Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 5 shtator

5 shtator. Lindën: Luigji XIV (5 shtator 1638 – 1 shtator 1715), mbiquajtur Luigji i Madh ose Mbreti Diell, një ndër mbretërit më të mëdhenj të Francës, i cili sundoi 72 vjet, duke u konsideruar monarku që ka qëndruar më gjatë në pushtet gjatë tërë historisë; Sarvepalli Radhakrishnan (5 shtator 1888 – 17 prill 1975), filozof, akademik, profesor e politikan indian;  Arthur Koestler (5 shtator 1905 – 1 mars 1983), shkrimtar hungaro-britanik me origjinë hebreje; Nicanor Parra (5 shtator 1914 – 23 janar 2018), poet kilian, një nga më ndikuesit nw poezinë e gjuhës spanjolle tw shekullit XX; Frank Yerby (5 shtator 1916 – 29 nëntor 1991), shkrimtar amerikan; Bob Newhart (5 shtator 1929), komik e aktor amerikan; Werner Herzog (5 shtator 1942), regjisor, skenarist, autor e aktor gjerman; Freddie Mercury (5 shtator 1946 – 24 nëntor 1991), këngëtar, kantautor, vokalisti i grupit të rokut Queen, konsideruar si një nga këngëtarët më të mëdhenj në historinë e muzikës rok.

Luigji XIV (5 shtator 1638 – 1 shtator 1715):
“Është e ligjshme, sepse kështu dëshiroj unë”
“Vetëm mendjet e vogla duan të kenë gjithmonë të drejtë.”
“Sa herë i jap një post dikujt, bëj dhjetë njerëz të pakënaqur dhe një mosmirënjohës.”
“Padurimi për të arritur fitoren çon në humbje të sigurtë.”
“Janë të pakta gjërat që mund t’i bëjnë qëndresë një njeriu, i cili ka arritur të pushtojë veten e tij.”
“Vitet kalojnë njëri pas tjetrit; koha na rrëshqet pa e vënë re; plakemi si njerëz të zakonshëm dhe fundi ynë është njëlloj si i tyre.”
“A thua Zoti ka harruar çdo gjë që kam bërë për Të?”

Sarvepalli Radhakrishnan (5 shtator 1888 – 17 prill 1975):
“Mjeshtra të vërtetë janë ata që na mësojnë se si të mendojmë me kokën tonë.”
“Në çastin kur fillojmë të mendojmë se dimë, atëherë reshtim së mësuari.”
“Edhe mëkatari më i madh ka një të ardhme, ashtu sikundër shenjtori më i madh ka një të shkuar.”
“Religjioni është mënyrë sjelljeje, jo thjesht besim.”
“Zoti jeton, ndjen dhe vuan në secilin prej nesh, dhe me kalimin e kohës cilësitë e Tij, dija, bukuria dhe dashuria shpërfaqen në çdonjërin prej nesh.”

Arthur Koestler (5 shtator 1905 – 1 mars 1983):
“Nuk ka gjë më të trishtë se vdekja e një iluzioni.”

Nicanor Parra (5 shtator 1914 – 23 janar 2018):
“E vërteta, ashtu si dhe bukuria, as nuk krijohet e as nuk humbet kurrë.”

Frank Yerby (5 shtator 1916 – 29 nëntor 1991):
“Pjekuria vjen vetëm në ditën kur nuk kemi më nevojë të gënjejmë për asgjë.”
“Për ëndërrimtarët, e Vërteta është diçka e pakëndshme.”
“Nuk ka ndonjë dhimbje tjetër, e cila mund të krahasohet me dhimbjen që ndjen në rastin kur je i detyruar të mendosh.”
“Jeta nuk fillon me lindjen, por me sulmin e vetëdijes.”
“Të shkruash një roman është njëlloj si të ndërtosh një mur duke i vënë tullat një e nga një. Vetëm amatorët besojnë te frymëzimi.”

Bob Newhart (5 shtator 1929):
“E vetmja mënyrë për të mbijetuar, është të kesh sens humori.”
“Mos mbaj kurrë dy qen, sepse në këtë rast nuk e di kurrë se cilit duhet t’ia vësh fajin.”
“Humori është armë, nëse dëshiron ta përdorësh.”
“E qeshura është sekreti i një martese të gjatë.”

Werner Herzog (5 shtator 1942):
“Civilizimi është si një shtresë e hollë akulli mbi një oqean të thellë, të mbushur me kaos dhe errësirë.”
“Bota i zbulohet njeriut që ecën më këmbë.”
“Universi është tmerrësisht indiferent ndaj pranisë së njeriut.”
“Akademia është vdekja e kinemasë. Ajo është saktësisht e kundërta e pasionit. Kinemaja nuk është art studiuesish, por art analfabetësh.”

Freddie Mercury (5 shtator 1946 – 24 nëntor 1991):
“Gjithmonë e kam ditur se jam yll. Tashmë, me sa duket edhe pjesa tjetër e botës është dakord me mua.”
“Gjëja më e rëndësishme është të bëj jetë përrallore. Për sa kohë që është përrallore, nuk më intereson fare sa zgjat.”
“Nuk do të jem rokstar. Do të jem legjendë.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: