Press "Enter" to skip to content

George Nina ELIAN: Cikël poetik

George Nina ELIAN (Costel Drejoi) ka lindur më 13 nëntor 1964, në Slatina. Është poet, përkthyes, gazetar. Është autor i vëllimeve: “Drita si vetmi”, poezi, 2013; “Vjeshta, kur vjen fundi i botës”, poezi, 2014; “Jo përmes jetës, por përmes vdekjes kam kaluar”, pesë dëshmitë nga burgjet komuniste, 2016; “Bora u kthye në qiell”, poezi, 2016; “Lumturia në afërsi të vdekjes”, poezi, 2018.

TË FTOHTË DHE TË PASTËR
në buzë të realitetit
gjithmonë bie borë;
është përherë e bardhë,
përherë e ftohtë.
E ftohtë dhe e pastër
vetëm se
nuk mund të jetohet:
në buzë të realitetit
gjithçka
është e përsosur…

FAQE DITARI
drita
kalonte anasjelltas
përmes kohës

realiteti
pikonte
i ngadaltë
brenda retinës
së një njeriu buzë vdekjes

diku, njësoj me
një parandjenjë,
fytyra jote
duke joshur shirat
mbi fushën
e cila do të jem.

AUTOPORTRET
Shikomë:
një fytyrë
pa mendime
dhe e bardhë
si amnezi.

KUJTIM
nata po binte mbi ne
e rëndë
si shpirti i një vetëvrasësi.

ANALOGJI
gjumi i tregonte ëndrrës për mua
unë isha vetëm një cipë prej një lloj lëngu
që rridhte përsëri në tokë
dhe nuk gjeja asgjë në udhë,
madje asnjë rrënjë të zbehtë të një peme apo bime
vetëm një sy tepër i vogël më përthithte
ashtu si lutja e fundit
e përthith njeriun në agoni.

DUKE DËGJUAR ERËN
askush nuk i përgjigjet më asnjë pyetjeje
që tani e tutje
qielli nën të cilin ishe mësuar të presësh
vetëm do rrisë heshtjen para fundit
që tani e tutje
do të rrëshqasësh në të bardhë
pa asnjë gjest
duke dëgjuar erën
ose çfarë të ka mbetur nga fjalët e tua

DIÇKA
diçka që as nuk duhet të paktën ta kuptosh:
gjaku rrjedh
gjithmonë diku tjetër – e pavendosur
vija e demarkacionit
midis britmave
dhe hijes
(kështu vjen vdekja: si një model
që shtrohet
i ngrohtë dhe i butë,
mbi linjat e fytyrës tënde)
… dhe bota nis përsëri.

GJENDJE
i lumtur
si njeriu
që nuk ka asgjë për të humbur –
ti…
…dhe dita
si histori
e harresës…
e barabartë vetëm me vetveten
koha kalon
urën e asgjësë

ÇAJ I GJELBËR NË MES TË NATËS
aq shumë të dua sa
kur të përkëdhel
trupi yt kthehet në dy duar
që ledhatojnë duart e mia
si një trup i ndarë më dysh

IN ILLO TEMPORE
trupat tanë, njëri pas tjetrit, marrin hua
modelin e duarve dhe buzëve tona
si rëra formën e orës me rërë
si uji formën e shtratit të lumit
si syri formën e qepallës
si goja formën e puthjes
si thembra formën e rrugës
nga jeta deri në vdekje
dhe mbrapa
atëherë
kur…

FOTOGRAFI E PËRJETSHME
ata duheshin
ishin të bardhë
të heshtur
të gjallë
si dëborërat
duke rënë
ishin.

PIKA-PIKA…
bora po binte gjithnjë e më pak:
pika-pika… pika-pika…
kishte kaq shumë njerëz sa
secili ngatërrohej me të tjerët
(vetëm vetmia u përkiste atyre me të vërtetë
dhe u kujtonte se janë)
kalonin përmes njëri-tjetrit me lehtësinë
me të cilën lan duart
krimi ishte i secilit

EVENING STORY
nëse do më pyesësh çfarë kam bërë sonte,
do të përgjigjem: po, e dashura ime, kam
bredhur nëpër qytet shkujdesur, si gati
dyzet vjet më parë, kur u largova
për herë të parë nga shtëpia dhe u
rrojta (edhe kjo për herë të parë) në një
dhomë në katin e dytë të hotelit
“Tranzit” (çfarë emri i paracaktuar!). Isha
gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe isha njeriu më i pasur në
botë, sepse, përveç atyre gjashtëmbëdhjetë viteve, nuk
më kishte mbetur asgjë: vetëm pavdekësia.

Përktheu Oana Glasu

(Shkëputur nga Revista Letrare-Pranverë, në print)

https://www.amazon.com/Revista-letrare-Pranver%C3%AB-2021-Albanian/dp/9928324166/ref=sr_1_1?dchild=1&keywords=Revista+Letrare&qid=1621962116&sr=8-1

 

Të tjera nga ky autor: