Press "Enter" to skip to content

Letra e fundit erotike e Bonapartit për Jozefinën

Napoleon Bonaparti (1769-1821) e shkroi këtë letër kur ishte dhëndër i ri, në vitin e parë të martesës. Më 9 mars 1796, ai u martua me Jozefinën e Beauharnais (1763-1814), një vejushë e mrekullueshme kreole, profesioniste në dashuri.
Muaji i mjaltit ishte tepër i shkurtër. Më 20 mars, Bonaparti u emërua nga Barras – i dashuri i Jozefinës – në krye të ushtrisë në Itali. Shumë shpejt, ai kuptoi ndjenjat e bashkëshortes së tij për kapitenin Hippolyte Charles. Ajo shkonte gjithmonë nëpër festa dhe nuk gjente pak kohë t’i shkruante. Bonaparti i vë në dukje “mospërfilljen dhe ftohtësinë si mermeri, që ish kthyer në monotoni” (17 tetor 1796).
Kjo “e ëmbla e pakrahasueshme”, Jozefina e tij “e adhuruar”, “Mio dolce amor”, bën atmosferën dhe është për të një subjekt konstant torturues.

•••

21 nëntor 1796
Po shkoj të fle, vogëlushja ime Jozefinë, me zemrën mbushur me imazhin tënd dhe tepër i trishtuar që jam kaq larg teje; por shpresoj që pas pak ditësh të jem më i lumtur e të mundem të të shfaq dashurinë time të fortë, që më ka frymëzuar këto kohë.
Ti nuk më shkruan më, nuk e mendon më mikun tënd të mirë; grua e pashpirt! Vallë nuk e di se pa ty, pa zemrën tënde, pa dashurinë tënde, nuk ka më mirësi për bashkëshortin tënd, as jetë?! Oh Zot! Oh sa i lumtur do të ndihesha sikur të isha pranë teje në kohën kur ti bën banjën; shpatullat e tua të vogla, gjokset e vogla e bardhoshe, elastike e të forta dhe, mbi të gjitha, parajsa e vogël me shaminë kreole, që dua ta kafshoj; ti e di shumë mirë që nuk i harroj vizitat e shkurtra aty brenda; të kujtohen mirë…
Parajsën tënde e puth mijëra herë dhe pres me padurim momentin kur të ndodhem pranë e ta vizitoj.
I gjithi i yti, jeta ime, mirësia ime; kënaqësia ime është ajo çka ti më bën të ndiej.
Të jetosh brenda një Jozefine është si të jetosh në Champs Elysée.
Puthje buzëve të tua, syve, shpatullave, kraharorit, ngado, ngado!

•••
Kjo është letra e fundit që i shkroi Jozefinës me këtë frymë. Bonaparti vdiq më 5 maj 1821.

Shqipëroi Mimoza KUCHLY

Të tjera nga ky autor: