fbpx Press "Enter" to skip to content

Petraq RISTO: Cikël poetik

Murtaja veçmas Shekspirit

 Shekspiri pikoi nga hija e kosës sime, nën hijen e kosës u rrit, për kosën shkroi
Unë ia fala fantazmat e tragjedive dhe me fantazmat mbretërit ndëshkoi.
Rrugëve të Londrës, unë Murtaja bubonike, teatrot i mbylla: “Glob”¹ – i pa gojë
Kortezhe të shkretë: karroca e patkonj, i vetmi regjistër muzike
Kambanat bien mbi qirinj lutës, që shkrihen hutuar famullive
Tingujt e tyre zvarriten si këmbë me vargonj. Murtaja do t’i pagojë!

“Hundëve mbani lëkurë portokalli e shpirt karafili – maska më e mirë!
Digjini këpucët e vjetra, të vjetrat rroba, orenditë…
Digjini bashkë me minjtë!”, thërret kasneci me shpirt
Lungat po çahen si shegë të kalbura në Silver Street².

Murtaja dhe lufta i barazon njerëzit, Frika bëhet oksigjen
Lotët thahen nga një erë shkretëtire dhe pyetjet përsëriten ajrit si refren.
Shikimet s’kanë kujtesë: herbariume sysh
Lofata hedh monedha gjethesh në Tamiz
Dhe zogjtë nuk cicërijnë; janë në krizë.
 
“Në hundë: lëkurë portokalli e shpirt karafili – maska më e mirë!
Brenda shtëpive digjni rozmarinë të thatë, dafinë e temjan!”…
Po s’pyet Kosa ime për aromat, flakët dhe tymrat e tyre
Kufomat e ideve si minjtë në kanale ngjajnë.
Teatrot i mbylla dhe “Glob”-in, natyrisht, mbylla edhe Shekspirin në shtëpi
Rrugëve të Londrës karroca njëqind fish dhe kuajt si njerëzit: në zi
Shekspiri brenda meje thith Kohë dhe Energji.
 
I mistershmi mister Shekspir, s’ju vura kryq të kuq në ballë të derës
Kur je i mbyllur në karantinë, dhemb ligji i rëndesës
Koha është lëvizje në hapësirë, por kur s‘lëviz – koha s’ecën
Lëvizjet e munguara i zgjove brenda Veprës
Kortezhe të shkretë: karroca e patkonj me ritëm funebër.

Tre fuçi baroti në Dhomën e Lordëve dhe te mbreti Xheims
Ethe dhe çibanë ka skeptri që kam prekur
Trupi i Londrës mbushur me shegë të kalbura mes mjegullës
Çibanë yjesh rrjedhin qelbë-dritë mbi lordët dhe mbi skeptër
Duan ta vrasin mbretin dhe lordët t’i vrasin patjetër…

Dielli lind si një i panjohur që kërkon të fshihet në Silver Street
Tre fuçi baroti në Dhomën e Lordëve dhe te mbreti Xheims
Digjini këpucët e vjetra, të vjetrat rroba, orenditë…
Digjini bashkë me minjtë!”, kasneci thërret me gjithë shpirt.

Nga hija e kosës sime Shekspiri pikoi, unë e lëviza në Rrugën e Argjendtë
Nën hijen e kosës “Makbethin” shkroi dhe “Mbreti Lir” nën kosë e mori jetën
E ç’pajë fitoi Shekspiri në Shën Olave, Pajë për njerëzimin qe çdo vepër.
Unë Murtaja krijova kod të ri, me kodin tim bota do shpëtojë
Unë, Murtaja, do t’i pagojë. “Glob” – i pa gojë.

“Goneril, je një lungë murtaje stampuar në gjakun tim të infektuar”
Merkutio thërret Kapuletë e Montanjë “në dy shtëpitë tuaja ka rënë një murtajë”
Në një rrëfanë dashurie Romeo e Zhuljeta bëjnë botën të qajë.
“Bëhu një murtajë planetare në ajrin e sëmurë…”
“E gjithë drita e infektuar e Jugut te ju që jeni turpi i Romës”³

Kortezhe të shkretë: karroca e patkonj me ritëm funebër rrugëve të Londrës.

Newark, janar – shkurt, 2021

 

Riciklim

Ka hyrë në modë riciklimi
Riciklohen ide, shishe pa mesazhe
Letra librash pa vlerë, kanaçe
Qeveri, politikanë, liderë.

Riciklohen dashuritë e vjetra
Luftërat e vjetra, stinët, ëndrrat, bunkerë…
Nuk riciklohet dehja me verë.

Riciklohen ata që rrinë në rresht si kokrrat në bishtajë
Askush s’guxon të qeshë, askush s’guxon të qajë
Mbledhur brenda trekëndëshit masonik:
bila bilardoje para fillimit të lojës
Me numra të ndryshëm mbi shpinë
Presin riciklimi të fillojë
Pa rënë në greminë.

Riciklohet heshtja para një krimi
Natyrisht dhe pjesëmarrësit në krim
Nuk riciklohen lotët pas gabimit
Dhe ata që fejohen me lirinë.

Newark, New Jersey, 31 janar, 2021

 

Brenda një flluske

Ju ka ndodhur ndonjëherë të gjendeni brenda një flluske
Për t’i shpëtuar përkohësisht gravitetit gjer në tavanin e një ëndrre
Të rrotulloheni në ajrin e dhomave i pakërcënuar nga askush
I paprekur nga zhurmat, nga aromat, nga joshjet
Brenda një flluske me liri të mbushur – flluskë boshe…?

Nëse po, patjetër e keni ndjerë dikë me gishtin tregues
Drejt një tullumbaceje feste, duke dashur ta shpojë flluskën
Pikërisht në çastin kur ju po preknit tavanin e ëndrrës
Atje ku zakonisht vendosen çengelët e varjes.
Ai gisht ka qeshur, ka brohoritur dhe ju me këmbët në dysheme
Jeni ndjerë dyfish i braktisur, refuzues ndaj flluskës së re…

Newark, New Jersey, 26 janar, 2021

Afsh

Ti ishe e gjitha afsh: kërcime xhindesh nën mënd-afsh
Unë veç një fjalë goje thashë, po ja që fjala paska afsh.
O turp, o turp, në djall v-afsh, po digjet djalli nën mënd-afsh
Më q-afsh, më q-afsh, e gjitha afsh, xhindosen xhindet nën mënd-afsh
Ti ishe e gjitha afsh dhe unë – llullë me hashash
Moj, e veshura mënd-afsh, në më p-afsh e mos më mb-afsh
O djalli, djalli nën mënd-afsh… veten vr-afsh!

Newark, 20 janar, 2021
 

Hurrikane

Boksier. I dënuar për vrasje të trefishtë.
Pas çerek shekulli – i pafajshëm.
Dezel Washington e luan në film,
Bob Dylan krijoi “Hurricane”.
Dhe unë ca vargje në dimrin plot trishtim.
Këtu ku dikur jetonte “Uragani”.

Është një baltë hidhërimi që vesh trupat e lodhur,
në varrin e përbashkët të zhgënjimit – një baltë hidhërimi.

Rubin Carter u gjykua nga një juri e bardhë…

Një dritë plagoset jo vetëm nga hija e vet,
por edhe nga një dritë me shkëlqim kujtimi.
Në qeli “ulur si Buda”∗: Rubini.

Faji është jetim jashtë derës, por nuk harron të trokasë,
kërkon të shfajësohet para së vërtetës.
Diçka të errët të godasë.
Rubin grushton në jastëkun e ringut si mbi fatin e vet.
Rubin i vërtetë.

Rubin u shfajësua nga një gjykatës i bardhë.

 Newark, 18 dhjetor, 2020

——

¹Teatri i Shekspirit
²“Rruga e argjendtë”, ku gjatë epidemive të murtajës banoi shumë kohë Shekspiri dhe ku u krijuan disa nga kryeveprat e tij.
³Në këtë strofë, vargjet kursive janë nga “Mbreti Lir”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Timoni nga Athina” dhe “Corolianus”.
Krahasim i Bob Dylan në këngën e tij “Hurricane”

(Shkëputur nga cikli i gjatë, botuar në print “Revista Letrare-Pranverë”, 2021)

https://www.amazon.com/Revista-letrare-Pranver%C3%AB-2021-Albanian/dp/9928324166/ref=sr_1_1?dchild=1&keywords=Revista+Letrare&qid=1621962116&sr=8-1

error: Content is protected !!