Press "Enter" to skip to content

Elmira RAMA: Cikël poetik

Pa titull

Dimër.
Gjithçka e mbuluar me borë.
Këngët e mia mbetën varur
si stalaktite në pemët e oborrit.
Ujqërit më ndiqnin
hap pas hapi,
kilometër për kilometër,
me ulërima në kupë të qiellit,
më kallnin frikën
deri në eshtër.

Gjithçka e mbuluar me borë.
Fryma ime zhbironte
kafkën e qiellit,
bërë shoshë.

Ishte dimër i egër
dhe ujqërit më shumë se të
të uritur,
nga dhëmbët e lukunisë,
më shpëtoi një qimendritur.
Zhveshi lëkurën,
më mbuloi mua,
vetë fluturoi,
u bë fajkua.

Kur erdhe ti pranverë,
dhe borën e shkrive,
dhe lulet i çele,
zemrën,
me brirë ma gjakosi një dele.

Pezull

Kur kryqin e thyen
u bë Zot djalli,
qiejt u rrëzuan
mbi kopshtin e fëmijërisë time,
e pikëlluar nëna,
m’i fshehu ëndrrat nën mjegull.
Pastaj nuk doli më diell.
Mëngjeset me durimin e gurit,
që nëna mban mbi krye,
më mbajnë pezull.

Vetëdije

Jam lindur
rastësisht vajzë,
ashtu si të gjithë,
pa e ditur,
pa më pyetur askush nëse doja.
Edhe emrin ma ka vendosur
im atë, të ngatërruar me ca
shkronja nga emri i nënës së tij.

Ndërsa unë mund të kisha
një emër tjetër,
një gjak tjetër,
lëkurën me tjetër ngjyrë,
mund t’i hidhja çapat e parë
në një tjetër rrugicë,
mund të isha në shtëpinë më të bukur
apo më të frikshme në botë,
ja ku jam këtu.

Dhe nuk ankohem.
Mund të isha qyqe,
leckë,
pemë, në bregun e një lumi të rrëmbyer,
bimë e dëmtuar nga stuhi,
nuselale,
dhelpër…
Por jam kjo që jam,
e vetëdijshme
se krijesat ndryshojnë sipas rastit,
se ka gjëra që nuk shpjegohen me fjalë,
se fati nuk i ngjason fatit.

Mbi supin e mbrëmjes

Kam mbështetur kokën
mbi supin e lotit,
nuk kam forcë të qaj më,
më jepni një copë qiell prej fjale
dhe hidhërimin mënjanë do ta lë.

Nuk është e vështirë
të fajësoj errësirën,
gojën e natës,
barkun e erës,
që e fikën zjarrin,
por ju më jepni një
copëz dritë prej fjale,
unë nuk kam dëshirë
të merrem me fajin.

Kam mbështetur kokën
mbi supin e mbrëmjes,
nuk dua qepallat t’i mbyll,
me jepni një copëz tokë prej fjale
dhe do të rinis shpenguar
një udhëtim të ri.

Similar Posts: