Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit

“Apokalipsi i Kasandrës”

Dimitri Dimitriadis nën përkthimin e Eleana Zhakos

Emrin e përkthyeses e hasim shpesh. Nga greqishtja në shqip. Ajo që bie në sy është përzgjedhja sqimatare e autorëve të letërsisë së vendit fqinj. Janë botuar në shqip deri tash libra të përkthyer nga Eleana të autorëve si Ricos, Kazanxaqis, Dimitriadis etj. Po ashtu, ka përkthyer disa autorë shqiptarë nga shqipja në greqisht, si: Ardian Vehbiun, Jeton Nezirajn, Ylli Demnerin, Mitrush Kutelin, etj. Kjo dëshmon një atashim të sinqertë e të thellë kulturor, një bazament solid gjuhësor në gjuhët e fqinjëve të vjetër. Përmes Revistës Letrare, ajo ka sjellë edhe dhjetëra autorë të tjerë grekë në shqip me një elegancë gjuhësore që bie në sy. Pikërisht kjo aftësi më bëri përshtypje te libri “Apokalipsi i Kasandrës”, një poemë e rrallë për nga forma dhe subjekti, një rimarrje e mitit të vjetër të dashurisë fillimisht të pamundur, mes Apolonit dhe bijës së bukur të Priamit, Kasandrës. Thelbi i mitit mund të jepet me pak fjalë: Kasandra bie në sy të Apolonit, këtij banori të lagjes së zotave. Bija krenare e Priamit refuzon dashurinë e tij. Apoloni e mallkon që askush të mos ia besojë profecitë. Jeta e saj shndërrohet në ferr! Parasheh gjithçka, klith me zë të vërtetën, por askush nuk e beson. Këtu mbaron miti e fillon poema.

Kasandra i jepet Apolonit, dashuria e tyre është subjekt i poemës. Ose më saktë rrëfimi i Kasandrës: ajo qan për refuzimin trishtues, qan me bindje të thellë se ishte gabimi më tragjik i jetës së saj të mëparshme. I këndon pohimit, dhënies së plotë në një dashuri hyjsh, me një zjarr e dritë të pashoqe në partiturat e dashurisë. Erotizmi i pastër, djegia e pashpirt në pasion, përjetimi i dashurisë si përvëlim i pakthyeshëm, si shndërrim në hi, si synim në vetvete dhe si i vetmi synim jepet përmes dehjes dhe ëndrrës, pasionit mishtor, si të vetmet gjendje përmes së cilave njeriu realizon ndjesinë e mrekullisë, siç shprehet Niçe te “Vizioni dionisian i botës”. Poema është këngë dashurie e një force të rrallë, këngë pendimi po ashtu. Kënga mund të lexohet njëlloj si harpë e Apolonit, si hark i Kasandrës. Apo e kundërta. Kasandra është zëri femëror i Apolonit, është muzika e cila përmes veshit vjen e na çoroditë deri në thellësitë tona. Apoloni vërtet triumfon, por ky është një triumf sipërfaqësor, pasi është i nxitur nga Kasandra. Siç shkruan përkthyesja në parathënien e librit: “Vështirësia kryesore në sjelljen e këtij libri në shqip qëndronte në shqipërimin e disa neologjizmave letrare të Dimitriadisit, në kompozitat e përdorura dhe në fjalët sinonimike me rrënjë a parashtesa të përbashkëta. Një ndër këto fjalë ishte dhe fjala dashuri, e cila në vepër haset në dy forma, αγάπη (agapi), që do të thotë dashuri dhe αγάμη (agami), e cila përbën një neologjizëm letrar të shkrimtarit dhe nënkupton aspektin erotik të dashurisë, jo si aspekt dytësor, por si diçka më e lartë nga dashuria. Për këtë arsye, që  të ruhej forma dypërmasore e fjalës dashuri në shqip, pa ndryshuar fjalën dashuri, forma dashni e gegërishtes erdhi si zgjidhje ‘deus ex machina’. Rrjedhimisht, fjala dashuri ka kuptimin e saj parësor në vepër, ndërsa fjala dashni, ka kuptimin e ngjizjes mishtore”.

Leximi i kësaj poeme sjell dy mësime të imta: sa bukur këndon e shkruan Dimitriadis, sa bukur tingëllon në gjuhën tonë kënga dhe teksti i tij. Por, për të arritur te këto imtësi duhet talent: Dimitri Dimitriadis e zotëron atë e i njihet botërisht, Eleana po konfirmohet si përkthyese çdo ditë e më shumë edhe në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën e fqinjit.

Të tjera nga ky autor: