Press "Enter" to skip to content

Sadik BEJKO: Cikël poetik

Kënga e fundit për zjarrin

Zjarri digjet si një godinë e rrubintë.
Si re ngrihet tymi,
mjegull shkundet hiri,
rrënohet e rrëzohet e brofëtin i guximtë,
hije-dritë, natë – ditë, muzgu-agimi.

Vërshëllen e shkrofëtin,
buçet e ulërin
dhe platitet tufani dimëror në oxhak.
Por përndritur nga zjarri,
të strehuar te zjarri, kuvendohej përqark.

Ja, pllakoste heshtja:
(si heshtin të gjithë ndonjëherë kështu vallë?)
heshtnin, po ti së thelli një këngë agimesh të kuq brambullije,
për ne të gjithë që na kish përpirë tufani,
të ftohtit na kish përpirë si në një përrallë,
ku luftonin diva, shtriga me hije.

Dhe s’dëgjohej më lëngata e trojeve prej tufanit,
lëngatë njeriu nga syri i keq, magjira a xhinderoniteshin,
tok me hirin nën brambullimën e zjarrit,
ku vezullonin në miniaturë agime fantastike.

E zbruhej kjo heshtje nën tendën murmurimë
rifillonin prapë kuvendimet e mbrëmjeve.
Ç’ishte kjo e ngrohtë, e pashuar brambullimë
buruar si nga dheu në vatrat e këtyre vendeve?

Mos vallë qe zëri i ndonjë gjyshi të urtë
që digjej bashkë me zjarrin
dhe nën thinjat e platitura, nën hirin,
me rubinët e prushit fshihte nën themele
këtë rapsodi të mbrëmjes që i ngrohte gjirin?

Ç’ishte ai që në atë tufan-rropamë,
frikën dhe errësirën i tërhiqte në shpellat e mitit,
sa herë u dogj që ta dëgjonim vallë
dhe tërhiqej vatrës thellë, mbuluar prej hirit?

Dhe koha kishte të tjera drita,
të tjera këngë mbrëmjet i përtërinin.
Ne u strehuam te zjarri
…zjarri që në njërën dorë mban muzgun,
në tjetrën agimin.

Hija

Muzg dhe bijë e muzgut, edhe helmin
bën të ëmbël. Pjell bishat që kallin ankthin,
End fytyrën e qartë të përkohshmërisë
me etjen e përhumbjes, me ethen për çastin.

Bijë e muzgut, bishë e murrme, mjegull,
vërtitesh, ngushton rrathët pa klithma, pa kujë
fshin cepa, thithin ngjyra, fsheh maja,
kodrat i lëkund si të përmbysura në ujë.

Zgjeron-ngushton rrathë mbi kokën time,
ankth jam për ty, ti më je sipër re a skifter,
drithërimat, rrëqethjet nën lëkurë,
do t’i ndiej qoftë në parajsë a në ferr.

Tinëzare, hapqetë, e ftohtë vërtitesh.
Tendosem drizë kur të ndiej mbi shpatull.
Ngjitëse si lagështia shket, hyn në pore,
Në kocka e gjer në palcë më ngrin akull.

Terri yt dhe helmin bën të ëmbël,
muzg, me kushtrime bishe në mjegull.
Në rrjetat e tua jam pa shteg, pa hënë
pa truall e pa qiell… jam krejt pezull.

 

Letër Hamurabit
(nga murgari i shpellës Aram)

Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur
pse më nxore nga shpella ime,
nga budallallëku im pse më nxore?!
Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës,
po shkruaj sot rreshtin e fundit në kode.

Jam shpella ime e përvojtur, imzot…
eshtrore, e gurtë… Mjaftohem me pak dritë,
pak ujë, vaj për kandilin, pak bukë.
Tullat e librave i ha, i brej si brejtësit.
Më mjafton plasa e mekur e diellit në mur.
Thinjat e mia i trembin gjeneralët
dhe këshilltarët e tu të urtë.

Uji është drita e eshtrave të mia të thara.
S’më duhen teatrot, hipodromet,
stadiumet e vulgut, lumë djersë dhe gjak.
Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën.
Lavirhanet e tregut a të valleve,
për gjakun tim të paktë,
nuk ngrenë më rrjeta, as lak.

Pse më tundon, zoti im, me sjellje të këso bote?
Njerëzit këtu janë me nga një bodrum të zi,
me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.
Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e vetes,
për ta s’ka më nënë, mik e të dashur,
janë më të ftohtë se një gur,
më të thatë se një dru.

Në atë bodrum ata shqyhen egër mes veti.
Ti më thirre të gdhend ligje e kode për ta, imzot.
Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e xhelatit,
Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.
Ja, i hartova, merri kodet e tua,
për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.

Imzot Hamurab, më i madh se qytete dhe muret,
te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.
Uroj: në hipodromet, stadiumet, lavirhanet e tua
nga bodrumet e zinj të njerëzve,
u derdhtë më pak gjak, më pak lot i purpurt.

Dy orë blu

Ah më ikin, ç’më ikin
këngët e bulkthit, zërat e gjinkallës,
ngjyrimet e vyshkjes, tharja e barit gjer në bojën shkëmb,
zhurmat mbytëse të lumit, lodhur vapës…
më ikin. Më ha koha.
Mbase kohën e hamë,
e fikim… fije bari ndër dhemb.

Vetëm sot, vetëm sot
preka themelin e së kaltrës së errët,
një blu të pastër nate,
qiell ngjashëm me ujin – det i kthjellët.

Me përkulshmëri ajri, me freski
u godita fort, me gjethnajat flatruese blu;
mbi jelet e rrymave me shkumë
flatrova në rriptha të qielltë dhe flu.
Rrëzave, grykave, luginave
isha breg, zog e peshk, shkëmb e dru,
isha ujë i fortë lumi, pjellë lakuriqe
e përjetshme prej toke,
plis prej ajri blu.

…fëmijëria ime
çuar herët me delet blu në kullota,
nxënësi i larë në blu agu rrugës për te shkolla,
mbledhës bimësh në mal
që mëngon e rend nga nevoja,
ati im që rend te toka me qetë e kalin,
gjyshi qiraxhi që prin në blu nate karvanin…

2.
Zogjtë e vegjël çukitin me sqep në blu,
ajrin e natës kthejnë në kristale,
peneli i krahëve e pikturon në livadhe.
Një kalë përvidhet në kullota nate,
hyn te kopeja e egër e ajrit, trokon
e i thadron në blu shpatullat e kodrave,
shpatullat masive të hijeve në male…
një kalërim në lumin blu
nga hone toke në qiell të pafund nate.

Në këtë burim, në këtë lundrim,
në këtë gufim,
ne, zogj, peshq të vegjël, të ngrënshëm,
që sa hap e mbyll sytë ikim tinëz.
Ikim.
Nuk kemi kohë, na përton koha,
…na e marrin
fole në pyll zogjtë pa pendë, zogjtë e rinj të stinës.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!