Më duaj… pa komplekse.
Më duaj… për një javë… ca ditë… ca orë.
Nuk e dua përjetësinë…
Unë jam tetori… muaj erërash,
shirash… dhe breshëri…
Jam tetori, ndaj derdhu
si rrufe mbi trupin tim…
Më duaj…
me gjithë egërsinë mongole…
me gjithë të nxehtin e xhunglave,
me gjithë rrëmbimin e shirave.
Mos lër pas asgjë…
mos u trego e qytetëruar,
mbi buzët e tua u thyen
të gjitha qytetërimet.
Më duaj…
si tërmet… si vdekje e beftë…
Lëre gjirin tënd,
të gatuar me squfur e shkëndija,
të më sulmojë… si ujk i uritur,
të më shqyejë dhe fshikullojë…
si shirat që fshikullojnë bregun e ishujve…
Jam një burrë i pafat
andaj bëhu fati im
dhe më mbaj ndër gjinjtë e tu…
si gdhendje në gur…
Më duaj dhe mos pyet si…
Mos belbëzo e ndrojtur,
mos u plandos nga frika,
më duaj pa ankesa.
A ankohet këllëfi teksa mirëpret shpatën?
Ji deti dhe porti,
toka dhe internimi,
ji qielli i kthjellët dhe uragani,
butësia dhe ashpërsia.
Më duaj… në një mijë e një mënyra
dhe mos u përsërit si vera…
E urrej stinën e verës…
Më duaj… dhe ma thuaj,
se refuzoj të më duash pa zë,
refuzoj ta fsheh dashurinë
në varrin e heshtjes.
Më duaj… larg vendeve të shtypjes dhe ndrydhjes,
larg qytetit tonë të blatuar me vdekje,
larg fanatizmit të tij,
larg ngurtësisë së tij.
Më duaj… larg qytetit tonë,
i cili që ditën kur
u privua nga dashuria,
u privua dhe nga Zoti.
Më duaj… e mos ua ki hallin këmbëve të tua
nga uji, o zonja ime,
se nuk po pagëzohesh, o grua.
Trupi yt është jashtë ujit,
flokët e tua janë jashtë ujit,
kurse gjirin yt është një rosë bardhoshe,
që nuk jeton pa ujë.
Më duaj… me dëlirësinë time… me të metat e mia,
me kaltërsinë time… me prirjet e mia.
Më mbulo…
o çati lulesh…
o pyll kënaje…
zhvishu…
më bjer si shi,
mbi etjen dhe shkretëtirën…
Shkrihu në gojën time… si dyll,
derdhu mbi gjymtyrët e mia.
Zhvishu… dhe ma ndaj buzën
në dy pjesë… si Moisiu detin.
Shqipëroi Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- A ke ndonjë zgjidhje për hallin tonë?
- Unë jam burrë i vetëm, kurse ti je fis grash
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Një aktoreje dështake
- Gruaja që nuk u përsërit në jetën e Gibran Khalil Gibran
- Zemërohu!
- Mendova se vdiqa…
- Jetë në parkim
- Para portës tënde
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi