Press "Enter" to skip to content

Zemra

Kohët e fundit nuk ndihesha mirë. Diçka më mundonte përbrenda, sidomos gjatë gjumit. Më dukej sikur lëvizte edhe nëpër krevat, kur flija. Shikoja ëndrra të çuditshme. Një natë, ëndërrova atë gjënë me sy e veshë dhe në mëngjes, sapo u zgjova, volla Tokën. E njoha menjëherë tek fluturonte drejt vrimës së zezë në banjë. Pasi u rrotullua disa herë atje, rryma e ujit e mori me vete. U çlirova dhe mora frymë thellë, duke çliruar djersë të ftohta. Mendova se nuk do të më ndodhnin më gjëra të tilla dhe e hoqa nga mendja, por s’kaloi shumë dhe filloi të më përzihej përbrenda. Vrapova drejt banjës me dorën te goja. Sytë më lotuan dhe dukej sikur zorrët nuk i kisha brenda barkut. Turbull pashë dikë në miniaturë që më doli nga goja dhe duke u fshehur nëpër të vjellat e mia, u përpoq të hidhej në vrimën e zezë. U tregova më i shkathët dhe e kapa në ajër. Filloi të përpëlitej për të shpëtuar, por e shtrëngova aq fort sa për pak i mora frymën. Ishte aq i vogël, sa e mbaja me një dorë. Më vështroi hetueshëm nga koka te këmbët. Ngrita dorën tjetër për ta goditur, por ai mbuloi fytyrën me duar:
– Më fal, më fal! – tha me të shpejtë.
– Kush je ti? – e pyeta i xhindosur.
Nuk m’u përgjigj. Ngrita përsëri dorën ta godisja, por ai belbëzoi pa i hequr duart nga fytyra: “Mbikëqyrës!…”. Papritur filluan të më binin djersë të ftohta dhe gjithçka m’u rrotullua marramendthi. Vura dorën atje ku duhej të ishte zemra, por nuk ia dëgjova rrahjet.
– Po zemrën, ku e kam zemrën?! – e pyeta i shqetësuar dhe kërcënueshëm njëherësh.
Ai ngriti supet dhe vuri duart në fytyrë, megjithëse unë s’isha bërë gati ta godisja. Dukej që gënjente. E pështyva me neveri. Pickova veten, por nuk ndjeva gjë. Përbrenda isha i ftohtë akull. Sapo mbikëqyrësi hapi gojën për të thënë diçka, e ngjita me grusht pas murit, si insekt. Ngordhi. Fillova të ecja i shqetësuar nëpër shtëpi. Kushedi edhe sa organe të tjera më ishin shkëputur nga trupi kur kisha vjellë! Duhej të gjeja zemrën me çdo kusht. Shpresoja të ishte ende nëpër tubat e ujërave të zeza, se po të kishte përfunduar në gropën e madhe të qytetit, atje s’mund ta gjeja dot kurrë. Mbylla sytë, mbajta frymën dhe u zhyta poshtë në vrimën e vogël të zezë. Rrëshqita me shpejtësi nëpër tubat e zinj e të ngushtë. Larg pashë një dritë të vogël. Ishte fundi i tubit. Kur u afrova vura re zemrën time, që kishte mbetur atje, duke rrahur si zakonisht. Zgjata dorën ngadalë, por një valë e pistë uji e mori me vete dhe zemra përfundoi në gropën e madhe të gjërave më të ndyra të qytetit. Nxora kokën jashtë për ta parë, por ishte zhdukur. U ktheva mbrapsht dhe dola përsëri në shtëpinë time. Nuk e dija ç’të bëja, por më duhej zemra patjetër. Po të futesha ta kërkoja në atë gropë, edhe sikur ta gjeja, do të humbja përgjithmonë, bashkë me të. Vendosa të duroj edhe pa zemër, do bëj si do bëj, por, në qoftë se diçka nuk do të shkojë mirë, do të hidhem në vrimën e zezë për ta gjetur. Tani për tani jam mirë.

Similar Posts: