Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 6 shtator

6 shtator. Lindën: Moses Mendelssohn (6 shtator 1729 – 4 janar 1786), filozof gjermano-hebre; Marquis de Lafayette (6 shtator 1757 – 20 maj 1834), aristokrat dhe gjeneral francez, i cili mori pjesë në luftën e Revolucionit Amerikan, duke udhëhequr trupat amerikane në shumë beteja, ndërsa pas kthimit në atdhe u bë një ndër figurat kryesore të Revolucionit Francez; Frances Wright (6 shtator 1795 – 13 dhjetor 1852), shkrimtare, mendimtare, feministe, reformatore sociale dhe abolicioniste amerikane, me prejardhje skoceze; Jane Addams (6 shtator 1860 – 21 maj 1935), veprimtare, reformatore, punonjëse sociale, sociologe dhe autore amerikane, fituese e çmimit Nobel; Felix Salten (6 shtator 1869 – 8 tetor 1945), shkrimtar dhe kritik letrar austriak; John Macleod (6 shtator 1876 – 16 mars 1935), psikolog dhe biokimist britanik, fitues i çmimit Nobel; Edward Victor Appleton (6 shtator 1892 – 21 prill 1965), fizikan anglez, fitues i çmimit Nobel; Julien Green (6 shtator 1900 – 13 gusht 1998), shkrimtar amerikan, i cili fillimisht shkroi në frëngjisht, i pari shkrimtar jo francez që u zgjodh anëtar i Akademisë franceze.

Moses Mendelssohn (6 shtator 1729 – 4 janar 1786):
“Unë ekzistoj, pra Zoti është.”

Marquis de Lafayette (6 shtator 1757 – 20 maj 1834):
“Humanizmi e ka fituar betejën e tij. Tashmë liria ka një atdhe.”
“Kur një qeveri dhunon të drejtat e një populli, atëherë për popullin e për çdo pjesë të tij rebelimi shndërrohet në një të drejtë të shenjtë, në një detyrë të domosdoshme.”

Frances Wright (6 shtator 1795 – 13 dhjetor 1852):
“Barazia është shpirti i lirisë. Pa të liria nuk mund të ekzistojë.”
“A do të ekzistonte lavdia e diellit nëse nuk do ta njihnim zymtësinë e territ?”
“Shkencat kanë qenë gjithmonë prijëset më të sigurta në rrugën drejt virtytit.”
“Në të shumtën e rasteve, njeriut që dëgjon i bën më tepër përshtypje mënyra si i thuhet e vërteta, sesa vetë e vërteta.”
“Dituria e një brezi është injorancë për brezin që pason.”
“Ju mund të keni studiuar dhe mund të keni folur në lidhje me sisteme të ndryshme filozofike, por çështja është se filozofia e vërtetë u kundërvihet të gjitha sistemeve.”

Jane Addams (6 shtator 1860 – 21 maj 1935):
“Gjërat që na bëjnë të ngjashëm janë më të bukura e më të forta se gjërat që na bëjnë të ndryshëm.”
“Në të vërtetë, veprimi është i vetmi mjet shprehës për etikën.”
“Thelbi i konceptit të pavdekësisë është prirja për ta konsideruar veten një përjashtim.”

Felix Salten (6 shtator 1869 – 8 tetor 1945):
“Kur je i ri dhe i krisur, nuk ka rëndësi fare se ku ndodhesh, sepse gjithsesi mendon se do të jesh më i lumtur diku tjetër.”

John Macleod (6 shtator 1876 – 16 mars 1935):
“Unë besoj se asgjë në këtë jetë nuk është e parëndësishme dhe se çdo çast mund të shënojë një fillim të ri.”
“Unë besoj te mrekullitë: te lutjet që gjejnë përgjigje dhe te duart që shërojnë.”
“Mos harro të shpresosh dhe të jesh i lumtur.”
“Rëndësi ka udhëtimi, jo mbërritja.”
“Çdo ditë e re vjen si dhuratë e Jetës hyjnore, një thesar i çmuar për ty e për mua.”

Edward Victor Appleton (6 shtator 1892 – 21 prill 1965):
“Unë e konsideroj entuziazmin edhe më të rëndësishëm se aftësia profesionale.”
“Ne sillemi sikur rehatia dhe luksi të jenë kërkesat kryesore të jetës, por, në të vërtetë, ajo që na nevojitet për të qenë të lumtur është diçka që na bën të ndjehemi entuziastë.”
“Nuk ka rëndësi se në çfarë gjuhe këndohet në një opera, mjafton të jetë një gjuhë që nuk e kuptoj.”

Julien Green (6 shtator 1900 – 13 gusht 1998):
“Ti nuk mund ta marrësh me mend në mënyrë absolute vëmendjen që Zoti ka ndaj teje. Nëse do ta dije sa e madhe është kjo vëmendje, do të mendoje se je i vetmi njeri që ekziston në këtë botë.”
“Eksploratori më i madh i kësaj botë nuk arrin të realizojë kurrë një udhëtim më të gjatë sesa ai i njeriut që udhëton drejt thellësisë së zemrës së tij.”
“Jeta është një libër që shkruhet vetvetiu dhe temat e tij më kryesore na kalojnë pa vënë re. Ne jemi si personazhet e një romani, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë se çfarë kërkon autori prej tyre.”
“Mendimet fluturojnë, fjalët ecin në këmbë. Këtu qëndron drama e çdo shkrimtari.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: