Press "Enter" to skip to content

Petrit RUKA: Gjërat e mia të vogla

Erdhi koha t’i mbledh gjërat e mia të vogla,
siç bënte nëna me bohçen e saj në sepete,
ku rrobat e reja të vdekjes vinin era ftua.
Do nisem ndonjë ditë t’i mbledh në vendlindje,
harruar atje, pikur për mua,
janë sa një grusht, ca të pakta thërrime….
Them t’i mbledh përrenjtë e vegjël në një shishe,
t’i fus arat e vogla në një shamizë xhepi,
këngët e harruara për drithërimën e parë të një fqinje,
incizuar në gjethen e një plepi.
Do ta fus në xhep varrin e babait, si një kuti shkrepëse,
do t’i qep pas zemrës përkëdheljet e nënës,
mbase hënën do përdor si makinë qepëse.
Do t’i marr zogjtë e do t’i vë në fole të veshëve,
dhe erërat në mushkri e në frymën e fundit,
do t’i kopjoj në të bardhën e syve të lodhur,
portën, plakat, gjerdhet dhe bel-kthesat e Vjosës,
që meket pas zallit si një grua,
në dhomën e saj të gjumit…
Do shkoj të marr shokët, të gjallë e të vdekur,
gjimnazin ku u mësova De Radën nxënësve të mi,
do t’i vë te koka e krevatit si librat e fundit,
nuk kam ç’lexoj gjë tjetër në këtë shtëpi…
me strehë të vogla sa krahu i pëllumbit…
si nëna, njësoj si nëna, që i kish gati të tëra,
me rroba të zeza, shami të zezë, palosur më dysh,
më vini dy re të vogla Goliku në xhep
ose si monedhat për taksën e Hadit
m’i vini më mirë sipër sysh….
Dy re që t’i kem si fletore shkollari,
për ndonjë këngë të pathënë
a brengë që as varri s’e tret.
Po nisem t’i mbledh gjërat e mia të vogla,
është e vetmja punë e bukur që më pret…

Similar Posts: