Libri fillon me një lajm të mirë: “Barbara lindi djalë… edhe pse, në ishullin e vogël, me kohë ia kishin kënduar fatin me ngashërim: Kallogre fatpadalë”. Me këtë lajm premtues, Luljeta Dano e tërheq lexuesin në një histori dashurie të pazakonshme. Po çfarë ka mbetur pa thënë në letërsinë botërore mbi dashurinë, mbi gamën e ngjyrave e të dridhjeve të saj? Stili. Në një realitet ishullor, absurd, ku për çdo fëmijë shkolle ka gjashtëmbëdhjetë kisha e tre mësues, shpresat për të gjetur subjekt letrar marramendës duken të perënduara. Stili, shkrimi e shpëton Casa-Casinon.
Romani është një simfoni shkrimi, lexohet si lirikë, këndohet si këngë. I bën eko historisë së pashpirt të një vendi fqinj, mitologjisë dhe humbjeve, me nënkuptime për historinë e të gjithë popujve. Barbara, personazhi kryesor, është një ndër monumentet femërore të gdhendura më bukur në letërsinë tonë bashkëkohore. Ajo të kujton mëmësinë që parandalon zhbëmjen, shfarosjen, gratë që mbajnë jetën me thonj e me dhëmbë, virtytin dhe përunjtësinë, breroren e një heroine të urtë, që mposht e ia arrin veç përmes dashurisë.
Libri është pikturë e kontrasteve të forta. Eliseu, i shoqi, iu ngjan, edhe pse i ndryshëm, të gjithë burrave erratikë, të revoltuar e të degraduar, dobia e të cilëve reduktohet në një spermatozoid. Autorja nuk ka anësi në tekst, ka stil. Ka gjuhë, kulturë, njerëzi. Kalendari i përditshmërisë njerëzore, shfletohet me përkujdes, me detaje, befasuese. “Në ditën e ditëlindjes, Barbara kontrollon skadencën e ilaçeve dhe rezervave ushqimore”, “…mes avujve të uzos deshi të përftojë, sikur ishte gojë më gojë me Eliseun”. Në rrjedhën e shkrimit hetohet një ndërthurje e mistikës së librave të shenjtë, që distilohet natyrshëm në imtësitë mistike të botës shpirtërore të personazhit: “…leximi i ungjijve: Duaje tjetrin si veten! Duaje tjetrin si Barbara Eliseun, sepse Eliseu ishte vetja e saj. Përkujdesja për të kapur sekondat e përndezura të jetës së brendshme të një gruaje nuk e pengojnë autoren të kuptojë edhe dekadencën e një shpirti tjetër të luhatshëm, pothuaj të rrëzuar, Eliseut: “nuk është faji i tij, ai ishte një i lindur për të qenë humbës”, siç bën edhe me përshkrimin e besëtytnive të ishullit, jeta e të cilit varet nga drejtimi i erërave. Verës ai ishull kthehet në një “melting pot” të të gjitha kulturave e mënyrave të sjelljeve, britanikë, gjermanë, finlandezë, arabë etj, duke pasuruar banorët, sidomos kënaqësinë e leximit të këtij romani.
Nëse ishulli ia ka arritur të mbijetojë sulmeve e rrethimeve, katastrofave e shtrëngatave e banorët ia taksin këtë mbijetesë një ikone të Shën Mërisë, çfarë e bën personazhin të mbijetojë vetminë e braktisjen, të ruajë shpresën dhe dashurinë? Barbara ka deri edhe lypësit e vet, veç për ata kujdeset, atyre u fal. Ironia e të shoqit: “Ti, kur nuk ndryshon as lypësit, moj vajzë, si do jesh e zonja të gjesh dashuri tjetër?”, do të duhej ta shndërronte në hi, por jo. Pasi ajo “ka bindjen e verbër se tipari i tipareve të dashurisë, karakteristika absolute e dashurisë është se ajo mbetet e patradhtueshme në zemër”.
Nga fundi i librit më mbeti mendja te një detaj: Barbara kurdis një orë të vjetër e habitet kur sheh se ajo fillon të ecë në të kundërt: “Kjo është shenjë e mirë… e cilësisë së orës”, e qetëson një personazh-mik; kush nuk do të donte që në një çast të jetës të bënte që koha të ecte mbrapsht jo si vizitë nostalgjike në të shkuarën, as si përpjekje për ta ndryshuar atë, por thjesht si revoltë ndaj shpejtësisë idiote me të cilën i jetojmë çastet e mrekullueshme në këtë jetë.
Si lexues po mendoja, jo pa keqardhje: Sa shpejt mbaroi ky libër!
Të tjera nga ky autor:
- Supet
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur
- Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”
- Alpenperle (Pjesa e dytë)
- Alpenperle (Pjesa e parë)
- Arbër AHMETAJ: Në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, shkrimi është festa e lexuesit
- Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias
- Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit
- Arbër AHMETAJ: Mbijetesa e një personazhi të vdekur
- Arbër AHMETAJ: Shenjti Valentin
- Arbër AHMETAJ: Burrë i puthur (cikël poetik)
- Arbër AHMETAJ: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Arbër AHMETAJ: Guri
- Arbër AHMETAJ: Ora e dashurisë
- Arbër AHMETAJ: Para e madhe, varfëri e madhe

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.