Press "Enter" to skip to content

Luerda AVDIAJ: Poezi

Kler, sërish ty…

Po mundohem t’i mbledh
gjithë këto që le,
zor qenka t’ia dalësh,
me dy duar të të mbështjellësh.
Kam një jetë që përpiqem, Kler
dhe nuk ia kam dal akoma,
më merret fryma sapo të prek,
në një fjongo a në bluzë,
e prapë të lë aty, ku me vite fle.
A e kupton ç’ke bërë?
Ke lënë gjithë ç’ke pasur
e jetën time ke marrë…
Ke harruar?
Kujtohu, Kler!
Dhe eja, zambaku yt i bardhë të çelë,
eja të frymojnë gjithë ç’ke këtu,
eja që edhe mua t’më nisin rrahjet,
eja Kler, të pres,
me dy duar nuk mund të të mbështjell…

Jorindës

U bë shtator, Jorindë,
nisën të trishtohen shpirtrat,
mungesa gjithandej,
mungon këtë fillimvjeshte edhe ti;
Ka kohë që s’frymon përreth,
qëkur nuk shkëmbehet më ditari dypjesësh…
Sa më dhemb koha…!
E di?
Më zbrazet shpirti në letër,
si dikur, drejtuar ty,
e ti guxoje të shkruaje pas meje pambarim.
Më vishen këpucët tani,
për një shëtitje me ty buzëdetit,
mbi gjethet e rëna rrugëve të qytetit.
E ashtu përmallshëm,
te “Studio 54” kafe të pimë.
Më vihet tek ty, Jorindë,
tani ndihem e vjeshtë, mike.
Hej,
a shkojmë vrap te Ne,
këtë vjeshtë?

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!