“Vdekja që vazhdon përtej dashurisë“ titullohet një nga tregimet e autorit kolumbian Gabriel Garcia Markez, titull që mund ta mbante edhe romani i Tom Kukës, nëse nuk do titullohej “Ora e ligë”. Dikush mund të më “tërheqë veshin” dhe të më thotë se historia e Kukës është “një dashuri që vazhdon përtej vdekjes” dhe jo “një vdekje që vazhdon përtej dashurisë”, mirëpo unë do përpiqem t’i dal zot argumentit tim, përmes shenjave dalluese të historisë së rrëfyer nga Tom Kuka.
Një shoqëri thellësisht tradicionale, siç është ajo që paraqitet në roman, është e dominuar nga dogma. Pikërisht, është kjo dogmë që vendos etalonin e së vërtetës dhe krijon ligjësitë, që rafinohen nga koha e më pas nuk mund të shkelen, edhe në qoftë se quhesh Sali Kamati.
Njeriu nuk ka forcë.
Nuk ka rëndësi nëse je be apo pasha, fshatar i varfër apo i mesëm; e rëndësishme është t’u bindesh këtyre ligjësive së brendshmi, pa i përpunuar racionalisht, ose të përballesh i vetëm për të krijuar një standard të ri, që, si rast i izoluar, do tregohet gjithmonë me gisht.
Sali Kamati e gjeti dashurinë në buzë të varrit, ashtu si senatori Onesimo Sançez te tregimi i Markezit, vetëm me dallimin e madh se, nëse Onesimo vdiq i turpëruar nga opinioni, por pa çarë kryet, (sepse fundja nuk ishte pjesë e asaj shoqërie ku mëkatoi) por me dëshirën e marrë që të vdiste së bashku me të dashurën e vet, Sali Kamati vdiq i turpëruar, me dëshirën për ta “pshurrur” emrin dhe farën e vet. Dhe Tom Kuka, ky rapsod i kujdesshëm, nuk i lë as këngë Sali Kamatit, që do shënjonte burrërinë e tij. Poshtërsia e tij është e madhe, për kodin e nderit të kësaj shoqërie dhe askush nuk mund ta kapërdijë atë.
Pas vdekjes së Çelo Mezanit, duket sikur linja e romanit do të shtrihet në një retrospektivë, në një meditim të thellë të personazhit kryesor, mbi hollësitë e një vrasjeje, mbi të cilën u ngrit dhe një këngë, që i fali të vrarit lavdinë.
Mirëpo, shpejt lexuesi e kupton se në një shoqëri dogmatike, iracionale, vrasja e tjetrit shënjon njëkohësisht edhe vrasjen tënde. Gjaku është i shtrenjtë dhe askush nuk e fal atë.
Të gjithë e dinë se Sali Kamatit nuk i ka mbetur kohë për të jetuar. E di Dirja, e shoqja, e di Sabri Qehjai, e di Qani Vuvi, e dinë miq, farë e fis, e di edhe Sali Kamati vetë, deri ditën që do vijë Tusha, mbesa e gruas, në shtëpi. Sali Kamatin e zë dalldia e dashurisë, çmeritet dhe i lind dëshira për të jetuar si kurrë më parë. Përmes një galerie personazhesh mistikë, me karaktere nga më të çuditshmit, plot kolorit dhe përmes një lirizmi psikologjik pa fre, rrëfehet një ngjarje e pabesueshme, e humbur në kohë.
Shpirtin do jepte Sali Kamati të kishte edhe ai një këngë, mirëpo “i pamëshirshëm” tregohet Tom Kuka, që, përmes trillit të tij letrar, e qëllon përmes pisqollës së Avdylit me një mori plumbash, duke e vrarë së bashku me emrin, njëherazi me këngën e ëndërruar, por duke na falur neve si lexues një roman. Romanin tragjik të Sali Kamatit.
Është hera e dytë që e lexoj “Orën e ligë” të Tom Kukës. Që herën e parë jam befasuar për mirë nga kompozicioni i romanit, vëzhgimi i fragmentuar përmes kapitujve, tepër konciz, pa e tepruar masën dhe pa e sfilitur lexuesin në kapituj që ngjajnë me djerrishte, ku nuk mbin asgjë. E vetmja rezervë që kam pasur herën e parë pas leximit, ka qenë bindja se stili i gjuhës së përdorur është tepër arkaik, i shkuar në kohë, më tepër një regjistër sesa një stil dhe derisa gjuha është e destinuar të zhvillohet përmes letërsisë kam menduar se kjo mënyrë rrëfimi nuk ka qenë e duhura. Ndoshta kam gabuar në një gjë, që ia kam atribuuar hakun e këtij romani Enkel Demit, kur, në fakt, ai që na e rrëfen historinë është një farë malësori hokatar, i quajtur Tom Kuka. Dhe një malësor nuk di ta rrëfejë ndryshe një histori, përpos se me një regjistër gjuhe plot ngjyra, ekzagjerim e humor, që nuk ngjan me atë të një shkrimtari të madh aristokrat, por që të mahnit njësoj në atë që rrëfen. Ndaj e përmenda edhe tregimin e Markezit, për të ndrequr gabimin tim, gjykimin e hershëm se tematika e trajtuar në roman nuk e kishte forcën universale të kapërcente kufijtë e letërsisë shqipe. Tani jam i bindur dhe përkthimi në gjuhën italiane e vërtetoi këtë: Tom Kuka mund ta rrëfejë historinë e tij në çdo gjuhë të botës, pa humbur asgjë nga magjia e tij.
Të tjera nga ky autor:
- Tom KUKA: Ora e ligë (kaptina e nëntë)
- “Flama” of Tom Kuka: The story of a city taken hostage by death, for a debt owed to the dead
- “Flama” e Tom Kukës – Historia e një qyteti të marrë peng nga vdekja, për një borxh që ua ka të vdekurve.
- Ne fjetëm aty
- Tregime inteligjente nga Ervin Nezha
- Ervin NEZHA: Frika nga autoriteti si anomali, që gjymton psikologjinë e individit
- Ervin NEZHA: Fati i individit në tranzicionin traumatik – 800 hapa larg Venerës!
- Ervin NEZHA: Ninulla
- Ervin NEZHA: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Ervin NEZHA: “Melusina” – romani, që s’ka asgjë tjetër veç asaj që nevojitet
- Ervin NEZHA: Persiatje mbi vëllimin poetik “Palcë dhe frymë”
- Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”
- Ervin NEZHA: “Fabula Rasa” – gjurma më e dallueshme e romanit “eksperimental” shqiptar
- Arbër Ahmetaj dhe Ervin Nezha mbi romanin “Valsi i një dasme fantazmë”