Press "Enter" to skip to content

Ahileas KIRIAKIDHIS: Në radë¹

48Shares

Udhëtimi zgjati njëzetë orë. Anija lundronte me lëkundje në linjën jofitimprurëse² dhe hera-herës ndalej afër ishujsh, që i nxinte deti, por jo hartat. Dilte maunia³, afrohej anash me vështirësi të madhe, kërcente lart e poshtë nga dallgët dhe vetëm kur dy mjetet lundruese gjendeshin në të njëjtin nivel, hidhej nga dera e hambarit në maunë ndonjë thes me patate apo kushedi ç’gjë tjetër. “A nuk është kështu edhe jeta ime?”, mendoi N. Një maunë, që e rrahin dallgët për një thes me patate apo dhe një kufkë.

Zbriti në portin e madh. Pas kaq lëkundjesh, toka i kërcente nën këmbë. U desh të mbështetej diku, që të mos binte. Hodhi një sy përqark: nuk e priste askush. Priti pak të kalonin disa njerëz dhe vështroi sërish: nuk e priste askush. Mori rrugën drejt stacionit, trenin drejt qendrës, autobusin në qendër, autobusin drejt shtëpisë. Valixhja i rëndonte. Nuk duhej të merrte me vete kaq shumë rrangalla.

I kishte braktisur njëzet vjet më parë, grua dhe vajzë. Dëshira imagjinare për pavarësi ishte sendërtuar në një revolucion, sipas të tjerëve, idiotesk. U izolua në një ishull juglindor, duke u marrë me punë të radhës. Jetoi mirë. Madje edhe kursimet kishin një shije lumturie të ëmbëlhidhur, sfilitjet kishin ndjesinë e besimit jobian në vendimin për të ndërruar “këmishë”. Por pastaj erdhi e keqja; e keqe me gjithë kredencialet e saj: radiografi, ultrazë dhe rezonanca. Ishte hera e parë përgjatë një vetmie njëzetvjeçare që u ndje i vetëm.

I kishte njoftuar, kishte dhënë provat e një pendese të vërtetë: emrin e anijes, orën e mbërritjes. Dhe tani qëndronte jashtë shtëpisë, duke vështruar një qepen të hapur e një të mbyllur, duke përfytyruar përgjime, siklete e “si t’i sillemi” dhe papritmas diç i kaloi ndërmend; ideja e një kompensimi, shpërblimi ndaj vuajtjeve të shkaktuara dhe ngriti sërish valixhen, që tani i ishte dukur më e lehtë e mori rishtas rrugën drejt autobusit, qendrës, trenit, anijes dhe i përfytyroi tek e shihnin duke ikur, me sy të lëngëzuar e të shndritshëm nga dhurata e tij e fundit: lehtësimi i madh.

[1] Term lundrimi, që nënkupton qëndrimin e përkohshëm të anijes jashtë portit, domethënë që nuk është ankoruar në port.
[2] Linjë detare për ishuj të vegjël grekë, që subvencionohet nga shteti për shkak të lëvizjes minimale komerciale apo pasagjerësh.
[3] Barkë e madhe me fund të sheshtë, që shërben për të mbartur mallra nëpër lumenj ose në portet detare, kur vapori ndalet larg bregut dhe që tërhiqet nga një anije ose lundron me motorin e saj. Maunë e vjetër (e re, e madhe). Maunë zbarkimi.

(Tregimi është shkëputur nga përmbledhja me tregime “Elgar”, që është në proces botimi.)

Përktheu Eleana Zhako

Pak fjalë për autorin

Ahileas Kiriakidhis lindi në Kajro, në vitin 1946. Gjyshi i tij u largua 16 vjeç nga Përmeti drejt Stambollit, më pas emigroi në Kajro dhe përfundimisht u vendos në Greqi bashkë me familjen.
Kiriakidhis është autor i 18 librave me tregime, proza të shkurtra dhe ese (mbi kinemanë e letërsinë); përkthyes (ka përkthyer mbi 130 vepra autorësh të huaj, si Jorges Luis Borges, Georges Perec, Raymond Queneau, Luis Sepúlveda, Jean Echenoz, Julio Cortázar, Gustav Flober, Alfred Jarry, Carlo Frabetti, J. D.Salinger, etj).

Skenarist i tre filmave me metrazh të gjatë dhe skenarist e regjisor i trembëdhjetë filmave të shkurtër; honorary doctor në Universitetin Jonian të Korfuzit (Departamenti i Përkthimit dhe Interpretimit); honorary doctor në Universitetin Aristotelio të Selanikut (Fakulteti i Gjuhës Frënge, Departamenti i Përkthimit letrar); anëtar i Lidhjes së Kritikëve të Kinemasë.

Në vitin 2004 u nderua me Çmimin Kombëtar të Tregimit për librin me tregime “Frymë artificiale”, në vitin 2006 me Çmimin Kombëtar të Përkthimit për përkthimin e tregimeve të Borgesit, në vitin 2007 me Çmimin Ndërkombëtar “Cavafy” për përkthimin e librit “The Yacoubian Building” të Alaa al-Aswany, në vitin 2009 me Çmimin e Përkthimit Letrar të Letërsisë Frankofone për librin “Në kafenenë e rinisë së humbur” të  Patrik Modianos, në vitin 2015 me Çmimin e Përkthimit letrar të Letërsisë Ispanofone për librin “El ruido de las cosas al caer” (The Sound of Things Falling) të Juan Gabriel Vasquez dhe në vitin 2019, Çmimin Kombëtar të Përkthimit për librin “Rayuela” (Hopscotch) të Julio Cortázar.

Libra të autorit

  • Vazhdimi në ekran (Ipsilon, 1984)
  • Dëshmi të rreme (Ipsilon, 1998)
  • Zona e portierit (Polis, 2007)
  • 360 (Patakis, 2014)
  • Muzikë dhe tregime të vogla (Patakis, 2014) – përmbledhje e librave Transparencë (Dodoni, 1973), Të dhëna identitare (Dodoni, 1977), Monolog në shumës (Ipsilon, 1985), Histori të tjetërllojta (Ipsilon, 1985), Muzikë (Ipsilon, 1995)
  • Shënime për një teori private të letërsisë (Kihli, 2015)
  • Frymë artificiale dhe tregime të vogla të qytetit (Patakis, 2016) – botim përmbledhës i librave Frymë artificiale (Polis, 2003), Pasqyra e të verbërit (Polis, 2005) dhe Komedi (Polis, 2010)
  • Muzeu i brerjeve dhe tregime të tjera (Patakis, 2018)
  • Jorges Luis Borges dhe agonia e përkthimit (Patakis, 2019)
  • Errësirë e shndritshme – Tekste mbi kinemanë (Patakis, 2020)

Të tjera nga ky autor:

48Shares