fbpx Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: “Melusina” – romani, që s’ka asgjë tjetër veç asaj që nevojitet

Imagjinoni për një moment sikur librin e zanafillës, zoti ta rrëfente në vetën e parë, me qëllimin për të treguar gjithë mundin e hequr për krijimin e universit, për krijimin e yjeve, dritës, planetëve, lumenjve, maleve, fushave e asaj gjëje që na rrethon çdo ditë e shpesh nuk dimë t’i japim përgjigje.
Të rrëfente përse zgjodhi Tokën për të ngjizur farën e jetës dhe jo, bie fjala, një planet tjetër. Përse zgjodhi Adamin si birin e parë e jo një person tjetër? Përse e shkatërroi Lilitën, kur edhe Eva më vonë do ta zhgënjente?
Pragmatikisht, historia do qe ajo që njohim, veçse e vëzhguar nga një këndvështrim tjetër, më e ulur me këmbë në tokë, më e sinqertë, ndoshta më pak e adhurueshme, por më e përtypshme për t’u pranuar. Kështu ne do shihnim se edhe një krijesë e plotfuqishme, që ka aftësinë të krijojë një botë nga hiçi, ka pasur dyshimet e veta për mënyrën si do ta krijonte atë; mbase është treguar edhe i ngathët që iu deshën gjashtë ditë për të krijuar, është treguar përtac që një ditë të javës e la pushim, ka treguar pasaktësi të vazhdueshme përderisa njeriu dhe shoqëria njerëzore kanë evoluar në shekuj e të tjera si këto zgavra interpretimesh, që vënë në lëvizje imagjinatën e njeriut, qoftë ky besimtar apo ateist.
Edhe një roman është një botë, që ka krijuesin e saj, një botë e trilluar që funksionon me ligjet e saj, të cilat nuk pinë ujë në botën reale.
Në romanin “Melusina”, krijuesi Balil Gjini na servir një botë të trilluar, të ngjizur nga dy elemente: gjuha (shenja) dhe lidhjet sintaksore (përpjekja e gjithçkashprehjes), që burojnë nga guximi për të krijuar diçka të pangjashme, sidomos me ato botë të trilluara, që japin e marrin nga njëra-tjetra.
Kjo botë plot me zgavra trazon gjendjen e çdo eksploruesi të saj, sepse udhëhiqet nga ligjet e veta dhe ngre pyetje të tjera, të cilat nuk është se e vënë në diskutim besueshmërinë e kësaj bote, por, përkundrazi, janë graviteti që garanton qëndrueshmërinë e saj, dhe ngrenë pikëpyetje në botën tonë të njëmendësisë, duke e destabilizuar qenien tonë.
Përmes lidhjeve sintaksore, që kanë më së pari kushte ekzistence gramatikore, e masandaj kuptimore, Balil Gjini krijon mijëra lidhje semantike, semiotike dhe pragmatike eksperimentale, (të eksperimentosh, do të thotë të kuptosh të vërtetën dhe të dalësh në përfundime), ku përmes tyre, herë provokon ndjeshmërinë e lexuesit, herë provokon tabutë dhe moralin, herë besimin, herë kontratën e martesës e herë gjithë pasinqeritetin e shoqërisë njerëzore. Rrëfimtari nuk ka asnjë histori për të rrëfyer, (madje edhe ajo që rrëfen si personazh, e shndërron edhe krijuesin në një vëzhgues) është një deduktim rastesh, që prodhojnë situata, ndjesi, kujtime, të cilat, në embrionin e tyre, fshehin një mendim, që edhe në mos qentë i madh, i rëndësishëm dhe i gjithëpranueshëm, ia arrin qëllimit që të provokojë në mendjen e lexuesit dhjetëra mendime të tjera. Kështu, romani i Balil Gjinit e zbaton në mënyrë perfekte inekuacionin e botës romanore, ku mendimet individuale të brendshme e të pavëzhgueshme derivojnë si mendime individuale të jashtme, lehtësisht të vëzhgueshme përmes tonit të rrëfyesit, i cila as e ka haberin dhe as do t’ia dijë se ekziston një publik i jashtëm, që po e vëzhgon rrëfimin e tij.
Bota e “Melusinës” është më e begata në dukje për të prodhuar një roman, por jo më e lehta për krijuesit. Melusina është simbol i një toke “shterpë”, ku nuk mbin asgjë, i një gruaje shterpë, një magjistrice që pjell një filiz lisi e që e merr me vete t’i bëjë hije mbi varr. Gjithçka tjetër që mbetet pas, është një përrua psikik, i harlisur në forma, që merr çka gjen përpara në kokën e rrëfyesit. Dhe kjo është ajo që i duhet një romani, forma si shprehja e vetme e artit, mbasi kuptimi është një koncept i lashtë, që vjen nga asgjëja, qëndron te ne dhe largohet sërish, ndërsa ajo që qëndron është kombinimi i formave dhe sidomos i imazheve, që na japin efektin e risisë.
Vetëm gjatë procesit të pavetëdijes, gjendja jonë është e stabilizuar. Të kundërtën prodhon procesi i të menduarit; gjendja jonë destabilizohet. Mbi këtë parim, Balil Gjini, në botën e tij të trilluar, huan mite për t’i çmitizuar, huan klishe për t’i shkatërruar, huan të vërteta të rreme historike për t’i shndërruar në spekulime të vërteta.
“Melusina” është një vepër e vërtetë arti; ekzistenca e këtij romani është më së pari formë dhe ekzistenca si formë s’ka asgjë tjetër veç asaj që nevojitet. Dhe leximi i tij është përvoja më e epërme që mund t’i ndodhë një lexuesi. Të zhytesh në një botë të tillë nuk është e lehtë; është nga ato raste kur gjithë përvoja si lexues mund të mos të të mjaftojë. E them me bindje se, jo vetëm që kemi të bëjmë me një nga romanet më të rëndësishme të historisë së Letërsisë Shqipe, por një vepër monumentale, që do zinte një vend të merituar në këdo letërsi bashkëkohore të qe shkruar.

error: Content is protected !!