Njëzetë e gjashtë sekonda nga hëna e një gruaje
Shtratit fluturova
Pa i kërkuar vetes veçse
të ma mbante të freskët atë ç’ka më përvëlonte,
kur jashtë dielli flakëronte,
Vesha të njëjtin fustan me pika blu
dhe sandalet e bardha;
pa asnjë ndryshim
nga takimi ynë, atje, përtej, diku.
Me kapësen blu mblodha flokët topuz të çrregullt,
hodha krahut çantën transparente
sprucova të njëjtin parfum,
atë që t’i përkëdhele.
S’kemi as orar, as vend takimi,
kam veç dëshirën të vrapoj drejt teje.
Trupi m’u përflak e zemra rrahu,
jo nga nxitimi,
por prej ankthit,
dëshirës,
padurimit që vlonte në deje.
Qëllimisht nuk bëra dush, nuk hëngra as mëngjes,
i vetmi makijazh mbi fytyrë,
i kuqi si gjaku, që më ziente brenda nga malli,
e etur ta fshije me buzët e tua dashnipërflakur.
Ti nuk më pret, e unë të kërkoj gjithkund,
qyteti nuk më është dukur ndonjëherë kaq i çuditshëm.
Hapat shkelin me trok padurimi,
flladi i mëngjesit më shpupuris mendimet,
si një turbinë që nuk gjen çelës paqtimi.
Njerëzve ua fsheha buzëqeshjen nën maskën e bardhë,
por jo dëshirën e syve tek picërronin udhëve,
ku më shumë kish gjethe të verdha se kalimtarë.
Nuk di në vallëzoja apo fluturoja,
të kërkoja nën maska të panjohura.
Trupi ndiente mungesën,
dëshirën e një përqafimi,
shtrëngimi,
të puthjes, që më zgjoi agut.
Kjo ditë më rrëmbeu,
me dëshirën të shiheshim sy ndër sy,
ndoshta ti do ta kuptoje se vjen nga ëndrra e një nate,
ndaj s’mund të ndeshemi
ti me mua e unë me ty…
Të kërkova ditës tek shijoja parfumin
e përqafimit tonë të një hëne më parë,
njëzet e gjashtë sekondat e ëndrrës sime,
mbetën shkrifur në shtratin e çarçafëve të bardhë…
Drejt gjysmë shekullit
Ëndërrimesh
sa shpesh
më shfaqet
shtëpia
ku linda
e quajtur
mëmëvatër…
Shpirti
në heshtje
vlon
nën drithërima.
Vitet shkojnë
ndiej
tek rinohem
prag gjysmë shekullit,
unë vetë
fëmija…
Buzët
Ato mbeten buzët
më enigmatike,
më ndjellëse,
më të dëshiruara,
sa herë i ëndërroja,
trupi drithërohej
e përshkohej nga llava e tyre…
ndieja që përvëloja i gjithi
nga ky kurth,
ku vetëm zgjimi
bëhej aleati im…
E dëshiroja aq shumë
sa i lutesha të largohej,
të më braktiste,
të më harronte…
të më linte skllavin e saj
të përjetshëm,
të vdekur ndër të gjallë…
Vështrimi i saj qeshte,
lazdronte,
e unë kuptoja
se sa më larg
përpiqej të shkonte,
aq më shumë më marronte.
E dëshiroja
e mallkoja
veten e brishtë…
Sikur
statuja
të mos ish gur…
(Shkëputur nga Revista Letrare-Pranverë, në print)
Të tjera nga ky autor:
- “Don Kishoti i Mançes”, një vepër e mallkuar?
- Mimoza KUCHLY: Magjia e bukës
- Mimoza KUCHLY: Përsiatje mbi librin “Dëfrim heshtnaje” të Valentina Saraçinit
- Sully PRUDHOMME: Poezi
- Intervistë me Albert Kohen
- Kujtimet e Jozef Leopold Hygo për lindjen e të birit, Viktorit
- Mimoza KUCHLY: Reflektime mbi romanin “Kryqi i harresës”, së autores Flutura Açka
- Letra dashurie: Letërkëmbimet e para të Victor Hugo me Juliette Drouet
- Mimoza KUCHLY: Ai, baleti dhe unë
- Mimoza Kuchly: Balerina pariziane
- Letra e fundit erotike e Bonapartit për Jozefinën
- Letërkëmbimi i dashurisë së George Sand dhe Alfred de Musset
- Mimoza Kuchly: Copëza poetike