fbpx Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Ditëlindja

Makina gërvishtte kilometrat njëra pas tjetrës. Anash autostradës, që të çon aty ku puthet jugu i Belgjikës me veriun e Francës, natyra sapo kishte filluar të përtërihej pas dimrit të gjatë. Qytetet e vogla nga të dyja anët e rrugës, me kambanoret e kishave dhe çatitë e kuqe të shtëpive, shfaqeshin e zhdukeshin me të njëjtën shpejtësi. Një hare e ëmbël e kish pushtuar Gregun dhe Natalian. Ndiheshin si dy adoleshentë të sapodashuruar; me jetën, natyrën dhe njëri-tjetrin. Njiheshin prej pak muajsh, por ndanin goxha kohë bashkë. Për herë të parë u takuan vjeshtën e shkuar, në një galeri arti, ku ishin ekspozuar pikturat më të mira të disa maturantëve, që prisnin të diplomoheshin. Mes tyre edhe mbesa e Natalias dhe nipi i Gregut. Për çudi, të dy ishin fiksuar te piktura kubiste e Flavias bukuroshe, që i ngjante shumë në pamje gjyshes së vet. Gregu i përthithur nga ngjyrat e ndezura, që ia sillnin çuditshëm një copëz realiteti në forma gjeometrike, as nuk e ndjeu kur e goditi me bërryl Natalian. Në fillim, asaj iu duk arrogant dhe i pasjellshëm, por, kur pa hutimin e tij, qeshi dhe iu afrua:
– Nuk do zemërohesha nëse do të më kërkonit falje, – i pëshpëriti pranë veshit.
Gregu sikur u përmend nga një ëndërr, por nuk kuptoi asgjë. Atëherë Natalia ia shpjegoi dhe shtoi:
– Por po jua fal, sepse jeni hutuar pikërisht nga piktura e sime mbese.
Buzëqeshën të dy. Me elegancën e një francezi, Gregu i kërkoi falje dhe si shpërblim i shërbeu një gotë shampanjë, që ia rrëmbeu në çast vajzës simpatike që vinte rrotull galerisë me tabaka në dorë. Që nga ai çast nuk ia shqiti më sytë për asnjë sekondë Natalias. Dhe fytyra i ndriti nga kënaqësia kur kuptoi se jetonte e vetme. Dëgjoi të mbesën kur iu lut të shkonte nga ajo atë natë: “Eja sot, nuk ta rrëmben njeri vetminë e shtëpisë. Atje do ta gjesh prapë”. Sa e bukur iu duk kur buzëqeshi, teksa përqafonte Flavian.
Gregu sapo kishte kapur të shtatëdhjetat. Mbahej tepër mirë fizikisht dhe i kushtonte rëndësi të madhe dukjes. Me makinën sportive “Porsh” dukej edhe më trendy. Dielli i asaj dite ngrohte bukur fort, ndaj Gregu e kish hapur komplet tavanin e makinës për ta shijuar edhe më shumë. Natalia atë ditë mbushte plot gjashtëdhjetë e pesë vjet. E bukur. Botoksi, që nuk e ndante kurrë, e tregonte edhe më rinore. Ashtu ishte edhe në lëvizje. E donte jetën dhe mundohej t’i rrëmbente asaj çdo grimë gëzimi. “Një djallushkë e gjysmë je”, e ngacmonte shpesh Gregu dhe ajo qeshte. Për të festuar ditëlindjen e “së voglës Natali” – kështu e thërriste ai burrë i pashëm dhe gojëmjaltë – Gregu organizoi gjithë fundjavën në një nga shtëpizat e drurit në veri të Francës. Natalia u hodh përpjetë e përplasi duart gjithë gëzim, njëlloj si një vajzuke. E lumtur.
Një orë e pak rrugë as që e ndjenë fare. Teksa ecnin ngadalë rrugicave të ngushta të lagjes ku do bujtnin, u çuditën nga buzëqeshja vesh më vesh e banorëve të paktë. Të gjithë i përshëndesnin dhe u uronin fundjavë të bukur.
– I kam lajmëruar për ditëlindjen tënde, ndaj kanë dalë të të presin me kaq dashamirësi, – bëri shaka Gregu, teksa zbrisnin nga makina.
Natalia iu mblodh në gjoks, si një mace e urtë, dhe i dha një të puthur të shpejtë. Morën bagazhet dhe u drejtuan për nga hyrja e shtëpizës prej druri, ku i priste Rudi. Një burrë i vogël, thatim, me mustaqe të rregullta, lëkurë të rruar për merak e flokë të shpupuritur. Dy burrat ishin moshatarë, por Gregu dukej të paktën dhjetë vjet më i ri nga ai burrë, që jeta e kish plakur para kohe. Me një djalë të sëmurë e gruan e moshuar, bënte më tepër nga ç’mundej për të jetuar. Edhe shtëpizën e drurit e kish ngritur vetë të gjithën. Burrë punëtor dhe i dedikuar.
– Jua kam ndezur edhe oxhakun. Të gënjen dielli i marsit. Gjithçka është gati, – tha dhe e ftoi çiftin brenda.
Natalia hyri e para. Kapsalliti sytë e zuri gojën me duar e mahnitur. Nuk mundi të fliste. Përpara saj u shfaq një tavolinë e rregulluar dhe shtruar për dy vetë, me gjithfarë pjatash elegante, verë dhe një tortë e madhe me çokollatë, ku shkruhej: “Gëzuar ditëlindjen, e vogla ime”. Mbi të flakëronin dy qirinj gjigantë. Pikërisht atë çast, Rudi shtypi butonin e manjetofonit dhe në dhomë u derdhën tingujt e këngës “Happy birthday”. Natalia mbylli sytë, mendoi një dëshirë e fryu qirinjtë. Pastaj iu var Gregut në qafë. Ishte prekur shumë nga përkujdesja e tij. Kishte organizuar gjithçka nëpërmjet telefonit me Rudin e mirë, që nxitoi t’i linte vetëm.
Zjarri bubulak në oxhak, ambienti i vogël, por tejet mikpritës, panorama e bukur jashtë dritareve, ia mbushën shpirtin Natalias. Pasi hëngrën, folën, u përkëdhelën për aq sa u lejonte tavolina e Gregu hapi shishen e dytë të verës, u ulën ta shijonin pranë vatrës, në shiltet e buta prej lëkure deleje. Si një djalosh moskokëçarës, Gregu shtriu këmbët e ajo mbështeti shpinën pas gjoksit të tij. Ai e pushtoi të gjithën me krahët e gjatë e plot muskuj.
– A mund ta di dëshirën që shprehe më parë? – e pyeti, teksa u merrte erë flokëve të saj.
– Do të ta them nëse më plotësohet, – qeshi ajo dhe tepër ledhatare i shtypi hundën me gisht.
Muzika e lehtë në sfond këndonte: “Waitin’ on a woman” nga Brad Paisley.
– Të kam pritur gjithë jetën, – i tha Gregu tepër i përfshirë dhe e puthi lehtë në qafë.
Ajo u kthye nga ai, ia mori fytyrën ndër duar dhe i pëshpëriti lehtë:
– Të dua, plakushi im!
Jashtë muzgu po binte lehtë mbi majat e pemëve. Drita e flakëve të oxhakut, të qirinjve të ndezur kudo nëpër dhomë, vera që derdhej nëpër gota sapo ato boshatiseshin dhe e gjithë atmosfera e ngrohtë, i ripërtëriu dy të dashuruarit. Puthjet morën shijen e pijes dhe trupat u ndezën e u kapërthyen si gjuhët e flakëve. Befas Gregu u ngrit, pasi e puthi edhe njëherë furishëm, dhe i tha:
– Më prit, shpirt. Kthehem në çast.
Rrëmbeu valixhen, rrëmoi nëpër të nxitimthi, nxori një tubet dhe iu hodh sipër të dashurës së tij me zhdërvjelltësinë e një djaloshi.
– Pak lubrifikant do të na ndihmojë, shpirt, – i tha dhe Natalia pranoi duke qeshur.
Gregu shtrydhi kremin në portën e parajsës ku mezi priste të hynte, por pa hequr ende qafe tubetin, Natalia ia dha ulërimës…

Në urgjencën e spitalit të Charleville-Mézières, Gregu, mbështetur në një nga stolat e kuq të dhomës së pritjes, gati sa s’u çmend. Ajo që duhej të ishte një nga netët më të bukura me të voglën e tij, ishte kthyer në dramë. Kur infermierja e lejoi ta shihte më në fund Natalian, ai brofi në këmbë e gati sa nuk vrapoi deri te dhoma e saj. Me sytë e futur brenda zgavrave nga trishtimi, iu afrua, e puthi në ballë dhe i pëshpëriti:
– Më fal, shpirt!
– Nuk është faji yt, – ia ktheu qetësisht Natalia dhe belbëzoi si nëpër dhëmbë një frazë në anglisht: – “Careful what you wish for[i]”.
– Nuk po të kuptoj, – i tha Gregu, i sigurt se po fliste përçart prej qetësuesve.
– Tani do ta them çfarë dëshirova kur fryva qirinjtë: të përjetoja natën më të çmendur të jetës sime. Dhe ja ku u bë. Tash e tutje do bëj kujdes me dëshirat, ndërsa ti kujdesu të mos e ngatërrosh më lubrifikantin me ngjitësin e protezës.
Atë natë do ta kujtonin duke qeshur gjithë jetën.

[i] Kujdes çfarë dëshiron

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!