Press "Enter" to skip to content

Flamur Hoxha: Kontributi në botimet e shqipes është detyrim, jo bamirësi

Ju keni lidhje të forta me botimet letrare; a shkruani vetë letërsi?
Jo, nuk shkruaj, por e shijoj si gjënë më të mrekullueshme. Letërsia mendoj se është veprimtaria më e zgjedhur që hedh themelet e shpirtit, kujtesës dhe emancipimit njerëzor.

Çfarë ju lidh me të?
Me letërsinë dhe shkrimin në tërësi më lidh shumë thellësia e zhytjes në botën e shkrimtarit apo poetit kur lexoj një roman, tregim apo poezi. Por koha për një sipërmarrës si unë është gjithmonë e paktë dhe kalon në sakrificë.

A mendoni se qeveria shqiptare duhet të mbështesë promovimin e letërsisë shqipe në botë?
Sigurisht! Edhe brenda vendit, gjithashtu, duhet mbështetur letërsia dhe krijimtaria. Nëpër botë patjetër, sepse shkrimtarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, janë ambasadorët më specialë që ka kombi ynë jashtë kufijve.

Nëse do ishit në parlament apo në qeveri, si do të vepronit?
Nëse do e kisha në dorë, do i jepja vëmendje të madhe mundësisë së mbështetjes nga shteti të artit e sidomos letërsisë. E shoh si detyrim që shteti duhet ta ketë për të mbështetur dhe është mënyra më e drejtë e të shpenzuarit të taksave qytetare. Sepse ky kontribut rikthehet brez mbas brezi për çdo shqiptar, pasi sot shumica e shqiptarëve janë nëpër botë. Dhe shkrimtarët janë ata që përhapin dhe mbrojnë anembanë, në çdo cep të globit, trashëgiminë dhe historinë tonë shekullore.

Ju keni kontribuar shumë edhe financiarisht për letërsinë̈. E konsideroni këtë si bamirësi, apo detyrim moral?
Bamirësi? Aspak! Indiferencën e shtetit dhe shtresës së udhëheqjes ekonomike të vendit më duhet ta quaj tallje dhe fatkeqësi për letërsinë shqipe, por kjo ndodh për gjithë kulturën shqiptare dhe është reflektim i kulturës së mangët të politikës.
Detyrim moral? Po, nga këndvështrimi im do thosha që kontributi në përparimin e kulturës dhe letërsisë së vendit është detyrim moral. Çdo kontribut është një investim që të pasuron shpirtërisht e moralisht kundrejt çfarë pak bëhet nga qeveria, politika apo biznesi.

Ju jeni patroni i revistës “Illz”; keni mbështetur dhe botime të tjera…
Patron është fjalë e madhe, por jam përfshirë e kam mbështetur gjithnjë zhvillimet letrare, të jem kontribuues jo vetëm me blerje librash. Kam mbështetur dhe vazhdoj ta mbështes në mënyrë konstante revistën “Illz”, revistën letrare të Tiranës, që e boton “Klubi i poezisë”, që këto ditë nxjerr numrin e tridhjetë. Kjo është një histori suksesi, që do t’i kishte hije shtetit ta mbështeste.
E konsideroj të çmuar kontributin për botime të rëndësishme për letrat e shqipes, si psh: dymbëdhjetë vepra të profesor Shefqet Hoxhës, që kanë të bëjnë me pasurinë shpirtërore të trevave të qarkut Kukës e më gjerë, një pasuri e jashtëzakonshme e trashëgimisë sonë shpirtërore. Personalisht apo me kompaninë kemi mbështetur botimin e një serie librash të autorëve serbë, që kanë mbjellë e rritur urrejtjen ndaj shqiptarëve, që njerëzit tanë t’i dinë e njohin ato libra. Kemi mbështetur plot libra të zgjedhur dhe të veçantë, që ka botuar “Klubi i poezisë”, apo antologjinë e parë ballkanike me 54 poetë nga 12 vende të Ballkanit. Kemi botuar veprën e plotë me mbi 5 mijë vargje të poetit Havzi Nela, si dhe librat e Vilson Blloshmit e Genc Lekës, poetë të pushkatuar nga komunizmi.
Promovimi i shkrimtarëve të varur, pushkatuar e të vdekur në burgjet e regjimit komunist ka qenë e është pjesë e rëndësishme e vëmendjes sime. Çdonjëri nga ne ka qëllimet dhe subjektet e veta të rëndësishme; dikush tjetër mund të mbështesë të tjerë autorë e botime; vetëm me kontributin e të gjithëve, letrat shqipe do zënë vendin dhe vëmendjen e duhur. Mbështetja e letërsisë dhe botimeve është mbështetje për gjuhën, kulturën dhe shpirtin e pavdekshëm të kombit tonë.

Bisedoi Arbër Ahmetaj

Të tjera nga ky autor: