Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: Frika nga autoriteti si anomali, që gjymton psikologjinë e individit

Romani “Dëmtuar gjatë rrugës”, i autorit Besnik Mustafaj, është një traktat i hapur mbi shoqëritë totalitare dhe aftësinë që kanë ato ta tjetërsojnë individin përmes dogmës dhe presionit. Ky tjetërsim është proces psikologjik, i cili, si katalizator, ka frikën si anomali psikologjike. Kështu, i ngecur mes një masivi ideologjie dhe presioni që ushtrohet së jashtmi papushim, individi e humbet trajtën fillestare dhe praktikisht ka tri mundësi për të stabilizuar qëndrueshmërinë individuale:
1- Të kundërshtojë me bindje dhe racionalitet gjendjen denatyrale ku ndodhet.
2- Të qëndrojë i tërhequr nga jeta, me shpresën e rreme se do jetojë jashtë vëzhgimit të këtij autoriteti.
3- Të vihet në dispozicion të këtij autoriteti për t’i shërbyer.
Në rastin e parë, me një kundërvënie të hapur, individi rrezikon ekzistencën e vet. Në rastin e dytë, nuk ka garanci se do qëndrojë gjithmonë i mbrojtur nga mungesa e vigjilencës së këtij autoriteti. Ndërsa në rastin e tretë, që predispozon me bindjen për t’i shërbyer këtij autoriteti, mund të ndodh që individi e zotëron racionalisht ose iracionalisht këtë bindje, mirëpo, në të dyja rastet, ky “shërbim” ndodh (pavarësisht cilësisë me të cilën kryhet), mbasi, në shoqëri të tilla, kontributi është më i rëndësishëm se vlera.
Po kur kjo njohje racionale mungon ose është e mangët dhe cilësia e shërbimit është e dobët, çfarë ndodh me individin?
Kjo është pyetja mbi të cilën duhet të ngrihet analiza për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”.
Në personazhin e nënës – Shoqes S – autori/rrëfyes paraqet psikologjinë e individit, anëtar të një shoqërie tradicionale, i cili, papritur, e gjen veten në një shoqëri moderne, ku skalitet “njeriu i ri”, që do udhëheqë revolucionin për të ndërtuar modelin proletar, sipas modelit të propozuar nga autoriteti.
Fabula e romanit të B. Mustafajt është e thjeshtë, në dukje naive, mirëpo pasojat që lindin prej saj nuk janë të tilla. Shoqja S. përzgjidhet nga komiteti i partisë për një detyrë tepër sekrete: të qepë një palë opinga tradicionale për Hrushovin, mikun nga BS-ja, kryetar i partisë motër komuniste ruse. Kjo detyrë naive është maja e ajsbergut, që e mbështjell me mister atë që do të ndodhë më vonë.
Pas kësaj, për Shoqen S. tani ka detyra të tjera më të rëndësishme, sepse ajo cilësohet “një yll në ngjitje” dhe i kërkohet që të shërbejë me devotshmëri, për ta mbajtur sa më të shëndoshë vijën e partisë. Kjo nuk është më një shaka, Shoqja S. e ndien ndryshimin dhe të tjerët e vënë re; kjo e trishton, por ajo e di që nuk ka më kthim prapa.
Një qenie naive, por e shëndetshme mendërisht, e zbrazur nga ideologjia, është një mjet mbresëlënës për t’u përdorur, ndaj autoriteti mendon se ajo duhet të udhëheqë ideologjinë e shëndetshme, mbi bazën e së cilës do krijohet njeriu proletar.
Për personazhin e nënës (Shoqen S.), kjo nuk është e lehtë. Mungesën e racionalitetit, ajo duhet ta zëvendësojë me shembujt e gatshëm që i serviren, të cilët i japin përgjigje se si duhet të jetë dhe si nuk duhet të jetë. Kështu, ajo ka dy modele për të zgjedhur se si dëshiron të sillet: shoqet Rushe dhe Kumrie, të cilat janë modeli i ri i partisë, i gruas proletare, dhe simbolizojnë asimilimin gjinor, në bazë të doktrinës së rreme mbi barazinë gjinore dhe modelin e fqinjës, Dritës, një qenie e brishtë, e anatemuar nga paria revolucionare, pa bërë asnjë faj.
Thellë brenda psikologjisë së Shoqes S. luhet një luftë e ashpër. Diçka i thotë se Drita është modeli i duhur, ndërsa frika e shtyn të zgjedhë shembullin e shoqeve Rushe dhe Kumrie.
Kështu, ajo mendon se tani i mbetet vetëm të kuptojë atë që po bën në mënyrë racionale. Blen çdo ditë gazetën, që i ofron një dije dogmatike, të cilën ajo arrin ta zotërojë në mënyrë gati teleologjike.
Ndërkohë ngjarjet ecin, situatat evoluojnë, ndodhin shumë ngjarje. Kryesorja, prishja e marrëdhënieve me BS-në, lëkund pozitat e Shoqes S. Ajo ka qepur opingat për Hrushovin dhe të tjerët nuk e harrojnë, as autoriteti s’e harron, rrjedhimisht nuk është më një yll në ngjitje, por në rënie. Autoriteti nuk ka më nevojë për të. Tanimë ajo është një minierë e shfrytëzuar. Mirëpo, derisa të mbërrijmë, këtu, ndryshimi që ka ndodhur te personazhi të mbush me keqardhje. Rrugës, ajo është gjymtuar, është shformuar dhe nga ajo vajza e brishtë, që u thirr për t’i qepur një palë opinga Hrushovit, nuk ka mbetur asgjë. Ajo çfarë ka mbetur, është kujtimi i asaj që iku; një ëndërr e keqe, e pariparueshme.
Tanimë historinë e nënës (Shoqes S) e tregon i biri shkrimtar. Toni autorial, në këtë pjesë të romanit rritet, bëhet më i qartë në rrafshin pragmatik. Gjithë lumi i komentit psikologjik i nxitur nga frika është lënë pas, sistemi komunist ka rënë, autoriteti i tij ka vdekur bashkë me frikën, mirëpo tjetërsimi është i pakthyeshëm. Nëna mendon naivisht se ka qenë vetëm ajo pre e një autoriteti shtypës, mirëpo i biri shkrimtar nuk mendon kështu, sepse e di se ajo ishte thjesht njëra nga viktimat e shumta, që, ndryshe nga të tjerat, pati fatin që për të u shkrua një roman.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!