Press "Enter" to skip to content

Miltos SAHTURIS: Tri poezi

Mëma

Kërkoja të gjeja shtëpinë. Rrugët ishin
mbushur me gërmadha; shihje veç mure të rrënuara
dhe gurë; asnjë frymë përqark.
Atë çast u shfaq mëma e sëmurë.
Kurrë më parë s’ish aq mirë, plot fuqi e energji.
Më mori përdore dhe u gjendëm në një dhomë të këndshme,
në shtëpinë tonë.
Unë dënesja, dënesja me ngashërime…
Dhe ajo: Mos qaj, çdokush me radhën e vet.

Dhuratat

Sot vesha një
gjak të kuq të ngrohtë
sot njerëzit më duan
një grua më buzëqeshi
një vajzë më fali një guaskë
një djalë më fali një çekiç

Sot përgjunjem në trotuar
gozhdoj mbi pllaka
këmbët e zhveshura të kalimtarëve
janë të gjithë të përlotur
por askush nuk frikësohet
qëndrojnë në të njëjtin pozicion
janë të gjithë të përlotur
por vështrojnë reklamat qiellore
dhe një lypëse që shet kulaçka në qiell

Dy njerëz pëshpëritin
ç’po bën, zemrën tonë gozhdon?
Po, zemrën tonë gozhdon
pra, domethënë, qenka poet

Koka e poetit

E preva kokën
e vura mbi pjatë
dhe e shpura te mjeku

Nuk ka gjë, më tha
thjesht është përvëluar
hidhe brenda në lumë dhe shohim

E hodha në lumë bashkë me shkëmbinjtë
atëherë ndodhi hataja
ia mori ca këngëve të çuditshme
kërciti tmerrësisht e ulëriti

E mora dhe e vura prapë mbi qafë
endesha rrugëve i dalldisur
me kokë të gjelbër gjashtëkëndëshe poeti

Miltos Sahturis (19 korrik 1919 – 29 mars 2005) është ndër poetët më të njohur grekë të pasluftës. Braktisi studimet për drejtësi, që t’i përkushtohej poezisë. Ka pasur lidhje shumë të gjatë, që prej vitit 1960 e derisa vdiq, me piktoren e njohur Jana Persaki, e cila ishte dhe drejtuesja artistike e veprës së tij. Në vitin 2003 iu dha Çmimi Kombëtar i Letërsisë për tërësinë e krijimtarisë. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë.

Përktheu Eleana Zhako

 

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!