Sa hyri, hodhi vështrimin te lulja e kaktusit, që s’ishte ujitur për muaj me radhë. Tashmë, i shëmbëllente një krijese të rreshkur shumëvjeçare, dhe gjembat e venitur, nuk kishin më hijen e mëparshme kërcënuese. Nuk ishte kaktus shkretëtire, nuk do mundej të rezistonte mote të shumtë pa ujë, nuk ishte rrahur nga erërat përvëluese. Ishte një kaktus dhome, që kërkonte dikë të përkujdesej për të, të përshëndetej me njerëzit, t’i çiknin lehtas gjembat, shoqëruar nga pasthirrma të vogla, dhe rrëkeza uji t’i lagnin trupin. Nuk donte të përfundonte në koshin e mbeturinave përbri. Do ngadalësonte vdekjen, duke aktivizuar çdo qelizë rigjeneruese, që trashëgonte nga stërgjyshërit e tij të shkretëtirës. Kur ndjeu hapat e saj, u mundua të ngrejë kryet e varura. Ajo, me një ndjenjë trishtimi, u orvat të zbrazte saksinë në qeskën e mbeturinave, por një çast më vonë, i hodhi pak ujë kërcellit, si akt i fundit pendimi. Pas dy ditësh, gjethet filluan të ngjyroseshin sërish me një të gjelbër të thellë dhe shtati nisi të merrte zhdërvjelltësinë e harruar. Ishte ky çast i ndërmjetëm, mes flakjes e pendesës, që do i falte ringjalljen kurmit të tij gjëmbor.
Të tjera nga ky autor:
- Tri tregime të shkurtra
- Eleana ZHAKO: Poezi
- Balta (fragment)
- Janis RICOS: Fjalë mishtore – Erotika
- Ahileas KIRIAKIDHIS: Në radë¹
- Zirana ZATELI: Epsh ndër tëmtha (fragment)
- Miltos SAHTURIS: Tri poezi
- Dimitris DIMITRIADIS: Apokalipsi i Kasandrës (fragment)
- Janis RICOS: Histori erotike
- Kiki DIMOULA: Mbi kufoma
- Koha kalon përmes syve të saj
- Nikos KAZANTZAKIS: Asketika (fragment)
- Kiki DIMOULA: Përpikëri
- Maria PATAKIA: Cikël poetik
- Yannis TZANETAKIS: Cikël poetik
- Takis SINOPULOS: Kënga e këngëve
- Janis RICOS: Mëhallat e botës (fragment)
- Kiki DIMOULA: Fraksion
- Costas MAVROUDIS: Dy tregime të shkurtra nga “Pavdekësia e qenve”
- Vdes siç vdes një vend