Press "Enter" to skip to content

Shtatori

Poezia vjen ngaherë…
me shiun.
Fytyra jote e bukur vjen gjithmonë…
me shiun.
Edhe dashuria nuk fillon veçse kur…
ia nis muzika e shiut.

Kur ia beh shtatori, e dashura ime…
pyes çdo re për dy sytë e tu.
Njëlloj sikur dashuria ime për ty…
të varej nga moti me shi.

Pamjet e vjeshtës më provokojnë…
zbehja jote e bukur më provokon…
buza blu e gërvishtur… më provokon…
vathët e argjendtë në dy veshët e tu… më provokojnë,
madje edhe trikoja e kashmirit…
çadra e verdhë dhe ajo jeshile… më provokojnë.
Gazeta e mëngjesit…
është si një grua llafazane… më provokon dhe ajo.
Aroma e kafesë mbi një letër të thatë…
më provokon…
Çfarë të bëj,
kur gjendem mes rrufesë ndër gishtat e mi
dhe mes thënieve të Mesisë së Pritur?

Në zanafillën e shtatorit më pushton
një ndjenjë e çuditshme sigurie dhe rreziku…
Kam frikë të më qasesh pranë…
Kam frikë edhe të më largohesh…
Ia kam frikën civilizimit të mermertë nga thonjtë e mi…
Ua kam frikën mozaikëve të Levantit nga ndjenjat e mia…
Druhem se mos më shkul vala e fatit.

Mos vallë është Shtatori ai që më shkruan,
apo ai që më shkruan
është shiu?

Ti je marrëzi e rrallë dimërore…
Ah sikur ta dija, o zonja ime,
lidhjen mes marrëzisë… dhe shiut!
Zonja ime,
që kalon si befasia në tokën njerëzore…
me një poezi në njërën dorë…
dhe një hënë në dorën tjetër…

O grua që e dashuroj!
Buisin poezitë nëse shkel qoftë dhe mbi një gur…
O grua që në zbehjen e saj mban
të gjitha dhimbjet e pemëve…
Sa i bukur është mërgimi me ty,
o grua që përmbledh historinë time…
dhe historinë e shiut!

Përktheu nga origjinali: Elmaz Fida

Të tjera nga ky autor: