Press "Enter" to skip to content

Luljeta DANO: Casa-Casino (fragment)

Barbara lindi djalë!
Barbara lindi djalë nën yjet e shenjës së Shigjetarit në një moshë të shtyrë. Njerëzit e farefisit të mbetur në majë të shkëmbit të kuq në Ishullin e Vogël, ia kishin ngashëruar fatin prej kohësh:
Kallogre fatpadalë!
Ndaj lajmi se Barbara u bë nënë, gëzoi të madh e të vogël.
Gjyshi me gjyshen ende mbanin si njëherë motit, llogaritë e tavernës “Ahtenystos – I Pakrehur” në fletore, me duart që u dridheshin dhe qanin me shami në dorë, kishte gati dyqind vjet të shkuar, që nga koha e turkut, kur qe tëhollur si tani peri i jetës gati në të këputur për gjakun e tyre. At’herë mbetën të rrethuar në ishull nga turqit dhe kur ushqimet sosën njerëzit provuan të zienin koçanët e misrave për të ngrënë.
Nga turqit, – kishin qejf të thoshin, por e vetmja betejë e turqve s’ka ndodhur me ta, por me venetianët më 1667-n. Në fakt, nuk kishin mbetur në rrethim as nga ndonjë ushtri, as nga piratët. Ishte thjesht:
Dimër i fortë!
Furtunat shkulnin çatitë me rrasa guri dhe kishin thyer tërë varkat e bëra me dru të lehtë që mbarteshin në krahë gjashtë kilometër, nga bregu – majë shkëmbi, porsa mbyllej lundrimi.
Rezervat mbaruan. Nga ushqimi i pakët atij shëndreu dhe nga nëntë ditët e fundit pa shtënë gjë në gojë u qenë ngjitur e holluar zorrët. Zjenë misërishtet që hanin bagëtia, por koçanët i prenë gjatë udhës së ushqimit duke filluar nga fyti. U shuan. Vetëm një gjysh katragjyshi mbeti gjallë nga dera e tyre, se ishte foshnjë gjiri, e rriti vetë prifti me priftëreshën në Kishën e Zonjës, ku ndezën qiri gjer më sot gjyshërit e Barbarës:
Të bëhej një mrekulli si në kohën e gjyshgjyshit!
Ishulli i Vogël është rreth njëzet kilometër katror, një nga mbi gjashtëmijë e kusur ishujt dhe shkëmbinjtë grekë në det për të cilët guidat turistike të përcjellin me urimin: LOVE! – kur të joshin për pushime, por, po zbrite atje, mbërritja dihet, kthimi jo. Rri e prit kur të duket anija, sepse shkelet rrallë nga të huajt, ishulli më i izoluar i grupit qikladik me njëqind e dyzetë e tre kisha, festat fetare i celebron: në ekstazë të paparë!
Vetëm një rrugë e përshkon lagjen brenda mureve rrethuese të Kalasë m’u në majë të shkëmbit të kuq. Po zbrite nga anija, që edhe sot vjen njëherë në hënë nga Ishulli i Madh, mos bëj plane se kur do të dalësh sërish nga Ishulli i Vogël. Rri e prit kur të duket Roksana, anija plakë që duhej djegur tridhjetë vjet më parë ose shoqëro ishullorët që i luten papushim me përgjëratë Zotit në qiell mbi atë shkëmb ngulur përmidis qiellit e detit.
Banorët janë krenarë se qenë sulmuar pareshtur nga vetë Barbarosa, më i tmerrshmi nga kryepiratët mjekërkuqë të të gjithë kohërave:
Saraçeni!
Në kilometrin e dytë të rrugës së shkretë që të çon nga bregu në Kala ndodhet e vetmja çesëm e ishullit, një lëfyt guri është vënë që kur s’mbahej mend në burimin e lashtë me nam që në antikitet:
Cilido udhëtar i huaj që pi ujë aty, duhet të martohet në Ishullin e Vogël!
Ia thonë këtë si gjysmëshaka çdo ardhësi të huaj që shëtit këndejna rrallë e më rrallë, me shpresën e kahershme të fitojnë një përmirësues race. Kështu ia kanë thënë edhe saraçenit.
Mjekra e Kuqe, lemeria e popujve në siujdhesat e Mesdheut e dinte:
Ishuj të humbur si ky kanë më shumë legjenda se njerëz, po ku ka legjenda ka thesare!
Legjendat u spiunojnë piratëve se vendalinjtë janë njerëz të shëtitur në botë ku kanë mbledhur e kanë shtuar visaret. Poshtë legjendave flenë thesaret e humbura.
Sa për përrallat me ujin e burimit dhe martesën e detyruar në ishull janë marifete të ngujuarish e të pambrojturish që rrezikojnë të zhduken, ndaj kërkojnë të të lidhin me hir a me pahir për t’u shtuar farën!
Përveç dy tavernave të qëmoçme nuk ka dyqane, pazaret bëhen në Ishullin e Madh, kurse vendasit më së shumti shkëmbejnë me njëri-tjetrin prodhimet e tyre:
Mjaltin me djathin, japin verë e marrin vaj! Një kile mish e blejnë te kasapi me dy kilogram ullinj ose me një kaush të madh kapari!
As që e përfillin rolin e doktorëve, shërohen me mahnitë e tyre tradicionale të vetëmjekimit. Këtu, mes këtyre njerëzve që në votimet elektorale dalin çdo herë pothuaj njëqind për qind, duke votuar bashkërisht herë të majtën dhe herë të djathtën, qe lindur e rritur Barbara në shtëpinë e gjyshërve nga nëna. Prindërit pas shërbimit diplomatik në Kinën e largët u mbytën natën e tragjedisë së Kretës. Kur Barbara shkoi në klasë të parë, rreth njëqind nxënës filloristë bënim mësim në dy klasa të vogla, ndërsa tani në shkollën e re njëmbëdhjetëvjeçare të ishullit mësojnë veçse nëntë nxënës, porse japin mësim njëzet e gjashtë mësues dhe me një llogari të thjeshtuar:
Për çdo fëmijë shkolle, sot në Ishullin e Vogël ka gjashtëmbëdhjetë kisha dhe tre mësues!
Barbara u njoh me Eliseun në meskohën e Regjimit të Kolonelëve, në bregun e thatë e të zhveshur të Ishullit të Vogël. Ai kishte një vit që listoi ishujt me radhë, i vendosur të shkelte çdo majë ishulli të afro dyqind e tridhjetë ishujve të banuar.
Pavetëdija e rinisë së njomë të tij pati shmangur tmerrin e përditshëm të dënimeve të shpeshta me vdekje, bastisjet, fjalët për gjymtimet nën torturë ku shpesh ushtarakëve vëzhgues u binte të fikët nga pamjet përqark të pushtuara nga vetë Djalli, gjyqet e pasosura me burgosje e internime masive. Athina gjendej e tëra nën tym e pluhur under construction. Diktaturat shfaqen edhe si ndërtimtare të mëdha, vila fisnikësh dhe tregtarësh të vjetër shembeshin ngado duke mbirë pallate si kërpudhat, ish-pronarë që vetëvriteshin se nuk jetonin dot pa shtëpinë stërgjyshore. Diktatura qe instaluar gjer në palcë, as njeriut të familjes tënde nuk mund t’i zije besë, pati mjaft prindër që përbuznin të majtën dhe paditën vetë te Policia Ushtarake fëmijët e tyre studentë. Athina zyrtare kishte të paktën që në kohën e Metaksasë ku nuk dalloheshin më kufijtë e fjalës Demokraci nga kufijtë e fjalës Diktaturë. Pse jo që në krye të shek. XX, kur vendi qeverisej nën mëshirën e Lidhjes së Ushtarakëve dhe shovinistit me damkë Venizellos. Kampet e përqendrimit ku torturoheshin të burgosurit politikë u quajtën nga kryeministri filolog i pasluftës antifashiste, Panajot Kanellopulis: Parthenoni i Ri. Gjithë vendi pa marrë veten ende nga gjakimi i Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat çmeritëse të luftës civile që pasoi pas saj, ku vëllai i priste kokën vëllait edhe e ngulte në hu përmidis vazove të luleve që rriste nëna në ballkonin e shtëpisë, – mbërriti Junta Ushtarake. Diktatura e Kolonelëve të Zinj ishte epilogu i regjimit fashist të Metaxasë dhe projektit të tij famëkeq në mesin e viteve ’30: Qytetërimi i Tretë Grek.
Në ajër gjendeshe i spiunuar, njerëzit gjakngrirë të molepsur në panik nuk i zinin besë askujt, as brenda, as jashtë shtëpisë.
Eliseu u ankua në familje se nuk e duronte dot më ajrin e ndotur mbushur me dhera në Athinë dhe tufat e zogjve që klithnin me lebetì ferri kur iu rrëzoheshin foletë me të vegjlit nën zinxhirët e ekskavatorëve. Kësaj here nuk e penguan, madje leja e prindërve u përdor si një dëshirë e tyre që Eliseu të shkelte tërë ishujt e banuar të Greqisë.
Dil, njih ishujt!
Që ta kuptosh Greqinë dhe botën, – qe nënteksti i kursyer atëror dhe amnor.
Zísíros! Jeton siriani!
Kështu quhet maja e ishullit Lesbos: Zísíros!
Një vullkan parahistorik i shuar ka krijuar aty pyllin e gurtë, mrekulli e paparë. Prej Sirie një murg mbërriti gjer këtu pa frymë i përndjekur nga arabët që donin ta shqyenin katërqind copash. Me t’u shpëtuar linçuesve, i kërkoi me rreptësi vetes qetësinë dhe prehjen në gjirin e natyrës, mëpastaj ndërtoi një askitirio të rrethuar me mur të lartë. Ujërat u gjelbëruan nga thelbi i lutjeve të tij me zë.
Njerëzit e quajtën kreshtën e shuar me vullkan dhe me lutësoren: Rronsiriani!
Majat ishullore kryesisht e marrin emrin nga mitet e origjinës së manastireve të famshëm. Nga tërë majëmalet e ishujve të banuar që ngjiti ai, asnjë legjendë tjetër nuk ia përsëriti më Eliseut mahnitjen e përkryer robëruese që i dha Zísíros! – maja e ishullit të parë që shkeli në jetë.
Në fillim të vjeshtës ai qe bashkuar me shtatëmbëdhjetë turistë të çartur gjermanë që po bënin pazar për mermerin fin, si kristalet e zmadhuara të dëborës dhe me dy norvegjezë të hutuar e mbushamendës, se nga ato blloqe guri kur priten e latohen dalin piktograma të miteve nordike:
Nuk ka Greqia mermer si ky i Ishullit të Madh! Mbi pllaka të tilla mermeri të bardhë kristalin tiranët e gjysmëhënës shtrinin gratë për t’u bërë provën e nxehtësisë.
Mjegulla përpush ajrin nga mëngjesi në mbrëmje dhe pamja është e kufizuar. Turistët gjermanë të ngarkuar me makarona kishin tërë javës që edhe pasi deheshin me birra vazhdonin të shaheshin anglisht me njeri-tjetrin.
Gjyshi me Barbarën prisnin turistët në breg. Mjauli, anija me emrin e heroit arvanitas të revolucionit grek të 1821-shit, nisur nga Pireu bashkë me ndalesat nëpër ishuj mbërrinte pas njëzet e katër orësh dhe hidhte spirancën katërqind metër larg steresë, të ardhurit zbrisnin në varka që mbartnin nga gjashtë veta tok me valixhet, kurse kafshët të cilat udhëtonin bashkërisht me njerëzit në anije, i lidhnin në mes dhe një vinç i transportonte drejt bregut.
Sot kjo tablo e hershme pritëse në molet e ishujve grekë është kështu:
Një makinë brenda së cilës rri pronari ose pronarja e hotelit, një pesëmbëdhjetë vjeçare mbështetur asaj makine dhe një palë sutjena përtokë që thonë:
Ja, ç’të pret!
Në të vërtetë s’të pret asnjë pesëmbëdhjetë vjeçare që hedh sutjenat përtokë për qiraxhiun.
Lundrarët i ngrinin barkat në kurriz. Ndalesën e parë karvani e bëri në kilometrin e dytë, te burimi antik. Gjyshi iu drejtua Eliseut:
Udhëtari i huaj që pi ujë në çezmën e ishullit tonë duhet të martohet këtu!
Eliseu e mëshiroi fjalën e plakut, si të ish vetë Barbarosa. Saraçeni.

(Shkëputur nga romani “Casa-Casino”)

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!