Press "Enter" to skip to content

Verë e pasur

476Shares

-I tregova doktorit! Djali mezi merr frymë! Ai më dha veç një recetë!
Vështrova djalin e verdhë në fytyrë, të ëmën e bukur dhe recetën e shurdhët: “Ventolin, dy herë në ditë”. Ia shpjegova Vlorës, nënës së Milotit katërvjeçar, se si përdorej dhe efektin e barit të përshkruar. Ajo dukej mosbesuese. Mjeku s’ia kishte pjerdhur shumë! Ora po shkonte dymbëdhjetë. Koha për pushimin e drekës.
Vlora ka veç atë djalë; burrin ia kanë kthyer në Kosovë, “punë letrash, bre”, thotë ajo. E ftova, nëse dëshironte, të hanim drekë bashkë. Ajo pa orën, u habit si kish fluturuar koha dhe ia kish behur dreka, e pranoi me kënaqësi. U ulëm te Graciano. Një italian i bukur, si ata të filmave, e porositëm spageti. Po, spageti, s’ka asgjë për të qeshur. Qebaba hahen te Muharremi.
Milotin e zuri gjumi në karrocë. Shëndetlig ai djalë.
-S’di, vallahi, kah po m’i vjen kjo ligshti! Babën e ka si kokrra e mollës e une si pe sheh!
Vlora është grua shumë e bukur. Tridhjetë vjeçe. Taka të larta e buzë të kuqe gjithë kohës. Xhinset moderne, të grisura pak gjunjëve, një bluzë të kuqe, që i varet pak në njërin sup, duke zbuluar një lëkurë të njomë e shpërthyese deri në fillimluginën mes gjinjve.
-Ti je njëfarë doktori! Kah po m’i vjen, pash zoten?
E kapërdiva atë “njëfarë doktori” bashkë me guzhmën e parë të “shpagetës”, siç i quante ajo, dhe, pasi rrëkëlleva një hurb verë, e pyeta:
-Në mënyrë natyrale e ke lindur Milotin?
-Po de, pse qysh ashtë artificiale?
-Me operacion cezarian…!
-Po vallahi, qashtu! Burri m’thojke t’jesh e ngushtë!
Qesha me sinqeritetin e saj më shumë sesa me gjuhën e këndshme dialektore që fliste. Më tregoi se si kishte lindur vetë në një klinikë në apartamentin e një shtëpie private në Gjakovë, në vitin 1991. “Ishte pastër boll”, thoshte, “po kurrkund me u krahasue me spitalet e Zvicrës”. S’po dija për çfarë të flisja. Gati u pendova që e ftova për drekë. Po më dukej kohë e humbur. Miloti flinte, Vlora copëtonte “shpagetat”, dy italianë pas nesh flisnin me zë të lartë.
-Po ti qysh ke le doktor? – më pyeti, duke më shkëputur nga ai çast i zorshëm.
M’u kujtua nëna. Edhe gjyshja.
-Vëllai i vogël ka lindur në spital. Me doktor grash! Po. Reparti i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë. Dr. Antoni. Fliste frëngjisht. Me pemët. Se njerëzit s’dinin frëngjisht.
Fillova kështu t’i tregoja Vlorës. I thashë se kisha lindur në fshat, që kishim filluar t’i thërrisnim kooperativë. Akoma s’na kishin poshtëruar aq shumë sa mos të na linin lesh mbi vesh. Gjyshi kishte dy lopë, njëzet dhi e disa dhjetëra pula e gjela oborrit. Gjyshja ishte në komandë. Gjyshi pinte duhan e shante gjelat, që ia nxirrnin gjumin nën hije. I këndonin në birë të veshit. Nëna shtatzënë. Dy lopët të mbarsura. Edhe dhitë ishin të përçitura, shumica barrse. Im atë punonte larg. Kthehej për ta lënë nënën shtatzënë. Ose edhe e ndihmonin. Nëna ishte grua e bukur. Në fshat kishte të rinj të zhuritur. Nejse. Atë mëngjes qershori, pasi bëri punët e fillimditës, befas nëna ndjeu dhimbje. U shtri në qylerin e saj, një dhomë e vogël e nuseve.
Vlora i kishte mbaruar “shpagetat”, të miat, përgjysmë, po ftoheshin. Graciano i hoqi: “S’të pëlqyen, doktor?”, më pyeti, por nuk e zgjati.
-Gjyshja ishte në ahur. Njëra prej lopëve po pillte. Gjyshja po e ndihmonte. Viçi doli shëndosh si molla e pas pak minutash filloi të ecte. Po ashtu edhe dy dhi. Njëra pas tjetrës. Njëra kishte lindur një, tjetra dy keca. Gjyshi e kishte ndjerë klithmën e nënës. I thirri gjyshes të linte kafshët e të kthehej te nusja. Gjyshi u mor me pjesën tjetër të lindjeve, në “pavijonin e obstetrikës së katit të parë”. Gjyshja e gjeti nënën shtrirë, duke bërtitur prej dhimbjeve. Mori shpejt një korit druri me ujë të ngrohtë. Shpërlau sa mundi duart dhe një palë gërshërë i njomi në raki. U kthye te nëna. Koka ime kishte filluar të dilte. Gjyshja afroi lugun e drunjtë me pak ujë të vaktë. Rrëshqita. Qava. Gjyshja më lau. Ma preu, ma lidhi kërthizën e më vuri në gji të nënës. Pastaj, gjyshja u mor me pastrimin e nënës. Kishte gjak, urinë, mut e plehra nga ato të ahurit, që gjyshja i kishte sjellë me llastikat e saj në odëzën e vogël.
-Ma gërdite, doktor! – tha Vlora. Unë qesha, i dhashë fund gotës e, kur po paguaja, i thashë:
-Ta tregova këtë histori, pasi më pyete se nga i vjen ligështimi Milotit. Ka lindur steril, nga një e prerë artificiale në lëkurë, është pritur nga infermiere e mjekë me duar të sterilizuara. E ke mbajtur me qumësht farmacie, e ke rritur pa e lënë të prekë një fije dhe, baltë apo kakë. Tash do t’i blesh “Ventolin” e “Symbicort” gjithë jetën.
-Vallai mirë e ke doktor! Ani, për çka me mbetë e ngushtë? E për kë, për atë burrë, që as letra s’kishte.
E putha Vlorën në faqe tri herë, siç është zakoni këtu, i preka faqen Milotit dhe u ktheva në punë. Më duhej të shisja “Ventolin” e “Symbicort” edhe për të tjerët.

Të tjera nga ky autor:

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.

476Shares