Press "Enter" to skip to content

Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua

Bota ma hedh fajin mua,
sikur ta kem krijuar e shpikur unë dashurinë,
sikur ta kem vizatuar unë mbi petale trëndafilash,
sikur t’ua kem mësuar unë zogjve në qiell,
ta kem mbjellë fushave të grurit
e ta kem derdhur ujërave të detit,
sikur jam unë ajo që…
si hënën e bukur,
ta kem varur në qiell.
Më fajëson mua bota, nëse…
thërras kë dua apo e kujtoj,
sikur të isha vetë dashuria…
nëna e saj… dhe motra.
Kjo dashuri që erdhi
andej nga nuk e prisja,
e ndryshme nga ç’kisha mësuar,
e veçantë nga ç’kisha lexuar
dhe dëgjuar,
po ta dija që është
një lloj vartësie… nuk do ta provoja.
Po ta dija që është
një portë stuhish… nuk do ta hapja.
Po ta dija që është
një fije shkrepëse… nuk do ta ndizja.
Kjo dashuri është ndjenja më e rrëmbyer,
që kam jetuar ndonjëherë.
Ah sikur, krahëhapur, kur erdhi
drejt meje, ta kisha refuzuar,
ah sikur, para se të më vriste… ta kisha vrarë,
këtë dashuri që shoh natën
mbi perdet e mia,
në rrobën time,
në parfumin tim… në byzylykët e mi,
e shoh… të vizatuar mbi dorë,
të skalitur në ndjenjat e mia,
po të më tregonin se është
një fëmijë trazovaç dhe i zhurmshëm,
nuk do e mirëprisja,
po të më thoshin se do ma thyente qelqin e zemrës,
nuk do ta lejoja,
po të më tregonin se brenda pak minutave ta vë flakën,
se brenda pak minutave përmbyt gjithçka,
se brenda pak minutave bojatis muret me të kuq e blu,
do ta kisha dëbuar!
O i shtrenjti im, që…
e kënaqa Zotin duke të dashur!
Kjo dashuri është ndjenja më e bukur që kam përjetuar,
kjo dashuri është gjëja më e mrekullueshme që kam provuar.
Ah sikur, ditën që më erdhi si vizitor,
me trëndafila ta kisha rrethuar!
Ah sikur, ditën që më erdhi duke qarë,
t’i kisha hapur dyert… e ta puthja!

Shqipëroi nga origjinali: Elmaz Fida

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!