fbpx Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias

I rifillova studimet në farmaci në moshën dyzetë vjeç. Karriera e diplomatit u pre pashpirtshëm në një mbledhje gangsterësh politikë në vitin 1997.
– Të pirdhet ai malok! – ishte urdhri i ministrit, që u shkruajt më me delikatesë, gjithsesi.
Laboratori i Histologjisë i kishte dritaret nga rruga “Ernst Ansermet”, buzë lumit Avre. Studentët e farmacisë mësonin më tepër teknikat kimike të ngjyrosjes së kampioneve qelizore sesa zbulonin ndonjë patologji anatomike, fiziologjike apo biokimike. Gjithsesi ishte një provim për t’ia arritur diplomës. Më shumë se gjithçka më bëri përshtypje profesoresha italiane, Lavinia Portaluri. Kishte sy shumë të mëdhenj dhe një kontrast të thellë mes ngjyrës së ullinjtë të tyre dhe lëkurës së bardhë, thyer me një rozë të blertë mollësh. Flokët i kishte në nuancë të errët, por jo krejt të zeza. Poshtë bluzës së bardhë të punës dalloheshin fragmentet e një fustani plot e përplot me lule. Udhëtimi im në planetin e pasfustanit të saj… nejse. Po ndalem. Zëri i saj përputhej me pamjen; kishte diçka nga Paganini dhe tercinat e “Parajsës” së Dantes. Pas një hyrjeje të përgjithshme, u ndal në detaje kimike të solucioneve ngjyrosëse, që përbënin shpirtin e vërtetë të kursit tonë. Laboratori plot me ngjyrues e tretës i ngjante pak studiove të piktorëve të peizazheve me bojëra uji, por me emra të saktë kimikë: Hematoxiline ferrik, Fuksine acide, Karmine, Reaktivi i Shiff, Acide Pikric e kështu me radhë. Në anën më të ndriçuar të laboratorit renditeshin dhjetëra mikroskopë elektronikë, përdorimi i të cilëve qe sport më vete për mua. Ky univers gjithë dritë shihte në të njëjtën lartësi me gjelbërimin e pemëve jashtë dritareve. Rrape të mëdhenj plot e përplot me insekte, flutura e zogj, që jetonin si të mundnin mes kurorave të mëdha. Hija e tyre freskonte ujërat e kthjellëta e të urta të lumit Avre.
Pasi na ndihmonte të përgatisnim pllakat e vogla prej qelqi të kampioneve qelizore dhe i vendosnim në mikroskopë, Lavinia kalonte te secili prej nesh. Na shpjegonte anë të ndryshme të ngjyrosjes, përbërësit proteinikë të membranave, të organeve qelizore, praninë e enzimave patologjike dhe diferencën mes tyre. Ajo që shihja unë qe një pikturë e magjishme psikedilike me forma të shkujdesshme. Ngjyrat e ndezura, udhës për në tru përmes syrit dhe nervit optik, po i jepnin fushëpamjes sime një botë të magjishme, të ngrohtë, me një tërheqje të rrezikshme, thua se kisha pirë ndonjë çaj lulëkuqesh. Lavinia rrinte pas supit tim e më jepte informacione se në cilën anë të qelizës të shihja, se si mund e duhej ta interpretoja ngjyrën mangenta dhe thyerjen e saj në një violet të hapur; kufijtë qelizorë me të kuqe të ndezur, buzë disa ishujve blu të thellë, që përbënin organet e brendshme të qelizës, e cila po vëzhgohej nga një malok shqiptar nën kujdesin e një doktoranteje italiane, në një prej laboratorëve më të sofistikuar europianë. Dikur më kërkoi t’i largohesha mikroskopit e të shihja bashkë me të paraqitjen grafike të kampionit, mbushur me shpjegime të detajuara pas shigjetave të imta. Truri më notonte në atë botë ngjyrash, turbulluar nga kimia e pranisë trupore të Lavinias. Prej përgjigjeve hezituese, ajo vërejti se njohuritë e mia në kimi ishin më të kufizuara se të studentëve të tjerë. Besoj kjo ishte arsyeja se pse u kujdes më shumë për mua.
– Herë më ngjajnë si peizazhet e Nazmi Hoxhës, herë si ornamentet në sfond të portreteve të Gustav Klimt apo si te “Fusha e lulëkuqeve”.
Lavinia hapi pak buzët e tulta gjithë prush e ia dha një të qeshure gurgulluese, sa m’u duk se në laborator hynë njëherësh të gjitha ujërat e kristalta të alpeve. Studentët e tjerë kthyen kryet nga ne. M’u duk vetja si gur kristali ndriçuar nga brenda, një lloj shkëmbi viskoz i sapodalë nga shpirti i vullkanit. Pata përshtypjen se gjithkush mund t’i shihte organet e mia të brendshme, se isha krejt i tejdukshëm, si silueta e druajtur e një kodrine pas një mjegulle të tejpashme, që ngrihet prej një lumi të fjetur. Drita e ngrohtë e një dielli që akoma s’kishte lindur i jepte fytyrës sime nuancën rozë të një trëndafili të hutuar nga vesa. Ora e mësimit mbaroi.
U takuam shpesh gjatë atyre muajve. Ajo e kishte vënë re se isha “kalimtar rasti” në ata laboratorë. Më kërkoi t’i jepja më shumë të dhëna për mikun tim piktor, mbiemrin e të cilit ajo e shqiptonte “Oxa”. I tregova që në studion e tij, në rininë time, kisha mësuar ngjyrat, muzikën dhe pyetjet. Vizituam së bashku fondacionin “Giannada” në Martigny, ku asaj vjeshte u hap një ekspozitë e Klimt. U ndalëm gjatë para “Puthja” . Një fundjavë morëm trenin dhe përfunduam në një shtëpi të rrethuar me vreshta në Toskanë. Lavinia më tha që ishim fqinj me Bokaçion e donte që unë t’i rrëfeja dhjetë histori dashurie, siç bëjnë personazhet e librit “Dekameroni”, në vilën ku Bokaçio dhe miqtë e tij i shpëtuan murtajës në shekullin XIV. Ajo telefonoi një restorant jo shumë larg për të porositur darkën tonë, ndërsa unë hyra në banjë dhe fillova të numëroja historitë e dashurisë që mund t’i tregoja. M’u tha pështyma. Gishtat e njërës dorë jo vetëm që më mjaftuan, por më tepruan katër prej tyre. Unë kisha vetëm një histori. Atë që po përjetoja me Lavinian. Ia thashë kur po pinim verë. Ajo qeshi si fëmijë e më puthi. Nata u përflak në trupat tanë…
Të nesërmen u ngrita herët në mëngjes. Qe fundtetori, freskët, dita plot diell. U ula në ballkonin e vilës e po këqyrja kodrinat e buta mbushur me vreshta. Gjethet e tyre kishin marrë ngjyrë të artë. Në oborr, disa pemë me gjethe të kuqe dukeshin si grumbuj zjarresh. Era luante me fletët e ato dridheshin si gjuhëza flake. Bari i gjelbër po avullonte e bryma e mëngjesit krijonte një tis të blertë mbi të. Mbylla sytë. Doja ta ruaja në retinë gjithë atë botë të ngjyrshme, atë festë e gëzim nuancash. Në atë gjysmë dehje ndjeva praninë e Lavinias. Ajo uli kryet e më puthi në faqe. Flokët e saj më përkëdhelën qafën. Ndjeva përbrenda të më ndizeshin mijëra drita, që afroheshin e largoheshin, ndizeshin e shkimeshin si yje të habitur. Diku vezulloi një diell lojcak, që s’po më linte qoshe e skutë të trupit pa ndriçuar e ngrohur. Kjo bëri që feksjet e mëparshme të shuheshin e krejt qenia ime të shkëlqente. Në vend të qelizave kisha fotone. Hapa sytë. Lavinia e bukur m’u ul në prehër.
– Të rrëzëllen fytyra nga një dritë e magjishme! – më tha. Duke parë sytë e saj të lëngshëm, ngjyrë ulliri në të blertë, kuptova se nga më vinte.

Në provimin e Histologjisë mora notë jokaluese. Profesoreshë Lavinia u mërzit.
– S’ka gjë, – i thashë, tek ecnim kapur përdore buzë lumit Arvë, – sezonin tjetër do mësoj më mirë!
Siluetat tona përthyheshin në mijëra pasqyrëza ujore.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!