fbpx Press "Enter" to skip to content

Xhemail MUSTAFA: Absurdi i parodizuar te “Banketi i hijeve”

Romanin “Banketi i hijeve”, Zija Çela e ka ndërtuar mbi parimet e parodisë letrare dhe nëpërmjet parodizimit ai projekton dhe artikulon një degradim moral me përmasa të frikshme. Këtij prosedeu letrar, autori i nënshtron edhe realizmin magjik të theksuar, edhe kultin e ringjalljes ciklike. Dhe janë pikërisht këta dy konstituentë letrarë që e përcaktojnë zhvillimin dinamik të romanit, intrigën e udhëhequr me shumë mjeshtri e me shumë të papritura dhe vetë vlerat e tij artistike. Parimi i njohur ontologjik se letërsia është një iluzion i bukur, i besueshëm dhe i vetëmjaftueshëm, në këtë roman e gjen riafirmimin e vet të plotë dhe të fuqishëm. Ai është ndërtuar si një konstruksion letrar i artikuluar bukur, me kuptime artistikisht të motivuara e dinamike, me një potencë të veçantë për ndikimin estetik. Interpretimin e këtyre kuptimeve dhe të kësaj potence artistike, racionalizimin e mesazheve dhe sinjaleve të këtij romani, e bën të vështirë pikërisht kjo dinamikë dhe refleksionet e saj të shumta kuptimore. Por kujtojmë se çelësin e këtij interpretimi dhe të këtyre racionalizimeve kuptimore e semantike duhet ta kërkojmë te metafora “Banketi i hijeve”, të cilin autori e nxjerr titull të romanit. Kjo metaforë bëhet ideologemë qendrore dhe ajo mbështetet kuptimisht mbi orgjitë banalisht absurde dhe mbi cilësimin si hije të njerëzve që i bëjnë ato dhe që ndërkohë shndërrohen natyrshëm në heronj e në antiheronj tragjikomikë të tyre. Kuptimet e saj dinamike metaforizojnë një ambient dhe një kontekst shoqëror me një mentalitet çuditërisht të reduktuar e të degraduar. Aty në shenjë hakmarrjeje provohet inskenimi i incestit midis nënës e djalit dhe nëpërmjet këtij konstruksioni rrënohet tragjikisht një dashuri e natyrshme dhe merr të drejtën e qytetarisë një deformim i skajshëm moral. Shkrimtari këtu sugjeron, artikulon dhe parodizon një hapësirë jetësore, një botë të izoluar e moralisht të përmbysur dhe pikërisht mbi këto aspekte ndërtohet tërësia e tij tematike e motivore. Brenda kësaj tërësie dhe nëpërmjet ritmit semantik të rrëfimit, siç do të thoshte Norton Frajti, shkrimtari shpalon idealin për një jetë më të mirë, vet temën e xhelozisë e të dashurisë, si aspekte të qenësishme të këtij ideali dhe si derivime të tij negative morale.
Gjithë ngjarja e romanit dhe pothuaj të gjitha veprimet dhe projektimet e personazheve marrin karakterin e një përfytyrimi moralisht apokaliptik për jetën dhe trajtat e ekzistencës. Banorët e Mamacit bëjnë një jetë midis reales dhe ireales, jetën e marrin për farsë e për shaka, besojnë në magji e besëtytni. Aty është lezet të rrosh, por është edhe më lezet të vdesësh, gjëmat e drekat i bëjnë të mira, kurse prirja për vetërrënim e vetëshkatërrim merret si e natyrshme. Ideal i jetës kolektive në një ambient të këtillë tragjikomik bëhet kungulli, ky simbol i naivitetit dhe papjekurisë, i rezonancës banale dhe i impotencës së skajshme morale dhe intelektuale. Pikërisht nëpërmjet këtij simboli dhe nëpërmjet metaforës “banketi i hijeve”, autori e parodizon fuqishëm këtë mentalitet. Ky parodizim përcakton vlerën e këtij romani dhe e bën atë krejtësisht të veçantë. Fakti se romani fillon me aktin e ringjalljes së Redonit, dëshmon gjakimin për jetën dhe dashurinë, gjakim ky që