Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 10 shtator

10 shtator. Lindën: Hannah Webster Foster (10 shtator 1758 – 17 prill 1840), romanciere amerikane; Charles Sanders Peirce (10 shtator 1839 – 19 prill 1914), filozof, matematikan dhe shkencëtar amerikan, konsideruar “babai i pragmatizmit”; Elsa Schiaparelli (10 shtator 1890 – 13 nëntor 1973), stiliste italiane e modës; Arthur Holly Compton (10 shtator 1892 – 15 mars 1962), fizikan amerikan, fitues i çmimit Nobel; Georges Bataille (10 shtator 1897 – 9 korrik 1962), intelektual, shkrimtar, filozof, antropolog, sociolog e historian arti; Franz Werfel (10 shtator 1890 – 26 gusht 1945), poet, shkrimtar e dramaturg austriak; Hilda Doolittle (10 shtator 1886 – 27 shtator 1961), poete, romanciere dhe memuariste amerikane; William Oliver Everson (10 shtator 1912 – 3 qershor 1994), poet dhe kritik letrar amerikan; Miguel Serrano (10 shtator 1917 – 28 shkurt 2009), shkrimtar, diplomat okultist dhe aktivist fashist kilian, një nga eksponentët më të shquar të ezoterikës hitleriane; Mary Jane Oliver (10 shtator 1935 – 17 janar 2019), poete amerikane; Stephen Jay Gould (10 shtator 1941 – 20 maj 2002), paleontolog, biolog evolucionist dhe historian amerikan i shkencës.

Hannah Webster Foster (10 shtator 1758 – 17 prill 1840):
“Martesa është varri i miqësisë.”

Charles Sanders Peirce (10 shtator 1839 – 19 prill 1014):
“Identiteti i një njeriu qëndron në lidhjen mes asaj që bën dhe asaj që mendon.”

Hilda Doolittle (10 shtator 1886 –27 shtator 1961):
“Nëse nuk arrin të kapësh dot as kuptimin e fjalëve, si mund të shpresosh të japësh mendime në lidhje me atë që fshihet pas fjalëve?”

Franz Werfel (10 shtator 1890 – 26 gusht 1945):
“Midis shumë herët dhe shumë vonë nuk ka asgjë më tepër se një çast të vetëm.”
“Formula bazë e të gjitha mëkateve është zhgënjimi në dashuri ose dashuria e refuzuar.”
“Religjioni është dialogu i përjetshëm mes njerëzimit dhe Zotit. Arti është monologu i tij.”

Elsa Schiaparelli (10 shtator 1890 – 13 nëntor 1973):
“Shumë burra i vlerësojnë gratë e forta, por nuk i adhurojnë ato. Disa gra arrijnë të jenë të forta, por pjesa më e madhe e atyre që synojnë të ecin të vetme në jetë, duke e çarë vetë rrugën, janë gra të cilat e kanë humbur lumturinë.”
“Besimi është i domosdoshëm për shpirtin po aq sa ç’janë të domosdoshme kënaqësitë për trupin.”
“Kurrë mos kërko t’ia përshtatësh veshjen trupit, por stërvite trupin për t’iu përshtatur veshjes. ”
“Rrobat që janë vërtetë të bukura nuk dalin kurrë nga moda.”
“Gratë vishen njëlloj në të gjithë botën: vishen për të bezdisur gratë e tjera.”
“Mos harroni se 20% e grave kanë komplekse inferioriteti, ndërsa 70% e tyre kanë iluzione.”

Arthur Holly Compton (10 shtator 1892 – 15 mars 1962):
“Sipas meje, besimi fillon me vetëdijen se është një fuqi inteligjente ajo që ka krijuar universin dhe njeriun. Për mua s’është e vështirë të kem një besim të tillë, sepse s’mund të kundërshtohet kurrsesi ideja se aty ku ka një plan, ka një inteligjencë. Një univers i organizuar dhe në zgjerim e sipër dëshmon të vërtetën e shprehjes më madhështore që është thënë ndonjëherë: “Në fillim ishte Zoti.”

Georges Bataille (10 shtator 1897 – 9 korrik 1962):
“Puthja është fillimi i kanibalizmit.”
“Erotizmi nuk mund të shpërfaqet kurrë në mënyrë të plotë pa poezinë.”
“Jo të gjitha gratë janë prostituta, por prostitucioni është apoteozë natyrale e sjelljes femërore.”
“Brenda nesh nuk ka diçka më të nevojshme e më të fortë se rebelimi.”
“Mendimi as na fisnikëron dhe as arrin të bëjë diferencën midis nesh dhe kafshëve të tjera.”
“Në të vërtetë, vetëm për dy gjëra jemi të sigurt në këtë botë: që nuk jemi gjithçka e që do të vdesim.”

William Oliver Everson (10 shtator 1912 – 3 qershor 1994):
“Arti nuk është shërbëtor i politikës, por ilaç për shërimin e saj.”

Miguel Serrano (10 shtator 1917 – 28 shkurt 2009):
“Ji besnik ndaj ëndrrave të vjetra, me qëllim që bota të mos e humbasë shpresën.”
“Librat, ashtu si dhe njerëzit, kanë rolin e tyre të veçantë. Ato shkojnë drejt personave që janë në pritje të tyre dhe arrijnë gjithmonë në kohën e duhur. Librat janë të përbërë prej lënde të gjallë dhe vijojnë të përhapin dritë edhe shumë kohë pas vdekjes së autorëve të tyre.”

Stephen Jay Gould (10 shtator 1941 – 20 maj 2002):
“Nëse e përdorim të shkuarën vetëm që të krijojmë heronj për nevojat e të sotmes, nuk do mund ta kuptojmë kurrë pasurinë e mendimit njerëzor dhe larminë e mënyrave të përftimit të dijes.”

Mary Oliver (10 shtator 1935 – 17 janar 2019):
“Poezia nuk është profesion, por stil jete. Ajo është një kanistër e zbrazët. Fut jetën tënde aty dhe bëj diçka me të.”
“Për të jetuar në këtë botë duhet të jesh në gjendje të bësh tri gjëra: të duash atë që është e vdekshme; ta mbash shtrënguar fort pas vetes, gjithë duke e ditur se jeta jote varet prej saj; mandej, kur të vijë çasti për t’u shkëputur prej saj, ta lësh të shkojë.”
“Ti mund të mashtrosh veten, por nuk mund të mashtrosh dot kurrë shpirtin tënd.”
“Nuk dua të ndryshojnë vendet që kam përpara syve. Thjesht dua që vështrimi im mbi to të bëhet më i thellë.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: