Press "Enter" to skip to content

Zirana ZATELI: Epsh ndër tëmtha (fragment)

“Thonë që ishte dashuria e tretë madhore që përmbusha dhe, nëse i mbaj hatrin vetes, mundet e katërta ose e pesta. Në letrën e parë më shkruante: “A new need is born on the planet: moi et toi” (Një nevojë e re lindi në këtë planet: unë dhe ti).
Lakonik për francez, që fliste madje anglisht, por aspak i kursyer. Dyzetë e shtatë vjeç atëherë, unë dyzetë e katër. Quhej Vincent, që në greqisht shkruhet Vensan, por personalisht preferoja ta thërrisja Vansan, me “a” të mëdha e të qarta, pasi shkonte me Vasano∗.
Parisinizohem dhe vansanizohem, më pëlqente t’u shkruaja miqve sa herë që shkoja në Paris, në vitet e para të idilit, ku gjysmën e vitit jetoja atje. U njohëm një ditë vere në qytetin e tij, poshtë urës së Luvrit.
Ishte 27 korrik, dita e Shën Pandeleimon-shëruesit, ora shtatë e mbasdites, ende mesditë edhe për francezët, me një diell që s’kishte ndërmend të perëndonte; veçse, nëse dielli i zi dhe kukuvajkat krahëhapur, ishin shfaqur posaçërisht për ne.
Episod romanesk, i rrufeshëm dhe “metodik”, që s’e di në do mundesha ta fantazoja e parashtroja në mendje me gjithë detajet befasuese – e jetës i pëlqen t’u kujtojë njerëzve me imagjinatë të pathyeshme që ajo është prijësja. Asnjë kundërshtim.
Mbi dhjetë vjet jetonim veçmas që të mos ndaheshim (kohën më të madhe e kalonim duke “i vënë zjarrin” postës), ndërkohë që nderonim takimin tonë fatal, pa e shkelur, me mbërritjen e tij në Greqi, mes zhegut të korrikut.
E nderonim dhe e çnderonim tinëzisht, duke e portretizuar artistikisht shuarjen tonë, pasi, nëse dashuria nuk është vdekje e veshur me petka festive, nuk ia kemi haberin asaj pune. Ne, siç duket, e dinim, fundja ishim fëmijë të rritur, ndaj dhe çdo përvjetor të lavdishëm vere e përjetonim si “one more last time”.
Për më tepër nuk ishte vetëm ardhja, ishte edhe kthimi. “Ose do të largohem i dehur nga vendi yt”, më thoshte, “dhe lëri qurravitjet, ose s’do iki fare dhe më merr përsipër”.

Sivjet u mbushën katër vite, që nuk i qëndroi zakonit të ardhjes e të ikurit dhe ruaj në mendje gjënë më të vyer që dëgjova nga goja e një njeriu të dashur: “Nëse nuk më rren, nuk të besoj!”. As unë atë.

Më pas, erdhën macet”.

∗”Vasano” do të thotë “vuajtje” në greqisht. Shkrimtarja luan me emrin e të dashurit dhe fjalën “vuajtje”.

Përktheu Eleana Zhako

Zirana Zateli lindi në Selanik në vitin 1951. Mbaroi studimet për teatër. Ka fituar dy herë Çmimin Kombëtar të Romanit, në vitin 1994 dhe në vitin 2002. Në vitin 2010 u nderua me Çmimin e Akademisë së Athinës për tërësinë e veprës së saj. Veprat e saj janë përkthyer në frëngjisht, holandisht, serbisht, lituanisht, anglisht etj. Pjesa është shkëputur nga romani i saj “Epsh ndër tëmtha”.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!