Press "Enter" to skip to content

Ermir NIKA: Cikël poetik

Psalm për gruan

Nuk druhem kur një grimë parafytyroj heshtur,
çastin kur Zoti të rinisë rishtas dishepujt ndër njerëz,
të predikojnë në rrugëtimin e tokës një tjetër Dhjatë,
ku gruaja të lutet sërish me përgjërim
për Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë!

 

Fytyra ime

Mbi shtrat kris e plasaritet fytyra ime,
si afresk i nëmur po bie pjesë-pjesë,
shpërbëhet ligsht ashtu nën rënkime,
copëtohet e thyhet si qelq mbi nënkresë.

Nga dyert lënë hapur dimrave harruar,
shquaj mëkataren tek flatëron si shpezë,
mbi flokët shpupurisur e shqisat rrënuar,
ulet dhembshur t’i mbledh vrik me fshesë.

Papritur vitet rrëzohen vranët në muzg,
mbi degët e rrahura në acar e suferi,
hapat shkujdesur humbën si Bermudë,
në parkun e braktisur ku më s’dukesh ti!

 

Drurët

Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar
me degët rrëgjuar prej shirash të përkohshëm,
indiferentë nga zhurma e pyjeve, dihasin
kur mbrëmjeve britmën ia mbysin trumcakët.

Druaj se një ditë do ta humbas ligsht këtë trill,
grishur nga retë e rënduara të dimrit polar
drerët e dëborës, dënesin heshtur udhëve pa skaj
larguar trisht, prehjes së gurtë prej njeriu.

 

Kuarteti bohem

Ҫastit dëgjoj zërat e shiut mbi xhamat hijëzuar reve,
trembur frymët mbyten mbi avujt e rrugës, diku
flirti rrëzohet mbi dhomën e fshikur nga era
mbi lëkurë lënduar ndiej gjurmët e natës së fikur.

Nën qepalla harresa rishtaz shkruan vetveten,
dhe flokët shpërbërjen hedhin mbi nënkresë,
ashtu si degët e shelgut që na fshinte dikur
nga zbrazëtia e një vjeshte ende të pajetuar.

Në një tjetër stinë qelqet e thyera s’prapsin largimin,
helikën e këputur të avionit në qiej haluçinant,
pritja ngrin mbi heshtjen e mermerëve të vdekur,
kur mbi ne, trandur do të zhurmojnë gjurmët e botës.

Hijes së qiparisave

Kur një ditë të rikthehem në vendin e të parëve,
e di që nën kryqet e dritareve fytyra të moçmish
murmuritur do të më pagëzojnë shpresëthyer:
“Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë”,
atë mot, dimrat lotët do të ngrijnë nëpër degë.

Pelegrin, më s’grishem të krijoj tjetër planet,
botëve ndër re, i drobitur përshpirt ninullat,
pse nëna ngahera më pret hijes së qiparisave,
im atë lëndinave heshtur pushon te një gur.

Kohë më kohë udhëve u jam falur statujave,
dremitur bri xhadeve, ndër orizore i dënesur,
stepash, nëna e ati im tirreshin në askund,
kujtesa, kotur breron mbi të fundmin karvan.

Përhumbur mjegullës bares shkujdesur,
pranë një gardhi të rënur rishtaz shkova
dhe më përtej një ane të shuar qyteti,
u preha në një gjurmë fëmijërie!

 

Fëmijët

Andej ndihen fëmijë të lodrojnë hareshëm muzgjeve,
shkujdesur flladet përkundin zërat, flokët e djersur
stepave, vesa një pas një të vjetrit rrallon, netëve.

Tutje fëmijët i këndojnë orëve mbi rrafsh, yjet
përqeshin pse hijet matin në mbarimin e ditës
dhe rendin bashkë me erën kur mjegullat bien.

Si ndjekin xixëllonjat, harrojnë udhën e kthimit
pas perdes heshtur dihas, me drojë avitem në largësi
dhe ashtu nëpër brymë, befas njoha njërin prej tyre.

 

Lajmëtarja e stepës

Mbrëmjes shkujdesur përgjoja anës burgut
lajmësen, zbehur me kartat ndër duar
tek zbriste pluhurt udhës së muzgut,
nga ishujt e amazonave netëve mërguar.

Humbëtirës erërat kënduan Ave Marinë,
zërat përtej kangjellave lehtas puhiten
sikur meridianët përshkojnë gjithësinë,
druajtur portave të parajsës yjësisë aviten.

S’di pse, një mot më s’njohu shtegun e kthimit
vjeshtës, të syrgjynosurit trandur kaptuan muret
pas, si relikë zukatin trisht fyejtë e perëndimit
stepave më ndih vegimi i shenjtë mbrëmanet.

Një siluetë rend përjetësisht nën qiej të ftohtë,
frymët një nga një po shuhen mbi pasqyrë,
robërit heshtur tek tirren në një tjetër botë
kundrojnë lajmëtaren me shiritat e hirtë mbi fytyrë.

 

Djaloshi i veҫuar

Diku tej mbi rrafsh pikas një çun të vogël
tek dënes strukur nën strehët vjeshtës,
timbre të mekura tirren ashtu nëpër degë,
deri kur erërat shtyhen ndër të tjera vise.

Përtej një siluetë humbet disi në qiej të krisur,
notat e ujërave si një simfoni pastorale rrëzohen,
zëri i djaloshit ngrihet mbrëmjes mbi arkipelag
dhe ashtu si rastësisht, tremb shirat e botës.

 

Netët pastorale

Mesnata ra dhe pambarimisht strehëve
si harresë po nderet smogu i drurëve,
argjilit përhiten trembur gjurmë pyjesh,
qiejtë pafajësisht bartin prehjen e natyrës.

Qytetit, ca nga ca, humbasin poetët,
dallgët më s’kujtojnë t’iu jepen brigjeve,
meridianët harkuar luten përunjësisht
kreshtave si një varg kurrë i shkruar.

Sundues, virtual përndjekin nëpër tis
të fundmet rendje të putrave lartësive
shënjuar dhembsur mbi dëborërat,
e joshura nga timbre të ftohta njeriu.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!