Nëse do duhej ta përmblidhja me një fjali, “Flama” e Tom Kukës (Enkel Demi) fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, është: Historia e një qyteti të marrë peng nga vdekja, për një borxh që ua ka të vdekurve.
Një dënim kolektiv jo veç për mëkatet e rënda të disa prej banorëve, por për mëkatin në përgjithësi, që i rri qytetit të populluar me minj si mjegull mes ëndrrës dhe realitetit. Moralisht, vepra mund të konsiderohet një karikaturë shpirtërore e Tiranës së sotme.
I dyzuar mes një formati klasik rrëfyes, ndërthurur me një rrëfim policesk dhe pak realizëm magjik të spërkatur aty-këtu në ëndrrat e personazhit kryesor, që quhet Di Hima, “Flama” është një përpjekje dinjitoze për t’u shkëputur nga letërsia qaramane, ankimore dhe moraliste, që karakterizon në përgjithësi letërsinë shqipe.
Kjo mund të konsiderohet një pikë e fortë në favor të kësaj vepre, që në shtyp po e quajnë roman, por që në të vërtetë është novelë. Në ballinë nuk është shënuar zhanri dhe kjo ndoshta qëllimisht për të shmangur “persekutimin” që novelat kanë në tregun e letërsinë shqipe; një handikap i madh ky, i vërtetë apo fiktiv, kur konsideron se “Plaku dhe deti” i Hemingueit ka 27.000 fjalë dhe “Metamorfoza” e Kafkës 21.800.
Historia e rrëfyer mund të kish mbajtur, pa shtuar ujë të tepërt, edhe 70 apo 80.000 fjalë, që do ta bënte leximin më të kënaqshëm e do u jepte mundësi personazheve, shpesh dy-dimensionale, të shpalosnin më shumë formë, duke theksuar më tej karakterin e dallueshëm që kanë. Megjithatë, kjo nuk do konsideruar si mangësi, sepse ndoshta autori ka zgjedhur t’i lërë deri diku të mjegullt, për t’ia lënë lexuesit t’i imagjinojë siç dëshiron. Personalisht do kisha preferuar ta lexoja këtë histori si roman, por jo të gjithë kemi njësoj kohë të ulemi e lexojmë, kur filozofia sot bëhet me 140 germa në Twitter.
Duket që autori është i dashuruar me Tiranën “që nuk është më” dhe kjo shfaqet edhe në emrat e personazheve dhe gjuhën e rrëfimit. Di Hima, “dedektivi” i edukuar në Europë, flet toskërisht, kurse e shoqja është qartësisht gegë, si shumica e karaktereve. Me gjithë rezervat dialektore të gjuhës së personazheve, edhe rrëfimi i autorit ka arkaizma që shpesh tentojnë drejt manjerizmit, por ngelen pa kaluar në patetizëm, gjë që e bën leximin të këndshëm dhe interesant.
Nga ana gjuhësore, karakteri fragmentar, gazetaresk, nxjerr kokën herë-herë dhe, megjithëse e bën rrëfimin të rrjedhshëm, e dëmton aty-këtu stilin letrar, që autori duket se është kujdesur ta strukturojë me durim.
Do kisha dashur ta shihja tekstin më të pastruar nga parazitizmat dhe me folje më të kuruara. Përdorimi i tepruar i përemrit vetor në fillim të fjalisë shpesh e këput rrëfimin në mënyrë të panevojshme e herë-herë të dëmshme për rrjedhshmërinë.
Nga foljet, e tashmja e krijuar me folje ndihmëse+paskajore, megjithëse nuk shfaqet shpesh, njësoj si në rastin e përemrit vetor, është dashur të shmanget. Gjithashtu, kalimi nga e tashmja në të shkuarën në të njëjtin paragraf lë po të njëjtën shije se tekstit i është dashur t’i kushtohej më shumë vëmendje. Megjithatë, këto janë në shumicën e rasteve gjëra që i bien në sy një lexuesi gjuhësisht të kultivuar dhe nuk e prishin rrëfenjën.
Vepra nuk ka heronj të mirëfilltë dhe kjo nxjerr në pah më tepër idenë e fajit fillimtar, kolektiv, të një shoqërie të pazhvilluar, ku njerëzit rrojnë të hanë e të bëjnë fëmijë, pa ideale të mëdha. Të vetmet shenja drite në këtë errësirë skamjeje të Tiranës janë prezenca nostalgjike e imazhit të Europës në kujtimet e personazhit kryesor, indiferenca fetare dhe prania e prostitutave të kthyera në infermiere, që kujdesen për trupin e të sëmurëve, sepse për “shpirtin” nuk ka nge kush nga ata që kanë mbetur gjallë.
Rrëfimi është i dhunshëm, por i sinqertë. Kjo e bën “nostalgjinë”, që Enkel Demi shpesh shpreh nëpër intervista për Tiranën e “humbur”, të pajustifikuar; askush nuk do donte të jetonte në një kohë të tillë, me “çati të kuqe”.
Vepra është vazhdimësi e librave të mëparshëm të autorit, jo vetëm nga personazhet, koha dhe gjeografia, por dhe nga stili e shija që të lë kur e mbaron së lexuari; gjë që të bën kurioz të lexosh edhe librat e tjerë të Tom Kukës, të cilin e gjen njëkohësisht si autor dhe personazh.
Enkel Demi është nga ata pak autorë shqiptarë, librave të të cilëve u kam shkuar deri në fund. Autori shkruan për një kohë të kaluar, që e bën veprën komode, sepse shmang ngarkesat morale e politike të së tashmes, por që mund ta konsiderosh edhe mungesë guximi. Kjo në të vërtetë nuk është handikap, por ja shton vlerën krijimtarisë së tij në mënyrë të sinqertë, sepse, siç është shprehur edhe në intervistën e fundit në “Revista Letrare – Vjeshtë 2021”, akoma ndjen konfliktet e brendshme të së shkuarës së afërt.
Historia ka të gjitha elementet e një vepre klasike që kënaq egon e lexuesit dhe që në faqen e fundit të lë me pengun: Ah sikur të kish më shumë!