fbpx Press "Enter" to skip to content

Kristian FLESHE: Dorashka

Na ishte njëherë… diku në mes kodrinave e pyjeve, një dorashkë e vogël. Duke shëtitur, takohej me pantallona, çorape, këmisha, triko e madje edhe me të brendshme. Duke ia shtrënguar dikujt dorën, dikujt mëngën, kjo bandë e vogël gazmore përshëndetej me shumë ngrohtësi. Në këto vise, secila prej tyre ndjehej fort e kënaqur me fatin e vet, edhe pse herë-herë përballeshin me vështirësitë e pashmangshme të jetës. Merret me mend se në ditët me shi, fëshfëshja ishte e vetmja që kishte mundësi të dilte shëtitje, por duhet thënë se kur digjte dielli, ajo s’ndjehej edhe aq mirë. Dorashka e vogël, shumë elegante, gjithsesi qe e prekur prej një të keqeje të çuditshme, të kobshme. Vuante prej një ndjeshmërie tepër të madhe, që shpesh e trishtonte pa masë. Nuk duronte dot të shihte as edhe një të grisur te pantallonat: kjo e shqyente shpirtin e saj. Nëse shihte një komçë mangët te këmisha, dorezës i dukej sikur ia kishin hequr një gjymtyrë. Një njollë mbi bluzë? E përjetonte sikur vetë ajo të ishte krejt e ndotur; po të shihte një fije peri të këputur në një triko leshi, rrënohej plotësisht, i dukej vetja pa kurrfarë vlere. Vuante shumë prej plagëve apo shqetësimeve të miqve që donte. Por po njëlloj ndihej edhe po t’u ndodhnin krejt të panjohurve. Megjithatë, kjo është vetëm pjesa e vogël e së keqes. Kjo dorashkë fatkeqe kishte gjithmonë nevojë që dikush ta admironte, ta përkëdhelte, t’ia njihnin vlerat, cilësitë, ato të vërtetat, por edhe ato të fjeturat. Nëse kalonin njëzetë e katër orë pa u kryqëzuar me një shikim të dashur, asaj i dhimbte shpirti, ndjehej e mbytur. Të dëgjonte një fjalë, të ndeshte një shikim, të përjetonte një pëlqim, qe shqetësimi i saj i përditshëm.
Një ditë, tek po ecte mbi një urë, një erë e fortë e papritur e hodhi në përrua. U mbyll menjëherë që uji t’mos i hynte brenda e të mos mbytej. I përdori me shkathtësi gishtat e duke notuar ia arriti të dilte në breg. U ngjit mbi një rrasë të gurtë e po thahej në diell. Me gjithë përpjekjet që kishte bërë, uji i kishte hyrë edhe brenda. Vendosi të kthehej mbrapsht, pra ta nxirrte lëkurën e brendshme përjashta e të thahej. E, befas i ndodhi mrekullia! Ishte hera e parë qysh nga dita kur qe endur e kishte dalë nga uzina e tezgjahut, që vërejti se në fakt kishte qenë e kthyer mbrapsht gjithë kohës. Brendësia e saj kishte qenë përjashta. Pikërisht prej kësaj i vuante aq shumë hallet e të tjerëve. Pasi në të vërtetë, çfarë ndodh jashtë nesh, ne mundohemi ta lëmë përjashta. Ajo kishte bërë të kundërtën. Të gjitha ato që i përjetonte së brendshmi, identitetin, vlerat, ndërgjegjen, dorashka e vogël i kishte nxjerrë përjashta, në sy të të gjithë botës. Por, që nga ai çast, dorashka e bukur e kuptoi se kjo duhej të merrte fund. Çfarë është e brendshme duhet të mbetet aty, gjërat e jashtme le të mbeteshin atje. Që nga ajo ditë, dorashka shpirtmirë ishte sërish e ndjeshme për shqetësimet e të tjerëve, por nuk sfilitej, i vlerësonte pa masë komplimentet e tjerëve, por s’jetonte në varësi të tyre. Ju mund t’ju ndodhë të ndjeni prekjen e saj ndonjëherë supeve ose ta shihni duke u argalisur nga një kodrinë tek tjetra. Prej lajmeve të fundit kemi mësuar se dorashka jonë ka gjetur edhe dashurinë dhe së bashku, me dhjetë gishta, po mësojnë t’i bien pianos…

∗∗∗

Kristian Fleshe (Christian Flèche) është psiko-bio-teraupet, një tendencë bashkëkohore e shpjegimit të sëmundjeve përmes deshifrimit biologjik! Teksti i sjellë këtu, është një metaforë, një përrallë…

Përshtati nga frëngjishtja Arbër Ahmetaj

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!