Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 11 shtator

11 shtator. Lindën: Pierre de Ronsard (11 shtator 1524 – 27 dhjetor 1585), poet francez, mbiquajtur “princi i poetëve”; James Thomson (11 shtator 1700 – 27 gusht 1748), poet e dramaturg britanik; Johann Jakob Engel (11 shtator 1741 – 28 qershor 1802), shkrimtar gjerman; O. Henry (11 shtator 1862 – 5 qershor 1910), tregimtar amerikan; Nils Kjær (11 shtator 1870 – 9 shkurt 1924), dramaturg, tregimtar, eseist e kritik letrar norvegjez; David Herbert Lawrence (11 shtator 1885 – 2 mars 1930), shkrimtar e poet anglez; Theodor W. Adorno (11 shtator 1903 – 6 gusht 1969), filozof, sociolog, psikolog, muzikolog gjerman; Franz Beckenbauer (11 shtator 1945), ish-futbollist e trajner gjerman.

Pierre de Ronsard (11 shtator 1524 – 27 dhjetor 1585):
“Jeto tashti. Mos prit të nesërmen. Merre që tani trëndafilin e jetës.”
“Dashuria kërkon gjithçka, pa kushte. Dashuria nuk ka ligje.”
“Rrufeja mund të rrëzojë malin, por jo barin e vogël të luadhit.”

James Thomson (11 shtator 1700 – 27 gusht 1748):
“Bota rrotullohet pareshtur si një mulli, duke bluar jetën, vdekjen, të mirën, të keqen. Nuk ka as qëllim, as zemër, as mendje e as vullnet.”

Johann Jakob Engel (11 shtator 1741 – 28 qershor 1802):
“Për të qenë i qetë, njeriu nuk ka nevojë të mendojë, por të ëndërrojë.”
“Kush është aq fatkeq sa të mos jetë në gjendje të dojë askënd, nuk mund të dojë as veten e tij.”
“Idetë ndizen në mendjen tonë si shkëndija elektrike.”
“Fjalët janë veshjet e mendimeve.”

O. Henry (11 shtator 1862 – 5 qershor 1910):
“Asnjë miqësi nuk është e rastësishme.”
“Shkruaj atë që të pëlqen ty. Nuk ekziston ndonjë rregull tjetër. Nëse nuk shkruan diçka që të pëlqen ty, ajo nuk do t’i pëlqejë as publikut.”
“Gjëja më e mrekullueshme janë fjalët dhe miqësia që ato lidhin me njëra-tjetrën.”
“Aventurieri i vërtetë çan përpara pa ndonjë destinacion, pa bërë kurrfarë parashikimi, për t’u takuar e përshëndetur me të panjohurën.”
“Nëse burrat do ta dinin se si e kalojnë kohën gratë e tyre, kur janë vetëm, nuk do të ishin martuar kurrë.”
“Të gjithë burrat e mëdhenj e kanë pranuar se tërë suksesin, ndihmën dhe mbështetjen që kanë pasur, ia detyrojnë një gruaje të jashtëzakonshme.”

Nils Kjær (11 shtator 1870 – 9 shkurt 1924):
“Vetëm ata që humbasin rrugën arrijnë të zbulojnë rrugë të reja.”

David Herbert Lawrence (11 shtator 1885 – 2 mars 1930):
“Ata që rendin në kërkim të dashurisë nxjerrin në pah mungesën e dashurisë brenda vetes, arsye për të cilën nuk e gjejnë kurrë dashurinë që kërkojnë. Vetëm njerëzit që kanë dashuri brenda vetes e gjejnë dashurinë pa pasur fare nevojë ta kërkojnë.”
“Jeta na është dhënë për t’u shpenzuar, jo për t’u ruajtur.”
“Tragjedia i ngjan një acidi të fortë: shkatërron gjithçka përveç arit të së vërtetës.”

Theodor W. Adorno (11 shtator 1903 – 6 gusht 1969):
“Inteligjenca është kategori morale.”
“Çdo vepër arti është një krim i pakryer.”
“Mendime të vërteta janë ato që nuk kuptojnë as veten e tyre.”
“Format e artit e pasqyrojnë historinë e njeriut në mënyrë më të saktë se dokumentet.”
“Dashuria është fuqia për të shquajtur ngjashmërinë tek e ndryshmja.”
“Dashurinë mund ta gjesh vetëm aty ku mund të tregohesh i dobët, pa frikën se mund të nxisësh forcën e dikujt tjetër.”
“Njerëzit dinë çfarë duan vetë, ngaqë dinë çfarë duan të tjerët.”
“Jeta është shndërruar në ideologjinë e mungesës së saj.”
“Pushteti i ideologjisë së industrisë kulturore është aq i madh, sa bën që konformizmi të  zëvendësojë ndërgjegjen.”
“Kush ka të qeshurën në anën e tij, nuk ka nevojë për prova.”
“Gjerman është ai njeri, i cili nuk e thotë kurrë një gënjeshtër, nëse nuk e beson vetë më përpara.”
“Për një njeri që nuk ka më atdhe, të shkruarit shndërrohet në një vend ku ai mund të jetojë.”

Franz Beckenbauer (11 shtator 1945):
“Duke pasur parasysh se kam praktikuar gjithnjë lojë skuadre, ndjehem pak në siklet kur më vlerësojnë aq lart në rrafshin individual.”
“Nuk është i forti ai që fiton, por ai që arrin të fitojë është i fortë.”
“Nuk bën t’i krahasojmë njerëzit me Zotin, por Mesi luan futboll në mënyrë hyjnore.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: