fbpx Press "Enter" to skip to content

John POWELL: Mbi marrëdhëniet njerëzore

“Të refuzosh ftesën për të hyrë në komunikim me dikë tjetër që ndesh në jetë do të thotë të mbetesh një pikë e izoluar në qendër të një rrethi të madh, një ishull i vogël në mes të një oqeani të pafund”.

Shumë prej nesh i përgjigjemi dobët ftesës për t’u takuar me njerëz të panjohur pasi nuk ndihemi rehat, ndihemi të pasigurt për t’iu shfaqur dikujt, për të shfaqur vetveten të zhveshur si njerëz, kur disa të tjerë shkojnë me kurajo drejt të panjohurës, drejt lirisë. Një palë janë të gatshëm thjesht të pretendojnë. Ka disa faza në mes në këtë proces drejt një niveli të mirë komunikimit. Në këtë kontekst dallohen pesë nivele, në të cilat njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin.
Për lehtësi argumentimi do të marrim  shembullin e një të burgosuri.
Njeriu në burg (dhe ky mund të jetë çdokush) ka qenë për vite me radhë, megjithëse, për ironi, dyert e mëdha prej hekuri nuk kanë qenë të mbyllura me çelës. Ai mund të dalë nga burgu, por qëndrimi i gjatë brenda e ka bërë të ketë frikë nga rreziqet me të cilat mund të ndeshet. Ai ndjen një farë mbrojtjeje brenda mureve të burgut ku qëndron vullnetarisht. Errësira madje e mban të mbrojtur edhe nga pamja e vetvetes, se ai nuk është i sigurt se si mund të duket në dritën e ditës. Mbi të gjitha nuk është i sigurt se si do ta priste vallë bota, të cilën deri atë kohë e ka parë vetëm përtej hekurave, por dhe njerëzit, që i ka parë nga larg… Ai e ndjen veten të ndarë midis nevojës së dëshpëruar për atë botë e njerëzit e saj dhe një frike të madhe, frikës së refuzimit prej saj nëse i jep fund izolimit të deri atëhershëm.
Ky “i burgosur” është reminishent i librit të Viktor Frank kur përshkruan miqtë e tij, të burgosurit në Dachau. Disa prej tyre, që vuanin për lirinë e tyre, kishin jetuar kaq gjatë në burg sa që, kur u liruan e dolën në dritën e diellit, pulitën sytë  të shqetësuar dhe në heshtje u kthyen sërish në qeli, në errësirën e burgut me të cilën ishin mësuar. Ky është një vizion dramatik i dilemës që shumë nga ne e përjetojmë ndonjëherë në jetën tonë në procesin e rritjes si njerëz.
Siç thamë, në marrëdhëniet njerëzore dallohen pesë nivele komunikimi.

Niveli i pestë:  Komunikimi klishe
Niveli i pestë i komunikimit është ai që ne i themi “komunikim klishe”. Ky nivel përfaqëson përgjigjen më të dobët të dilemës njerëzore dhe nivelin më të ulët të vetëkomunikimit tek tjetri. Këtu, në fakt, nuk ka kurrfarë komunikimi, veç nëse ndodh aksidentalisht. Në këtë komunikim, ne flasim në klishe: Si jeni? Si keni qenë? Familja, mirë është? Më pëlqen fustani yt!
Në fakt edhe pse pyesim, nuk jemi vërtet të interesuar për përgjigjet në detaje. Zakonisht, për fat, edhe pala tjetër e kupton cektësinë e bisedës dhe përgjigjet e saj janë po aq formale: “Faleminderit, mirë”, “Sa mirë që u pamë” etj.
Këto lloj bisedash janë biseda pa komunikim, siç ndodh në kokteje apo në lavanderinë e lagjes. Nuk ka “shkëmbim bisede”. Asnjeri nuk ndan me tjetrin asgjë, veç përshëndetjeve të thata, formale. Pra, gjithkush mbetet po në atë pozicion që ishte para se të fillonte “bisedën“ me palën tjetër. Njerëzit janë mbledhur në atë grup duke mbetur secili vetëm në vetvete. Kjo është e përmbledhur bukur në  lirikat e Paul Simon, tek “Zërat e heshtjes”, në filmin “Diplomati”.

Dhe në natën e zhveshur unë pashë
Dhjetë mijë vetë ndoshta më shumë
Njerëz që flisnin pa thënë kurrgjë
Njerëz që dëgjonin pa dëgjuar
Njerëz që shkruanin këngë
Që zërat kurrë s’i kënduan
Askush nuk guxonte
Të shqetësonte zërat e heshtjes.

Niveli i katërt i komunikimit: Nuk ofrojmë asnjë informacion për veten tonë.
Në këtë nivel komunikimi, ne nuk shkelim larg nga “burgu i vetmisë sonë” në një komunikim real, sepse në fakt nuk zbulojmë thuajse asgjë nga vetvetja. Mbetemi  të kënaqur në pozicionin kur nuk i flasim tjetrit për veten tonë. Nuk ofrojmë asnjë informacion për veten tonë dhe nuk kërkojmë as nga tjetri gjë, por fshihemi pas copëza bisedash për të tjerët, thashethemeve.

