Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 2 shtator

2 shtator. Lindën: Giovanni Verga (2 shtator 1840 – 27 janar 1922), shkrimtar italian; Paul Bourget (2 shtator 1852 – 25 dhjetor 1935), romancier dhe kritik francez, katër herë i nominuar për Çmimin Nobel; Johan Daisne (2 shtator 1912 – 9 gusht 1978), shkrimtar belg; Keanu Reeves (2 shtator 1964), aktor kanadez, lindur në Bejrut dhe rritur në Toronto; Lennox Lewis (2 shtator 1965), boksier profesionist britaniko-kanadez, tri herë kampion i botës; Salma Hayek (2 shtator 1966), aktore dhe producente amerikane me origjinë meksikane.

Giovanni Verga (2 shtator 1840 – 27 janar 1922):
“Fjalët kanë vlerën që u jep ai që i dëgjon.”
“Pjesën më të madhe të dhimbjeve tona i prodhojmë ne vetë.”
“Në shtëpinë e të varfrit të gjithë kanë të drejtë.”
“Komshinjtë duhet të jenë si tjegullat e çatisë, të cilat ia përcjellin ujin njëra-tjetrës.”
“Çdo vrimë ka gozhdën e vet, paçka se njëra të re dhe tjetra të vjetër.”
“Ai që drejton shtëpinë nuk mund të flejë kur të dojë.”
“Kalit të mirë nuk i mungon kurrë shala.”

Paul Bourget (2 shtator 1852 – 25 dhjetor 1935):
“Duhet të jetojmë siç mendojmë ose do të përfundojmë duke menduar se si kemi jetuar.”
“Mungesa e lumturisë dëshmon për një mënyrë të gabuar të menduari, ashtu sikundër edhe mungesa e shëndetit dëshmon për një regjim të keq ushqimor.”
“Idetë për letërsinë janë siç është drita për pikturën.”
“Një nga provat që dëshmon se përvoja nuk na hyn fare në punë, është fakti se përfundimi i një marrëdhënieje dashurie nuk na pengon të fillojmë një tjetër.”
“Ekziston vetëm një gjë e ulët në një lidhje dashurie, dhe ky është falsiteti.”
“Flirti është mëkati i të virtytshmit dhe virtyti i mëkatarit.”

Johan Daisne (2 shtator 1912 – 9 gusht 1978):
“Është më pak e rëndë ta humbasësh dikë për shkak të vdekjes sesa për shkak të tradhtisë. Vdekja shkatërron vetëm të ardhmen, ndërsa tradhtia shkatërron edhe të shkuarën.”
“Miqësia i jep sy largësisë, ndërsa heshtjes i jep zë.”
“Kujtesa është një varrezë që lulëzon.”

Keanu Reeves (2 shtator 1964):
“Hidhërimi mund të ndërrojë formë, por nuk vdes kurrë.”
“Është gjithmonë gjë e mrekullueshme të njohësh gratë, me misterin, harenë dhe thellësinë e tyre. Nëse arrin të bësh një grua të qeshë, atëherë ti ke rastin të kundrosh gjënë më të bukur që mund të ekzistojë në këtë Tokë të Zotit.”
“Sigurisht, unë besoj në ekzistencën e Zotit e të Djallit, por në përfytyrimin tim nuk është se njeri ka mjekër të bardhë dhe tjetri sfurk në dorë.”
“Të biesh në dashuri dhe të kesh një lidhje dashurie, janë dy gjëra të ndryshme.

Lennox Lewis (2 shtator 1965):
“Rreziku i një mendjeje të mbyllur qëndron në faktin se mund të lërë jashtë vetes gjëra të mira si dashuria, dhembshuria dhe arsyeja.”
“Kam vënë re se ndjekja e rrugës së shkurtër të çon përherë në një vend ku s’do të doje të ishe, madje të çon shumë më shpejt sesa në vendin ku do të doje të ishe.”
“Si boksier e kam parë të udhës të përdor jo vetëm grushtet, por edhe kokën.”
“Ekziston vetëm një rregull në boks: kurrë mos vër bast për boksierin e bardhë.”

Salma Hayek (2 shtator 1966):
“Jetë do të thotë t’i krijosh vetë mundësitë e jo të presësh që ato të vijnë tek ti.”
“Nuk ka rëndësi në çfarë beson. Rëndësi ka që beson.”
“Gjej stilin tënd. Mos i ço dëm kursimet e tua në përpjekjet për t’u bërë dikush tjetër. Nuk je më e rëndësishme, më inteligjente apo më e këndshme thjesht pse ke hedhur mbi trup një veshje firmato.”
“Para se të bësh çdo lloj gjëje, mendohu. Nëse përpiqesh t’i bësh përshtypje ndokujt, të pëlqehesh, të pranohesh nga dikush apo t’i biesh në sy ndonjërit, ndalu dhe mendohu. Janë kaq të shumtë njerëzit që përpiqen të krijojnë një imazh, të cilët vdesin gjatë këtij procesi.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: