fbpx Press "Enter" to skip to content

Alisa VELAJ: Thirrore në kohë ringjalljeje

Thirrore

(në vetë të dytë njëjës)

Fusha me lulëkuqe gjaku
n’tërbim shpërthimi,
ku vetmon një bulkth
e dëshirohet, pambarim
dëshirohet një lulesë…

Mos e lër të vdesë!

Thirrore prilli

(pak më përtej pragu)

Lulëkuqet heshtin
me një heshtje gjaku.
Heshtin për sa mund
të heshtet mbi nënkresë.

Shtegtari pranguar
pak më përtej pragu,
kurrsesi nuk është
as murg, as sajesë!

Thirrore me jehonë

Ç’mund të dijë burri
me bebëza të largëta,
për lulëkuqen përflakur zjarr
në perëndim?

Gjithë çka duket
aty për aty pamjes,
më tepër se thelb
mund të jetë vegim!

Thirrore që ther

(deri në shpirt)

Bulkthat këngëtarë struken
edhe më thellë tingujve,
kur shtegtari i përvidhet lulëkuqes sërish.

Dhemb deri në palcë mohimi i përndritjes
si dy gjysma të verbra ndaj plotnisë.

error: Content is protected !!