Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 31 gusht

31 gusht. Lindën: Caligula (31 gusht 12 – 24 janar 41), Gaius Caesar Augustus Germanicus, perandori i tretë i Romës, i cili sundoi nga viti 37 deri në vitin 41, kur u vra nga Garda Pretoriane; Théophile Gautier (31 gusht 1811 – 23 tetor 1872), poet, dramaturg, romancier dhe kritik francez; Edward Thorndike (31 gusht 1874 – 9 gusht 1949), psikolog amerikan, një ndër më të përmendurit e shekullit XX; Vladimir Jankélévitch (31 gusht 1903 – 6 korrik 1985), filozof dhe muzikolog francez; William Saroyan ( 31 gusht 1908 – 18 maj 1981), romancier, dramaturg dhe tregimtar armeniano-amerikan, fitues i Çmimit Pulitzer; Alan Jay Lerner (31 gusht 1918 – 14 qershor 1986), autor tekstesh të këngëve dhe libretist e skenarist amerikan, tri herë fitues i Academy Awards; Richard Gere (31 gusht 1949), aktor e producent amerikan.

Caligula (31 gusht 12 – 24 janar 41):
“Le të më urrejnë. Mjafton të më kenë frikën.”
“Ah sikur i tërë populli romak të kishte vetëm një qafë!”

Théophile Gautier (31 gusht 1811 – 23 tetor 1872):
“E vështirë të zësh miqësi me një maçok. Është kafshë filozofike, që nuk ta jep miqësinë në mënyrë të pamenduar.”
“Dëlirësia e zemrës së një njeriu mund të vërehet menjëherë nga mënyra se si ai trajton kafshët.”
“Të dashurosh do të thotë të admirosh me zemër; të admirosh do të thotë të dashurosh me mendje.”
“Kur dashurojmë, rritemi.”
“Sytë janë aq të tejdukshëm, sa nëpërmjet tyre mund të shikojmë shpirtin.”
“Fatit i pëlqen t’i dhurojë pantofla dikujt që ka këmbë druri dhe dorashka dikujt tjetër që nuk ka duar fare.”
“Letërsia nuk është krijuar për të qenë e dobishme; vendi më i dobishëm në një shtëpi është tualeti.”

Edward Thorndike (31 gusht 1874 – 9 gusht 1949):
“Psikologjia është shkenca e intelektit, e karakterit dhe e sjelljes së kafshëve, përfshirë edhe njeriun.”

Vladimir Jankélévitch (31 gusht 1903 – 6 korrik 1985):
“Arsyeja e dashurisë është vetë dashuria.”
“E vërtetë që jeta jonë është diçka kalimtare, por fakti se e kemi jetuar këtë jetë kalimtare mbetet i përjetshëm.”

William Saroyan ( 31 gusht 1908 – 18 maj 1981):
“E di se të gjithë njerëzit vdesin, por prapëseprapë, gjithmonë kam besuar se në rastin tim do të bëhej një përjashtim.”
“Njerëzit e mirë janë të tillë sepse kanë fituar urtinë duke ecur mes dështimeve.”
“Synimi i artit është të krijojë një botë, e cila do mund të banohej.”
“Lumturia më e madhe që do të mund të arrish, është të kuptosh se jo domosdo ke nevojë për lumturinë.”
“Mos harro se çdo njeri është një variacion i vetes së tij.”
“Shkrimtari i vërtetë është rebel dhe nuk ndalet kurrë.”

Alan Jay Lerner (31 gusht 1918 – 14 qershor 1986)
“Kollitja në teatër nuk është sëmundje e frymëmarrjes, por gjest kritik.”
“Kënaqësia pa harenë është e zbrazët si pasioni pa ëmbëlsinë.”
“Shikoni çfarë ndodh sot: gratë sillen si burra, por kërkojnë të trajtohen si gra.”

Richard Gere (31 gusht 1949):
“Takoj shpesh njerëz që kanë të meta, që janë të sëmurë mendorë, që kanë shumë probleme, por nuk besoj të kem takuar ndonjëherë dikë që të ketë pasur energji krejtësisht të errët, që të ketë qenë i zhveshur nga njerëzorja apo nga dashuria për diçka në këtë botë. Them se duhet të jenë raste shumë të rrallë.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: