Press "Enter" to skip to content

Alma ZENELLARI: Buqetë poezish për fëmijë

Puthja e mamit

Sot në sy më zgjoi një puthje,
puthje e mamit, ç’ëmbëlsi,
si një këngë, si një lutje,
një urim plot mirësi.

Më uron të jem e mbarë,
më mbështjell si zog në gji,
më thërret e imja Sarë,
të kam yll në yllësi…

Të kam dritë që më mbush shpirtin,
të kam fllad, puhizë të ngrohtë,
sot je flutur krahëbrishtë,
nesër zog me krahë të fortë.

Kështu rritet çdo fëmi‘
mami kur e përkëdhel.
Fjalë e saj një mrekulli,
si magji prej shpirtit del.

Vjen mbi sy një yll nga qielli,
më puth ëmbël mbi qerpikë,
çdo mëngjes më ngroh si dielli,
zëri i mamit është muzikë…

 

Fli vogëlush

Fli vogëlush, udhëto mbi ëndrra,
një botë përrallash po troket.
Me ninulla, shpirt i vogël,
ti do rritesh pak më shpejt…

Është thesari i gjithë botës,
një ninullë, një shikim,
Dora e nënës përmbi djep,
është dhuratë, është bekim.

Katër kotelet

Brenda në një shportë,
ca kotele flinin,
herë flinin, herë qanin,
herë nga shporta dilnin..

Gjyshja e Fatmirit,
i mban borë të pastra,
katër vogëlushet,
me syçkat e kaltra…

Njëherë u larguan,
dolën që nga shporta,
në pyll përfunduan,
të shihnin, ç’bën bota!

Por putrat e buta,
në ferra iu vranë,
plot pendesë u kthyen,
ç’qe bota e panë…

Gjyshja e mërzitur,
s’i qortoi më kot,
të katra kokulur,
u futën në shportë.

Qesh nipçja me to,
me kotelet luan,
në lëndinë këtë herë,
të pestë vrapuan…

Lojë matematike

Më afrohen dy pëllumba,
gu-gu-gu dhe tundin bishtin,
nëse vijnë dhe tre sa bëjnë,
kush e di le të ngrejë gishtin…

Ja mbi tel gjashtë dallëndyshe,
bëjnë ci-ci-ci, oh ç’argëtim,
gjashtë të tjera vijnë pranë tyre,
se sa bëjnë a e dimë?!…

Po çfarë bëjnë dhjetë harabela,
që çukisin papushim,
unë kërkoj t’u hedh thërrime,
ata ikin fluturim…

Kështu bën dhe vëllaçkoja im,
kur sheh zogjtë të mbledhur tok,
përplas doçkat me gëzim,
i ndjek pas që t’i bëjë shokë.

Zogjtë të tërë ikin prej frike,
vogëlush ti pse çuditesh?!
Kjo është lojë matematike,
do mësosh dhe pak të rritesh.

 

V-ja e patave të egra

Pata, pata qafëgjata,
fluturojnë përmbi re,
re të bardha, re të kaltra,
stinë e nxehtë i pret atje.

Fluturojnë radhë me të tjera,
më mahnit e bëj çudi.
V-ja e patave të egra,
çdo të thotë, askush s’e di.

Fluturojnë njësh me qiell,
puthin gjurmë kaltërsie.
Ja, nga larg një goxha diell,
u hedh krahëve pluhur magjie.

Bleta zu-zu-zuuu

Unë jam bleta punëtore,
asnjë çast nuk ndaloj,
kam koshere, ëmbëltore,
shumë punoj e nuk përtoj.

Punoj shumë për vogëlusha,
përmbi lule mbledh polen,
mjaltë kërkojnë dhe ca arusha,
më ngacmojnë përherë folenë…

Kështu s’dua, s’më pëlqen,
s’kam dëshirë të më shqetësojnë,
të më prishin dhe folenë,
ca arusha që s’punojnë.

Kur të sillen mirë arushat,
s’mbaj mëri, nuk mbaj inat,
për ata dhe vogëlushët,
mjaltin tim e bëj dhuratë…

 

Si lind ylberi?!

A e dini vogëlushë ç’është ylberi,
se si shfaqet madhështor lart tek qielli?

Si shtatë ngjyrat bukuroshe lart vallëzojnë,
si mikesha njëra-tjetrën përqafojnë?

Disa pika shiu, në tokë nuk mbërrijnë,
në ajër rrinë pezull, si llambushka ndrijnë.

Mbi këto pika shiu përthyhet rrezja e diellit,
dhe i fal ylberin, me shtatë ngjyra, qiellit…

 

Harabeli krahëpranverë

S’ke frikë që vjen në shtëpinë time,
kërcen hop-hop dhe ha thërrime,
kërcen hop-hop nga unë s’ke frikë,
se mos mërzitem e të them ik?

Po t’i hap krahët me sqep çukit,
përmbi parvaze vjen më çudit,
vjen më thërret me zërin e ngrohtë,
“erdhi pranvera”, i lumtur thotë.

 

Samanta në bibliotekë

Përse qan Samanta?
kërkoj të ma thotë.
Tek syri i saj i bukur,
pikoka një dritëlot…

Pikon loti i saj,
përmbi syrin e bukur,
i them – shpirt mos qaj,
se libri s’ka humbur.

-Ah, moj teta Alma,
po të them se humbi,
mami për ta gjetur,
gjithë shtëpinë e tundi…

Po ti, ku e vure
atje tek sirtari,
mos ndoshta një engjëll,
e lexoi i pari?

Qeshi vogëlushja,
po ashtu dhe unë,
ah, moj teta Alma,
unë u tremba shumë.

Të nesërmen Samanta,
librin kish në duar.
-Unë e gjeta librin,
thirri e gëzuar.

Herë tjetër premtoj,
me libra s’do luaj,
porsi sytë e ballit,
këtë thesar do ruaj…

(Shkëputur nga libri me titull “Një libër për yjet”. I sjellim sot për fëmijët, në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë.)

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!