Niveli i tretë i komunikimit: Zbuloj disa nga idetë dhe gjykimet e mia.
Në këtë nivel kemi një farë komunikimi të vetvetes, pak hapje të vetvetes tek të tjerët. Në këtë nivel, unë marr në sy rrezikun duke shfaqur disa ide që kam në kokë dhe zbuloj disa gjykime e vendime të miat. Por dua të jem i/e sigurt nëse ti do të më pranosh bashkë me idetë, gjykimet e vendimet e mia. Ndërkohë e mbaj veten në vetëcensurë. Ndërkohë që flas, të vëzhgoj me vëmendje. Po qe se do të ngresh vetullat ose picërrosh sytë, në qoftë se të hapet goja e vështron orën, tërhiqem në një territor më të sigurt, duke ndryshuar temën dhe, ç’është më e keqja, do filloj të them gjëra që mund të të pëlqejnë ty.
Ndoshta ndonjë ditë kur unë të kem zhvilluar sa duhet kurajon dhe intensitetin e dëshirës për t’u rritur si njeri, atëherë do të shkarkoj para teje gjithë çka kam në mëndje dhe në zemër. Ai do të jetë momenti i  të vërtetës sime.

Niveli i dytë i komunikimit: Zbuloj ndjenjat, emocionet e mia.
Ato çka na dallojnë qartë nga të tjerët, që e bëjnë komunikimin tonë unik, janë ndjenjat ose emocionet tona.
Idetë, gjykimet dhe vendimet e mia janë konvencionale. Nëse jam republikan ose demokrat nga bindjet, kam plot miq e shokë. Nëse jam pro ose kundër eksplorimit të hapësirës kozmike, përsëri do ketë njerëz që  do t’i mbështesin bindjet e mia. Por ndjenjat që shoqërojnë idetë, gjykimet e vendimet janë vetëm të mijat, ato janë unike. Askush nuk mund të mbështesë një parti politike, një bindje fetare ose i përkushtohet një kauze me të njëjtën ndjenjë, ethe apo apati. Askush nuk mund të përjetojë pasionin, zhgënjimin, tmerrin, frikën me sensibilitetin tim; askush s’mund të kundërshtojë një luftë të padrejtë me indinjatën time. Patriotizmi im dhe besnikëria ndaj një kauze janë pikërisht të miat. Mënyra si i përjetoj është origjinale e imja dhe e askujt tjetër. Që ta ilustroj këtë po vendos në kolonën e majtë një gjykim dhe në kolonën e djathtë reagimin tim – ndjenjat, që ka të ngjarë të shoqërojnë këtë gjykim. Kjo është e vërteta lakuriqe. Po qe se unë nuk jua shfaq këtë, do të thotë që akoma mbaj të fshehur identitetin tim.

Gjykimi: Unë mendoj se ti je inteligjent.

Disa  reagime emocionale të mundshme:
. . . dhe unë jam xheloz për këtë.

. . . nuk ndihem mirë  shpirtërisht(moralisht).

. . .  jam krenar që ti je shoku im.

. . . nuk ndihem rehat në praninë tënde.

. . . ndihem inferior.

. . . nxitem të të imitoj.

. . . më vjen të largohem prej teje.

. . . ndjej një dëshirë të brendshme për të të poshtëruar.

Shumë prej nesh nuk do ta toleronin këtë lloj ndershmërie në komunikim, këtë lloj sinqeriteti. Më mirë do të mbronim pandershmërinë tonë (me pretekstin se do ta lëndonim tjetrin) duke vendosur kështu një marrëdhënie të sipërfaqshme. Kjo ndodh jo vetëm në njohjet e rastit, por madje edhe në mes anëtarëve të një familje. Kjo shkatërron bashkimin autentik martesor.
Si pasojë, në vetveten tonë nuk “rritemi” si njerëz dhe nuk ndihmojmë as të tjerët “të rriten”. Ndërkohë na duhet të jetojmë duke shtypur emocionet tona – një rrugë kjo e rrezikshme dhe vetëshkatërruese. Çdo marrëdhënie e vërtetë duhet të bazohet në komunikim të hapur e të ndershëm ose alternativa tjetër është që të vdesësh pak nga pak si njeri në vetizolimin tënd vullnetar.

Niveli i parë i komunikimit i quajtur “Komunikimi pik” (ose “Piku i komunikimit”)
Të gjitha miqësitë e vërteta autentike dhe veçanërisht bashkimi i atyre që janë martuar bazohet në ndershmërinë dhe hapjen absolute. Në qoftë se niveli i dytë i komunikimit, nivel i mirë nuk është dhe aq i lehtë, për këtë lloj niveli që po flasim “komunikimi pik” është i nevojshëm. Midis shokëve të ngushtë apo partnerëve në martesë, komunikimi personal emocional duhet të vijë i plotë. Në gjatësinë e jetës kjo nuk mund të ndodhë çdo minutë, por ka momente kur lidhja reciproke në mes palëve duhet të jetë perfekte. Në këtë kohë, të dy personat duhet të provojnë të njëjtën ndjejnë.
Unë e di që reagimi im është kapur nga miku im plotësisht. Lumturia ose dëshpërimi im është dublikuar tek ai. Ne jemi si dy instrumente muzikore që luajmë të njëjtën notë dhe përcjellim të njëjtin tingull. Ky është çfarë ne e quajmë niveli i parë i komunikimit ose “komunikimi pik”.
(Nga libri “Pse druaj t’ju them se kush jam”)

Përktheu: Albana M. Lifschin

error: Content is protected !!