Press "Enter" to skip to content

Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”

Roman nga Tom Kuka (Enkel Demi), botimet “Pegi”, Tiranë 2019

“Ora e ligë” është një orë romanore, që rrjedh mes dy krismave. Në të parën, Sali Kamati vret Çelo Mezanin, në të dytën, Avdyli, i biri i Çelos, vret Sali Kamatin. Mes dy krimeve ose vrasjeve “për nder” shtrihet jeta e një lagjeje të shqiptarëve në një kohë të shkuar, por që për nga intensiteti i dramës dhe tragjizmi s’ndryshon shumë prej kësaj që jetojmë sot. Kjo kohështrirje e romanit duket se s’mjafton për të rrëfyer aq sa duhet apo aq sa për të shuar etjen e lexuesit; në fakt, për nga intensiteti i përjetimit, shpeshtësia e emocioneve të forta dhe numri i personazheve që të shënjojnë do të mbushte lehtë një roman me mbi 500 faqe. Autori  ka vendosur ndryshe: ia ka dalë që në 140 faqe roman të sjellë me një qëndisje stilistike, me një radhitje impresionuese të ngjarjeve, me aftësinë për të vizatuar me dy-tri fjalë karaktere të paharrueshme, të sjellë një roman shumë të mirë!
Shpejtësia me të cilën udhëton kënga (se andej e këndej atdheut u këndohet këngë vrasësve), fluturon tufa e zogjve të mortit, përcaktojnë edhe jetëgjatësinë e heroit. Personazhi nuk do ta pranojë. Ka marrë hak, “ti e lave cipën, por të erdhi radha”, i thotë e shoqja. Që nga çasti kur ka shkrepur armën ndaj tjetrit, ka firmosur me të njëjtën vendosmëri edhe vdekjen e vet. Këtë arrin ta kuptojë shpejt. Do të ishte e mërzitshme të vazhdohej leximi i romanit nëse personazhi do t’i dorëzohej dyshimeve, pikëpyetjeve, brejtjeve të ndërgjegjes, nëse do të çmendej nga frika apo nga pasioni për të vrarë gjithë botën. E vetmja brengë e personazhit, që autori ia vë në pah aty-këtu, është të kryejë një punë angarie, siç është mbarëvajtja e pronës. Për tjerat s’ka gjë në dorë. Nuk e ka në dorë as këngën, as kohën e rritjes së mbesës së gruas së vet, Tushës së bukur, as “dalldinë” pas saj, as sëmundjen e “leskrës”, as hiperbolizimin poetik të hijeshisë së botës rreth e rrotull, thua se kurrë më parë s’kishte vënë re aq shumë bukuri mbi dhe.
Sali Kamati kurdiset dy herë nga presioni i opinionit, si mekanizëm arkaik i rregullimit të jetës shoqërore: herën e parë dorëzohet – vret –, herën e dytë nuk jepet. Shoqëria do ta mbulojë me turp, ta shkurajojë nga ajo dalldi. Në këtë çast të romanit, Sali Kamati nga vrasës shndërrohet në hero, shndërrohet në personazh i bukur në shkrimin tonë. Ai hyn tashmë në një betejë të rrallë, ndaj edhe të vështirë për të ngadhënjyer, në luftën për të fituar të drejtën e shpirtit. Në këtë betejë, Sali Kamati i ka të gjithë kundra, në krye të herës edhe dyzimet e veta, pastaj me radhë nga gruaja, Dirja, (një personazh shumë i dashur, po aq fatkeq) e deri tek ata që formësojnë apo kodifikojnë rregullat e sjelljes shoqërore, të moshuarit apo autoritetet fetare, si: hoxha i Margëlliçit.
Në një shoqëri ku të vrasësh është nder, merret me mend lehtësisht se të dashurosh është krim. Në një çast reflektimi, Sali Kamati kupton se “e donte atë vashë dhe gjoksi iu mbush me afshin e asaj që i vlonte në zemër. E thoshte, s’e thoshte Libri (lexo: libri i shenjtë, Kurani), do të dilte e tija. …Në këtë jetë pati bërë vetëm atë që ua kishte patur ënda të tjerëve… Vuri në vend nderin e një vëllai, që nuk linte dy gurë bashkë, për të shpëtuar nipër, që po prisnin me gëzim t’i hidhnin përsipër rrasën e varrit…! Por ja që vjen një ditë dhe ai, i vdekuri i pakallur, që pret kosën e mortjes, sheh atë vajzë me flokë të derdhur e i mbushet mendja top që do të jetojë. Nuk do të vjedhë ditë, por ato që i kanë mbetur, t’i shkojë si njeri”. Pikërisht për këtë e gjykojnë, nuk ua do nderi këtë turp. “Në të s’ëmës nderi juaj!”. Ky motivim i brendshëm i jep personazhit përmbajtje, përforcon strukturën e tij dhe i bën, në mos të arsyeshme, të kuptueshme veprimet e tij në roman. Koha e dashurisë është e shkurtër, por e shndritshme.
Tom Kuka shkruan lirshëm. E gjen fjalën, e ekzagjeron, ia lidh këmbët kur duhet. Kjo hijeshi gjuhësore e bën librin shumë të afërt me rrëfimin gojor, sa herë-herë të krijohet ideja se ngjarjen po e rrëfen një burrë hokatar e pak i dehur, nën hijen e një peme, në një mesditë vere. Ka dritë e ngrohtësi, humor e përdorim fjalësh të rralla, pasuruese për lexuesit, portretizuese për personazhet, dëshmi e një talenti të formësuar, ani pse deri vonë në heshtje e larg zhurmës mediatike. Autor i katër romaneve, Tom Kuka duhet ndjekur me kujdes prej lexuesve, sepse prurja e tij në letërsi është shumë e veçantë dhe mund të jetë së afërmi një shenjë identifikuese në prozën bashkëkohore shqipe. Të paktën unë, si lexues e koleg, ia uroj me zemër!

Të tjera nga ky autor:

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.