Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 8 shtator

8 shtator. Lindën: Richard I (8 shtator 1157 – 6 prill 1199), një ndër mbretërit më të mëdhenj të Anglisë, mbiquajtur Zemërluani, i cili sundoi nga 1189 e deri sa vdiq më 1199; Ludovico Ariosto (8 shtator 1474 – 6 korrik 1533), poet italian, i njohur gjerësisht me romancën e tij epike “Orlandi i çmendun”, vepër e cila është përkthyer në gjuhën shqipe nga Guljelm Deda; August Wilhelm Schlegel (8 shtator 1767 – 12 maj 1845), poet, kritik e përkthyes gjerman; Alfred Jarry (8 shtator 1873 – 1 nëntor 1907), shkrimtar simbolist francez; Derek Barton (8 shtator 1918 – 16 mars 1998), kimist organik anglez, fitues i çmimit Nobel.

Richard I, Zemërluani (8 shtator 1157 – 6 prill 1199):
“Prapëseprapë, ne vëmë gjithmonë dashurinë e Zotit dhe nderin e Tij përmbi tonin.”
“Edhe më trimat prej nesh e urrejnë luftën, ndërkohë që më të rrezikshmit janë ata që e duan.”

Ludovico Ariosto (8 shtator 1474 – 6 korrik 1533):
“Mizoria paraprihet gjithmonë nga një mendje e ulët dhe nga një zemër frikacake.”
“Kur djalli plaket, bëhet eremit.”
“Nuk i druhem vdekjes. Do të takohem me miqtë e mi në një tjetër botë.”
“Zoti im, më mbro nga herezia, tërbimi dhe xhelozia!”

August Wilhelm Schlegel (8 shtator 1767 – 12 maj 1845):
“Letërsia është pavdekësia e ligjërimit.”
“Egoizmi e krijon qendrën brenda vetes, ndërsa dashuria grafullon jashtë, në një hapësirë tërësish universale. Dashuria synon unitetin, ndërsa egoizmi synon vetminë. Dashuria është qytetare sovrane e një republike të begatë, ndërsa egoizmi është despot që sundon në një vend të shkretuar.”
“Çdo gjë që ekziston në natyrë është pastërtisht individuale dhe e veçantë. Arti, krejt ndryshe, synon të nxjerrë në pah të përgjithshmen.”

Alfred Jarry (8 shtator 1873 – 1 nëntor 1907):
“Vepra e artit është krokodil i mbushur me kashtë.”
“Vdekja është vetëm për mediokrit.”
“Zoti është pika tangjenciale midis zeros dhe infinitit.”
“Të folurit për gjëra të kuptueshme është diçka që rëndon mendjen.”
“Është konvencionale të quajmë “monstër” çdo lloj përzierjeje elementësh që nuk janë në harmoni. Unë quaj “monstër” çdo lloj bukurie origjinale e të pashtershme.”

Derek Barton (8 shtator 1918 – 16 mars 1998):
“Zoti është e vërteta. Nuk ekziston asnjë papajtueshmëri midis shkencës dhe religjionit. Që të dyja kërkojnë të njëjtën të vërtetë. Shkenca dëshmon se Zoti ekziston.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: