Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 9 shtator

9 shtator. Lindën: Kardinali Richelieu (9 shtator 1585 – 4 dhjetor 1642), klerik dhe burrë shteti francez; Leon Tolstoi (1828-1910), shkrimtar, dramaturg, eseist e filozof rus; Houston Stewart Chamberlain (9 shtator 1855 – 9 janar 1927), filozof britanik, i natyralizuar gjerman; Cesare Pavese (9 shtator 1908 – 27 gusht 1950), poet, romancier e tregimtar, kritik letrar, eseist e përkthyes italian; Hugh Grant (9 shtator 1960), aktor anglez.

Kardinali Richelieu (9 shtator 1585 – 4 dhjetor 1642):
“Nëse më jepni gjashtë rreshta të shkruara nga dora e njeriut më të ndershëm, unë arrij të gjej aty diçka që do ta çojë atë në litar.”
“Miqësia është ilaç për të gjitha fatkeqësitë, ndërsa mosmirënjohja shteron burimin e çdo lloj të mire.”
“Mashtrimi është dija e mbretërve.”

Leon Tolstoi (9 shtator 1828 – 20 nëntor 1910):
“Ngaqë e çmoj shumë atë që kam, nuk e vras fare mendjen për atë që nuk kam.”
“Të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën. Askush nuk mendon të ndryshojë veten e tij.”
“Nëse do që të jesh i lumtur, përpiqu t’i pëlqesh Zotit, jo njerëzve.”
“Nëse do dikë, duaje ashtu siç është, jo siç do të dëshiroje të ishte.”
“Ashtu sikundër një qiri mund të ndezë një qiri tjetër dhe mijëra qirinj, ashtu edhe një zemër mund ta ndriçojë një zemër tjetër dhe mijëra zemra.”
“Rritu vetë shpirtërisht e më pas ndihmoji edhe të tjerët të rriten. Ky është kuptimi i jetës.”
“Nuk ka madhështi aty ku nuk vërejmë thjeshtësi, mirësi e vërtetësi.”
“Mos e kërko Zotin nëpër faltore. Ai është pranë teje. Ai është brenda teje. Mjafton ta dorëzosh veten dhe Ai dhe ai do të të lartësojë ty përmbi lumturinë, përmbi fatkeqësinë.”
“Pjesa më e madhe e fatkeqësive vjen prej gjërave të pathëna.”
“Koha më e rëndësishme është Tashti.”
“Lumturia qëndron në aftësinë për të dashur të tjerët.”
“Njeriut që di të presë, i vjen çdo gjë në kohën e duhur.”
“Respekti është krijuar për të mbushur zbrazëtinë, në të cilën duhej të ishte dashuria.”
“Mërzia: dëshirë për të pasur dëshirë.”
“Arti e lartëson njeriun nga jeta personale në jetën universale.”
“Nuk ka gjenialitet aty ku mungon thjeshtësia.”

Houston Stewart Chamberlain (9 shtator 1855 – 9 janar 1927):
“Në sytë e Zotit të gjithë njerëzit, madje të gjitha krijesat, janë të barabarta, por ligji hyjnor i individit është po ashtu për ruajtjen dhe mbrojtjen e individualitetit.”

Cesare Pavese (9 shtator 1908 – 27 gusht 1950):
“Zanafilla e të gjitha mëkateve është ndjenja e inferioritetit.”
“Nuk ekziston ndonjë vend më i pabanueshëm se sa vendi ku dikur kemi qenë të lumtur.”
“Arti i të jetuarit është arti i të mësuarit për të besuar në gënjeshtra.”
“Ka diçka që është më e trishtë se plakja, dhe është të mbetesh gjithmonë fëmijë.”
“Sjellja e përkryer e ka burimin tek indiferenca e plotë.”
“Gjërat mund t’i kemi në çastin kur nuk i dëshirojmë më.”
“Gjithë problemi i kësaj jete është: si ta thyejmë vetminë tonë, si të komunikojmë me të tjerët?”
“Vdekja është pushimi, por mendimi i vdekjes prish qetësinë e çdo lloj pushimi.”
“Injorantët do të mbeten përgjithmonë injorantë, sepse njerëzit që kanë pushtetin janë të interesuar që ata të mos kuptojnë asgjë.”
“Letërsia është një mënyrë mbrojtjeje ndaj fyerjeve që na bën jeta.”
“Prej një njeriu që s’është i gatshëm të japë jetën për ty, nuk duhet të pranosh as edhe një cigare.”
“Njerëzit që urrejnë të tjerët, urrejnë veten.”
“Të shkruash poezi është si të bësh dashuri: kurrë s’mund ta dish nëse edhe tjetri është duke përjetuar të njëjtën gjendje.”
“Është e rëndësishme që secili të zbresë një herë të vetme në ferrin e tij.”
“Arti është çështje ekuilibri midis dy të kundërtave.”

Hugh Grant (9 shtator 1960):
“Unë nuk besoj më në dashurinë me shikim të parë, ndonëse tërë karrierën time e kam bazuar mbi këtë koncept.”
“Nëse jep mësim, arrin të bën të kuptosh me shumë shpejtësi që ti nuk di asgjë. Nuk e kam ditur më parë një gjë të tillë.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: