Press "Enter" to skip to content

Shemsi MAKOLLI: Cikël poetik

Në dallgët e jetës

I

Unë burrë?!
Veç sa jam shkëputur si një syth pranvere
Një copë dashurie nga zemra e nënës
Sa jam larguar ngadalë
Si hije para shikimit të saj të mjegulluar
E mbetur para dere me sy të përlotur.

Ëndërrova vetëm pak lumturi
Sa s’do t’i bënte dëm askujt
Aq pak zgjati ajo ëndërr dashurie
Sa nuk pata kohë
Asaj fjale as kuptimin t’ia mësoj mirë
Për aq çaste sa rri një top tenisi në ajër
Mes një rakete dhe tjetrës
Për të mos ngecur aty, natyrisht.

Aq çaste kalova në jetë
Për t’u bërë burrë
Për të rënë në një dashuri të re
Në një dallgë të re.

II

Unë burrë!
Ende copë e njomë
E një dashurie të pa këputur
Varg i një balade të vjetruar
Prapë sy i përlotur i një gruaje,
I një nëne të shumëvuajtur
Apo i një dashnoreje të pa shpresë.

E unë
Si një hije bredhëse
Në mes toke e qielli varur
As fëmijë, as burrë
I një bote të humbur.

 

Balada jonë

Unë dhe ti si dy lypës të përjetshëm
Të një idili të mjegullt
Unë zemër e zhuritur e kalldrëmit
Ti thembër e plasur udhëtareje këmbëzbathur
Që shekujve ka ecur nëpër legjenda.

Aq shumë herë kam vdekur në dimër
E jam ngjallur në pranverë
Sa që nuk e di dhe aq mirë
A të kam takuar ndonjëherë.

Apo ndoshta vetëm nga malli
Më je përvjedhur nëpër kujtime
Dhe në çdo këngë të re
Të kam vendosur në një varg të ri.

Nëpër kalldrëmin e djegur
Unë zemërplasur do të udhëtoj
Deri në fund të dashurisë
Dhe kështu do të jetoj
Deri në fund të vetmisë.

Edhe pse kurrë s’të kam parë
Ëndrrat më të bukura të jetës
Më ty i kam bërë.

 

Më prit në pranverë

I

Nëse me zgjimin e jetës pranverore
Dhe me këngët e para të mëllenjave
Asgjë nga unë nuk të kujtohet
Së paku një këngë e butë gjumi
Një ninullë në djepin prej druri
Duhet të ta gudulis shpirtin
Si një dritë e ëmbël kujtimi
Për lumturinë e ëndërruar
Të tretur e harruar nga gjithë njerëzimi.

Një djep i tharë e i stërholluar
Si gjymtyrët dhe brinjët e mia
Si hije valëvitëse
Nëpër mure të një kasolleje të errët
Nën ritmin e flakës së zjarrit
Që del nga ky shpirt i plagosur djali.

Shpirti që ka udhëtuar nëpër vuajtjet
E të gjitha moshave tokësore
Dhe që ka jetuar me dhimbjet
E të gjitha dashurive njerëzore.

II

Do të ngjitem në majë të bjeshkëve
Për të parë edhe një herë me sytë e mi
Se si këtë ferr e kemi mbijetuar
Dhe se a ka mbetur edhe pak dritë
Edhe për një këngë dashurie
Që ti kurrë nuk e ke dëgjuar
Në djepin e brejtur prej druri.

Pra, më prit në pranverë
Dhe ma merr dritën e syve
Se vetëm për ty e kam ruajtur
Ma merr edhe tiktakun e zemrës
Por ma lërë fjalën time të butë
Dhe melodinë e këngës
Sepse vetëm ajo më ka mbetur
Ty për ta kënduar.

 

As natë, as ditë

Në prag të ditës
Përpiqem të dal nga nata
Hap derën dhe shoh me habi
Oh! Në djall të vejë!
Nuk kuptoj se ç’po ndodh
Në fillim të ditës prapë errësirë

A mos nata më është varur në muret e shpirtit
Dhe vezullima e lumit të bardhë
Përplaset në pafundësinë e kësaj errësire
E përzier me britma në të gjitha gjuhët e botës
Që s’duan ta kuptojnë njëra-tjetrën?

Klith me ulërima ferri në kuvendin primitiv
Të veshur me kostum modern
Që sapo e nxorën me solemnitet
Nga thellësia e humnerave të ndërgjegjes
Varur në varësen e absurdit.

I dëshpëruar deri në pikëllim
E mbyll derën e këtij ferri
Me ngushëllimin e vetëm
Se nuk ngjaj me të tjerët
Por kjo përpjekje më ka ndryshuar
Se nuk i ngjaj as vetes.

Në fund të kësaj nate
Nuk duket askund dita
Skulptorët gdhendin errësirën
Për një natë të re.

 

Duke pritur Moisiun

I

Rërë e pafund
Rrugë e pa rrugë në shkretëtirë
Eci nën diell kah lindja e perëndimi
E kthehem në tjetër drejtim
Si nga veriu edhe jugu prapë diell

Rruga humbet në këtë vend të gjerë
Era e hedh e përdredh rërën
Edhe gjurmët e Moisiut më kanë humbur
Kërkoj më kot shenja orientimi
Asgjë nuk pipëtin
Vetëm fërshëllimë e erës në shkretëtirë

Askund nuk mbin asnjë shenjë
Një majë kulle a një oxhak
Një qytet gjysmë të mbuluar në rërë
Apo për një fshat të mjerë, qoftë ai nomad.

Eca kështu pa ndaluar
Me vite, shekuj e mijëvjeçarë
E ky diell qenka ndalur në Zenit
Dhe hija ime në tokë
Fare nuk mu zgjat
As edhe për një këmbë
Vetëm historia m
u shkurtua
Për disa paragrafë
Dhe më humbën shumë kapituj.

Ndërsa, hija e kokës sime
Me një rreth të gjerë më del
Nuk di nëse e kam një çallmë
A një kurorë me gjemba
Ngase kurorën me dafina
Nga lashtësia ime
Disa hajdutë nate
Ia vodhën të bukurës Euridikë.

Unë ende përpëlitem nëpër rërë
Thërrmohem e grimcohem
Bëhem edhe më i vogël se grimca e rërës
Përbirohem nëpër legjenda të piramidave
Sillem vërdallë nëpër hieroglifë.

II

Përpiqem të shkruaj, të shkarravis
Ndonjë fjalë për historinë
Rrëzohem e ngrihem
Me gjunjët e mpirë nga lashtësia
Eci ngathët me këmbët e ënjtura
E me kokën e bërë daulle
Duke kërkuar rrugën
Nëpër shkretëtirë të paanë.

Vazhdoj të eci nën këtë diell
I djegur e i përtharë
Si peshku në zall
Por ende jam i gjallë.

Dhe me ngulm rropatem
Të gjej ndonjë fletë
Nga kurora ime e vjedhur
A, së paku ndonjë shenjë
Që t’më japë edhe pak shpresë
Se rrugën do ta gjej
E nuk do të mbetem pafundësisht
I humbur në këtë shkretëtirë
Duke pritur Moisiun.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!