ballafaqohet me barrën e njohjes dhe të rinjohjes së ambientit, të njerëzve. Por ky gjakim, vet ideali i dashurisë ndaj nënës dhe ndaj femrës komprometohet rëndë nga rrethi, nga xhelozia e skajshme dhe prirja për intriga, për inskenime e konstruksione tragjike. Përballë aktit të ringjalljes autori vendos insistimin e Redonit që t’i kthehet sërish varrit, me barrën e rëndë të zhgënjimit, të ndjekjes dhe të herezisë morale për incestin e inskenuar. Ky insistim dhe veprim i tij, vetë përmbyllja e romanit me këtë zgjidhje artistike paraqesin aktin e protestës kundër rrethit moralisht të degraduar. Brenda hapësirës së këtij gjakimi dhe të kësaj proteste, midis këtyre dy akteve, që paraqesin fillimin dhe fundin e romanit zhvillohet një dramë e tërë e jetës dhe vdekjes, e njohjes dhe rinjohjes, e dashurisë dhe urrejtjes, e tragjikes dhe komikes, e ironisë dhe paroidizimit. Kulmi i kësaj drame i detyrohet klithjes së Redonit: “O zot, mamacianët po më martojnë vetë me time mëmë”. Kjo klithje shqipton vetëdijen për inskenimin fatal që i kishte kurdisur rrethi Redonit dhe prindërve të tij, Neptunit e Dardanës. Xheloz dhe hakmarrës, disa nga pjesëtarët e këtij rrethi e kishin bindur Neptunin dhe Dardanën se është pikërisht Redoni, ky Edip i rremë, që do ta mbysë të atin e do të martohet me të ëmën, do bëjë incestin. Ky konstruksion dhe truk tragjik është i mbështjellë me vellon e një vetëdije e të një besimi të theksuar mitik dhe këtu e gjen shkrimtari mbështetjen për një motivim të fuqishëm moral e psikologjik të veprimeve të personazheve të këtij romani. Viktima të këtij besimi e të kësaj vetëdije mitike dhe të këtij truku fatal, Neptuni, Dardana dhe Redoni bëhen shkaktarë për vdekjen e njëri-tjetrit. Zanafilla e këtij besimi mitik dhe të vetëkonstruksionit që ngrihet mbi këtë vetëdije, duhet kërkuar në legjendat, gojëdhënat dhe mitet që funksionojnë brenda këtij ambienti, mentalitetit të filozofisë jetësore të këtyre njerëzve. Ata e bëjnë jetën mes legjendave e gojëdhënave të vjetra e të reja, shpeshherë jepen tragjikisht pas topoive, si uji i gjallë, fati i mirë e zogu i jetës dhe, nëpërmjet tyre, romancieri krijon një realitet magjik jetësor.
Raportet midis personazheve dhe karaktereve të shumta të këtij romani dalin të motivuara dhe të kushtëzuara kuptimisht e funksionalisht me veprimet e njëri-tjetrit dhe situatat që krijojnë. Personazhet krijojnë një hapësirë të gjerë e dinamike veprimi. Këtë funksion letrar e kanë emrat antikë të personazheve, Neptrun e Dardanë, si dhe shenjat semantike Edip e Bingo, që shënjojnë dy kohë të largëta historikisht, por të njësuara natyrshëm në kohën subjektive e artistike brenda këtij romani. Por projektimi i Redonit si kryepersonazh mbetet i veçantë për faktin se ai kalon nëpër dramën e rëndë të ballafaqimit me realitetin e me tragjiken e vet, të vetëdijesimit dhe të refuzimit të atij realiteti jetësor e shoqëror. Këto paraqesin tri shkallë të njohjes dhe të rinjohjes, të mitizimit e të çmitizimit letrar, të dashurisë dhe të xhelozisë, si tema e motive qendrore të këtij romani. Njësoj si vdekja, këtu edhe vetë jeta dhe akti i ringjalljes paraqiten vetëm si pjesë të një rituali magjik e pikërisht si të këtilla, ato parodizohen e ironizohen në romanin “Banketi i hijeve” të Zija Çelës.

(Shkëputur nga libri “Mrekullia e shkrimit”)

error: Content is protected !!