“Dëmtuar gjatë rrugës” është romani i fundit i Besnik Mustafajt. Personazh kryesor është nëna. Si të gjitha nënat, nëna-personazh është një minierë pikëpyetjesh, pasigurish, arritjesh, lumturish të vogla e të mëdha, zhgënjimesh e ankthi. Fabula është e thjeshtë: një grua –nëna- thirret në zyra dhe i kërkohet të përgatisë një dhuratë për një udhëheqës. Befas gjendet në një valle, që nuk di ta kërcejë. Herë do që ta mësojë e herë jo. Asgjë më shumë. Po si shkruhet një roman me këtë subjekt? Si intrigohet lexuesi, nga një fabul me kaq pak dramaticitet, me kaq pak dashuri të zjarrta, pa vrasje të kobshme? Sekreti gjendet te shkrimi. Në këtë roman, shkrimi është festa e lexuesit, është emocioni i tij, është arritja më e bukur e autorit. Nëse lexuesi klasik ndjek me emocion se si rritet, ndryshon, përfshihet në valë emocionesh ideologjike, ecën përpara, trembet e bën pyetje, larg qoftë të hapura, Nëna-personazh është në fakt njeriu shqiptar i pas LDB-së, i rënë në kurthin e një ëndrre, e një shprese se do të mund të jetohet më mirë e më me dinjitet. Lexuesit i jepet shansi i leximit, i kuptimit të një skeme marramendëse mashtruese e rrënuese për njeriun, kurthin e paimagjinueshëm për njeriun, këtë qenie që ka shpresë, që sheh më larg se një shuarje urie apo etje të çastit, që projekton të ardhmen, duke bërë ashtu siç i jepen mundësitë, më të mirën, në të tashmen e tij. Ja pse shumë prej personazheve të sjella në libër s’kanë as bashkëngjitje emocionale, heroizëm apo armiqësi të madhe me atë që po ndodh; kanë kryesisht pyetje, ata që kanë dyshime, i fshehin ato, pasi ka “një sekret shtetëror” (“edhe një sekret antishtetëror duhet të ketë e që të dy lidhen me këmbët”, arrin diku në konkluzion personazhi kryesor), një gjë që ata s’mund ta shpjegojnë, përveçse me lepurin në bark, me tmerrin, i cili, edhe pse nuk shfaqet aq dukshëm në libër, noton si helm i verdhë në shpirtin e secilit.
Autori është personazh në libër. Foshnje, pastaj fëmijë, që thotë fjalë me dy rrokje, për të përfunduar, politikan dhe ministër, që, pavarësisht “dëmtimeve gjatë rrugës”, arrin të mbetet njeri dhe shkrimtar. Dy heronjtë kryesorë, Nëna dhe Biri, konceptohen si konstruktues, bartës dhe përcaktues të rrëfimit, skeleti i anatomisë së romanit. Rrjedhimisht dalin artistikisht të motivuar, kuptimisht funksionalë. Ata janë personazhe-ide, të cilët, duke rrëfyer vetveten, rrëfejnë subjektivitetin e tyre, në të njëjtën kohë sjellin realitetin e jetës. Shndërrohen në fund të fundit në shenja letrare të harmonisë, kompleksitetit dhe kontradiktave të shoqërisë. Personazhi-Nënë bëhet veçanërisht i dashur për lexuesin kur arrin në konkluzione mbi botën dhe jetën, që na bëjnë të vëmë buzën në gaz me naivitetin sublim e që vihen menjëherë në pikëpyetje, me druajtje, por edhe me vendosmëri, duke na bërë prapë të ndjekim me pasion dallgët në shpirtin dhe mendjen e saj. Pikërisht në përshkrimin e përsosur të këtyre dyshimeve, të ndjesive të holla, të përfundimeve të paparafytyrueshme, në të cilat ajo arrin, autori e ka shndërruar Nënën në grua aq komplekse dhe rrëfimin në roman në kënaqësi pasionante leximi.
Nga ana tjetër sillet në roman edhe bota e zyrave, e pushtetit, e mistifikimit, propagandës dhe frikës, dhunës dhe shpërfytyrimit që i vjen njeriut nga ushtrimi i pushtetit. Vullneti dhe pasioni për t’i shërbyer pushtetit, sidomos nga njerëz të niveleve të ulëta e periferike nuk vjen si nevojë për përfitim vetjak, por si bindje e brendshme, ani pse e errët, për të bërë diçka ndryshe, për ta bërë gjithë popullin përfitues nga sukseset që do arriheshin në të ardhmen. Nga kjo pikë këqyrjeje, edhe personazhet “negative”, janë aq pozitive e të motivuar sa që të rrëmbejnë me entuziazmin e tyre. Ky lloj ekuilibri apo kjo sjellje jo paragjykuese për ta, i sjell sekretarët, shokët e shoqet komitetit shumë më afër realitetit, duke sugjeruar se përmbysja e iluzionit do t’i përfshinte edhe ata në një zhgënjim të thellë. Në rrafshin letrar, ato personazhe armatosen me të gjitha mjetet politike të kohës, të cilat i përdorin për të ushtruar pushtet e ngjallur frikë, por autori kujton diku se “Nëna ka menduar përgjatë tridhjetë vjetëve se askush nuk kishte një hall më të madh sesa ajo”. Kjo fjali do mjaftonte që lexuesi i mençur të kuptojë se secili njeri i asaj e kësaj kohe, i të gjitha kohërave, digjet e përvëlohet në brendinë e tij, bart kryqin dhe dramën individuale. Pikërisht te kjo mënyrë shkrimi, tek aftësia romanore për ta parë botën dhe subjektin në natyrshmërinë dhe dramacitetin e vet të brendshëm, besoj se qëndron në masë të madhe suksesi letrar i këtij autori te lexuesi i brendshëm, po aq sa ai i huaji.
“Dëmtuar gjatë rrugës”, bashkë me “Vera pa kthim” dhe “Një sagë e vogël”, përbëjnë shortlistën e romaneve të Besnik Mustafajt, që me dëshirë ua sugjeroj lexuesve e me po kaq dëshirë do t’i rilexoj vetë.
Të tjera nga ky autor:
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur
- Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”
- Alpenperle (Pjesa e dytë)
- Alpenperle (Pjesa e parë)
- “Casa-Casino”-roman si një lirikë dashurie
- Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias
- Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit
- Arbër AHMETAJ: Mbijetesa e një personazhi të vdekur
- Arbër AHMETAJ: Shenjti Valentin
- Arbër AHMETAJ: Burrë i puthur (cikël poetik)
- Arbër AHMETAJ: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Arbër AHMETAJ: Guri
- Arbër AHMETAJ: Ora e dashurisë
- Arbër AHMETAJ: Para e madhe, varfëri e madhe
- Arbër AHMETAJ: Muzeu i melodive

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.