (12 shtator 1880 – 29 janar 1956), shkrimtar, kritik e botues amerikan; Alfred A. Knopf (12 shtator 1892 – 11 gusht 1984), botues amerikan; Maurice Chevalier (12 shtator 1888 – 1 janar 1972), këngëtar e aktor francez; Stanisław Lem (12 shtator 1921 – 27 mars 2006), shkrimtar polak; Henry Waxman (12 shtator 1939), politikan amerikan; Paul Walker (12 shtator 1973 – 30 nëntor 2013), aktor amerikan, i njohur kryesisht në rolin e Brian O’Conner, te filmi Fast & Furious.

Auguste Brizeux (12 shtator 1803 – 3 maj 1858):
“Nuk mund ta hedhim kasafortën në zjarr thjesht pse na ka humbur çelësi.”

Anselm Feuerbach (12 shtator 1829 – 4 janar 1880):
“Nëse dikush të jep këshilla, ti bëj të kundërtën e tyre. Të jesh i sigurt se në këtë mënyrë, ndër dhjetë raste, nëntë do të rezultojnë të dobishme.”

Herbert Henry Asquith (12 shtator 1852 – 15 shkurt 1928):
“Rinia do të kish qenë një gjendje vërtet ideale për njeriun, nëse do të vinte pak më vonë në jetën e tij.”

William Sharp (12 shtator 1855 – 12 dhjetor 1905):
“Në fillim, thotë një poet persian, Allahu mori një trëndafil, një zambak, një pëllumb, një gjarpër, pakëz mjaltë, një mollë nga Deti i Vdekur, si dhe një grusht baltë. Pasi i përzjeu bashkë, vuri re se ishte një grua.”

Henry Louis Mencken (12 shtator 1880 – 29 janar 1956):
“Puritani është një person, i cili ka frikë të tmerrshme se ndokush, ndokund, mund të jetë i lumtur.”
“Ciniku është një individ i cili, sa herë që ndjen erën e luleve, kthen kokën sa andej-këndej për të parë se ku ndodhet arkivoli.”

Alfred A. Knopf (12 shtator 1892 – 11 gusht 1984):
“Vetëm njeriu ka dinjitet, gjë që do të thotë se vetëm njeriu mund të bëhet qesharak.”

Maurice Chevalier (12 shtator 1888 – 1 janar 1972):
“Njeriu nuk resht së qeshuri ngaqë plaket. Njeriu plaket ngaqë resht së qeshuri.”

Stanisław Lem (12 shtator 1921 – 27 mars 2006):
“Nuk ka përgjigje. Ka vetëm zgjedhje.”
“Gjeniu nuk është edhe aq dritë sa ç’është vetëdije për errësirën që ekziston përreth nesh.”
“Aftësia jonë për t’u përshtatur dhe pranuar gjithçka, përbën një nga rreziqet më të mëdha për ne. Krijesat tërësisht të lakueshme e të ndryshueshme nuk mund të kenë kurrë një moral të përcaktuar qartë.”
“Për të torturuar një njëri, duhet që më përpara të njohësh llojet e kënaqësive të tij.”
“Jo vetëm që Zoti luan zare me botën, por as na tregon fare se çfarë numrash bien.”
“Arti i kujton njeriut që nuk është thjesht konsumator, por dhe krijues. Arti nxit te njeriu synimin për të luftuar e përmbushur synime të mëdha, zgjon brenda tij dëshirën për t’u përcjellë brezave të ardhshëm zjarrin prometeik.”

Henry Waxman (12 shtator 1939):
“Përmendoret shndërrohen në gërmadha nëse nuk arrijnë të shkundin ndërgjegjen e kohës sonë.”

Paul Walker (12 shtator 1973 – 30 nëntor 2013):
“Dikur mendoja se njeriu mund të kishte vetëm një shpirt binjak, por tani besoj se mund të ketë disa.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: