Press "Enter" to skip to content

Ermir NIKA: Robi i lartësive (fragment)

E rinjoha përmes pasqyrimit të fytyrës mbi enët prej porcelani dhe qeramike, që zinin fletën e xhamtë të vitrinës së një antikuari. Në fillim e pata të vështirë të dalloja ndonjë ndryshim mes asaj çka kish mbajtur të kyçur kujtesa ime dhe kësaj tjetrës, që diç u përpoq të vizatonte mbi shpinën time me gishtërinjtë e pasigurt. Prekjen e saj e ndjeva nëpër jerm, si një trokitje të njohur. Për këtë arsye nuk denjova të formuloja pyetjen e zakonshme; Kush je, ti?! Mbaj mend se ishte një prej atyre ditëve, e cila nuk ndryshonte aspak prej të tjerave. E rëndësishme mbetet gjithmonë ajo përthyerja që bën dallimin midis të dyjave, tё pёrjetshmes ndaj sё pёrkohshmes. Gjithё sa pati ndodhur lidhej me diçka tejet thelbësore pёr fatet tona. Ato çaste qё pёrbёjnё njё histori si e jona, nuk ishin stisur për t’u harruar, sikundёr shumë  syresh që ngrihen e bjerren qorrazi e pa zhurmë, duke tё ngacmuar dyshimet rreth sё shkuarёs. Kush mundet vallё t’i japё pёrgjigjen e duhur pyetjes, nёse nё vitet qё tё janё dhёnё, ke mundur vёrtet tё jetosh apo ke arritur thjesht tё ekzistosh! Pёrsёri përballë, aspak rastёsisht. Si dy të njohur të kahershëm, u rigjetëm të ndrojtur në atë cep disi të fshehtë, vendndodhjen e të cilit nuk mundej ta rrokte dot as imagjinata e shfrenuar e ndonjë endacaku. Folëm gati brenda së njëjtës grimcë dhe u përshëndoshëm fare natyrshëm. Ndodhi pikёrisht ashtu siç takohen pas një ndarje tepër të gjatë, dy muhaxhirë të ndalur rastësisht në atë kthinë që s’ndryshon në asnjë stinë të vitit, tё fshehur në pjesën e vjetër të Pekinit. Ajo më kish ndjekur kudo ku endesha kuturu. Strukur në një kënd gati të padukshëm, shihte në mënyrë të përshkallëzuar me durim e besim, përtërimin tim dhe rikthimin e kujtesës.
-Tan Yu! Çfarë rrëmon pas supit tim të rrëgjuar?
-Askënd tjetër, përveçse djaloshin që lëndova krejt padashur në një rruginë, në të cilën m’u desh të kaloja veç njëherë në jetë. Ngaherë më ngjan se atje çdo gjë ka mbetur e paprekur, aq sa shpesh e më shpesh, më bëhet sikur kam mbetur ende aty, duke pritur që ti të ringriheshe. Kam qëndruar shumë gjatë e pagjumë duke ruajtur zgjimin tënd Çan Pao Y.
Nuk munda më të flisja. E dija se zëri do të më tradhtonte, ndaj pa ia ndarë vështrimin e kapa nga dora që në krye të herës mbante të shtrënguar supin tim dhe nuk e lëshova më. Pse do të duhej ta ngarkonim njëri-tjetrin me emocione që nuk i bartnim dot, pse? Pa lëshuar asnjë pipëtimë e madje pa iu dhënë ndonjë emocioni të beftë, ashtu të zënë përdore dolëm të heshtur nga ajo kthinë e humbur. Tërhoqa pas vetes derën e thurur me degë bambuje dhe pas të parit hap, u gjendëm përjashta. Nën qiej bën gjithmonë më ftohtë së nën strehë dhe kështu me çape të shkujdesur bëmë përpara duke ndjekur rrezet e hedhura nga hëna e plotë. Pamenduar u përfshimë në poteren njerëzore që përhapej përtej vitrinave të ngarkuara me vezullim neoni dhe antika të zografisura me ngjyrime të ngrira bimësh.
Ne ndoqëm gjarpërimin e ngatërruar të rruginave, por pa denjuar aspak të kalonim në anën përbri, aty ku muaj më parë, papandehur ndjeva goditjen që më sikterisi tutje. Më mbërtheu përsëri ai moment i vështirë dhe zura të kundroja pas. Solla ndёrmend se atёherё kur po humbja ndjenjat, arrita të dëgjoja britmat e një gruaje. Turmёn që po mblidhej me panik, hapat e ç’rregullta që afroheshin me nxit drejt meje dhe kuptova që koka ime e rënë përtokë, u ngrit dhe përkundej nga dy duar që nën rrahjet e shpejtuara të zemrës, përcillnin dridhmën e dikujt, që i lutej kalimtarëve dhe Zotit për jetën time.
-Ju lutem, më ndihmoni, ai nuk duhet të vdesë, nuk mundet të ikë kështu kaq papritur… mos qoftë e thënë.
-Nuk ka vdekur vajzë, është gjallë, është në jetë. Goditja nuk ka qenë fatale. Ka tronditje.
Vetëm kaq më ka mbetur në kujtesë. Më pas unë rashë pa ndjenja për disa ditë. Të mendosh se e gjithë kjo ndodhi thjesht nga një goditje e beftë biçiklete, si pasojë e rrëshqitjes së rrotave të saj në gurët e lagur nga një shi që niste e pushonte sipas qejfit, asaj pasditeje të mbushur me zagushi mpirëse.
Në spital nuk më mbajtën gjatë. Prej disa orësh kisha dalë nga shkalla kritike e rrezikut, por ende vazhdoja të isha në gjendje të fjetur. Dëgjoja thuajse çdo gjë që ndodhte përreth meje, por nuk mundesha të reagoja në asnjë lloj mënyre. Thjesht duhej vetëm të prisja. Koma nuk zgjati shumë, pasi goditja në kokë nuk më pati krijuar dëmtime me pasoja. Gjaku i mpiksur në tru, u pastrua falë një ndërhyrjeje kirurgjikale të shpejtë. Pas operacionit po ndiheshin sërish zëra dhe zhurmë përreth. Nëna ime qante shpesh, kurse im atë fliste tek e rrallë. Më së shumti ia ndieja timbrin kur fjalosej me mjekët. Vëllezërit dhe motrat mё qëndronin pranë. Tё afёrmit iknin e vinin me orare të ndryshme. Praninë e tyre e kuptoja nëpërmjet fjalёve tё pakta, pyetjeve e pёrgjigjeve mes tyre qё i pёrcillnin mes ankthit dhe shqetësimit që rëndonte në gjithë dhomën. Vetëm një lëvizje të shpeshtë nuk po e njihja dot. Luhatjen ndёrmjet hyrjes dhe daljes me hapa gati të pakapshëm, sepse ajo binte dhe ngrihej si frymë, aq sa praninë apo largimin e saj e kuptoja vetëm nga përplasjet e derës dhe qetësia që pllakoste pas pak.
Atë javë që qëndrova i shtruar në spital, patën ardhur autoritetet e policisë dhe mbasi kishin marrë në pyetje dëshmitarë tё ndryshëm, ishin njohur me raportin mjeko – ligjor e për arsye të procedurës deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, patën thirrur disa herë në ambientet e postës së policisë së lokalitetit ku ndodhi aksidenti edhe Tan Yu.
Ajo iu ishte nënshtruar seancave të ndryshme të pyetjeve si edhe pati sqaruar gjithçka rreth situatës dhe kushteve që ndikuan në shkaktimin e aksidentit. Për shkak se karamboli nuk pati krijuar asnjë viktimë por vetëm të lënduar, kjo gjë përbënte një rrethanë lehtësuese për të, në mbylljen e çështjes. Por Tani Yu, më së shumti fajësonte veten për sa ndodhi, se sa e rëndonin ekspertët e policisë rrugore me faktet dhe të dhënat e mbledhura gjatë hetimit. Ajo karakterizohej nga një natyrë e qetë, vetëgjykuese dhe e tillë mbeti deri në fund.
Kur hapa sytë ajo ishte aty pranë meje, bashkë me të gjithë të afërmit, mjekët dhe infermierët. Fytyrën e mbajtja mend, sepse ishte fytyra e fundit që ruajta brenda vetes përpara se të bija në koma. Trajta dhe tiparet e saj erdhën dhe u qartësuan ashtu si objektivi i një aparati që përjetëson çdo imazh, çast dhe detaj që i përket kësaj jete.
Në këtë rast mjekët nuk kishin gabuar. As parandjenja e nënës sime se unë do të ripërtërihesha pa pasoja nga ajo që pësova. E mora veten shpejt. Përgjatë fazës së përmirësimit, familjarët e mi lëshuan një deklaratë për policinë, ku ndër të tjera thuhej se prej tyre nuk kërkohej ndëshkim pёr vajzën, në asnjë lloj forme apo mënyre. Duke qenë prindër, ata nuk mund të gjykonin ndryshe për një vajzë, që kish moshën e fëmijës së tyre. Kështu midis Tan Yu-së dhe familjes sime u lidh edhe një miqësi shumë e sinqertë, ndërkohë që unë pas disa kurash e terapish po rehabilitohesha.
“Aksidentet sot janë raste e ndodhi që shkaktohen kudo. Pekini është një qytet i madh që lëviz pa ndalim me çfarëdolloj forme apo mjeti, ndaj çdokush duhet të bëj më shumë kujdes sepse pas çdo udhëkryqi, fle dhe pret një rrezik” – përsëriste me fjalët e saj të shtruara nëna ime, përpara atyre që vinin të më vizitonin në spital.
Babai, përderisa kishte vendosur të heshtte, do të thoshte se miratonte çdo qëndrim të nënës. E çfarë mundet të mendojë tjetër një baba, kur kupton se jetën e djalit të tij e ka falur vetë Zoti! Thjesht, edhe ai do të dëshironte që në këtë aksident të mos kishte asnjë të dënuar, viktimë të shpagimit. “Në jetën e njeriut ka gjithmonë përplasje dhe rrëzime të dhimbshme. Në fund, e rëndësishme është që njeriu të gjejë sërish forca të ngrihet sërish dhe të ndjekë atë drejtim dhe fat që i është paracaktuar”. Këto fjalë mbaj mend nga im atë, për të cilat sot ende nuk jam fort i sigurt nëse i dëgjoja teksa isha në koma, apo kur dola prej saj, pak përpara se të lija dhomën e spitalit dhe t’i rikthehesha përditshmërisë.
Udhëtimi me të, më riktheu stinës së mbrujtur me reshje dhe vranësira, ndarë nga fragmente të përçartura të jetës, të cilën e pata jetuar në pavetëdije. Për rrethanat e njohjes sonë, me Tan Yu nuk folëm asnjëherë. Post trauma që përjetuam të dy, edhe pse në mёnyra krejt tё pangjashme, la pas gjurmë më të forta në shpirtrat tanë, se sa goditja që morëm gjatë asaj përplasjeje, ku unë mbeta i shtrirë nё rrugë dhe ajo derdhte lot të nxehtë mbi kokën time të përgjakur, të shkrehur mbi sheshin e zbrazur.
Kohë më vonë kur plaga në kafkën time ishte vetëm një shenjë, arrija të kuptoja se që prej çastit kur u shemba përtokë pa ndjenja, unë po jetoja një realitet që më përkiste vetëm mua dhe Tan Yu -së. Ajo vazhdonte të më qëndronte pranë edhe kur mora sërish këmbët dhe zura të ngjitesha në kodrën që ngrihej në veriperëndim të periferisë ku banoja. Ja kështu formoheshin dhe shpërbëheshin çastet, minutat, deri në orët e vona, atëherë kur zbrisnim së bashku shkallët që të drejtonin drejt portës së një banese gati të padukshme, në mbrëmjet që filluam t’i ndanim në fshehtësi së bashku. Nëpër këtë ritual nisëm të ndërtonim jetën tonë, jashtë vëmendjes së të njohurve, larg paragjykimeve dhe mendësisë së shoqërisë e familjeve tona. Për ju evropianët përgjithësisht historitë e dashurisë nisin nga seksi. Tek e fundit ajo është mbresa më e fortë që mbetet në brendinë e çdokujt prej jush, pas një romance. Kurse për ne aziatikët, seksi zë fill aty ku përmbyllet një ëndërr. Ai i përket jo vetëm dhe thjesht përjetimit, por edhe ripërtëritjes. Flirtet nuk ishin veprime të pranuara për traditën zakonore kineze. Martesa ishte akti ku përligjej çdo mëkat. Por ne nuk mbërritëm dot deri në altarin që do të shuante çdo paragjykim. Kalimi nëpër tunelin e errët që do të na nxirrte kah përshkëndiste ajo dritë e vakët, nuk po mbaronte dhe ai vezullim luhatej gjithmonë e më në largësi. Të lodhur dhe me shpresa gati të venitura, jashtë çdo perceptimi morëm rrokopujën. Ende pa nisur të jetonim atë që patëm thurur mbrëmjeve tё vona në imagjinatën tonë.
Porsa shkëputeshim prej njëri – tjetrit, të djersur, vërenim se ndër flokët e shpupurisur ende patën mbetur format e gishtërinjve, kur preknin me drithërimë kryet e përkulur mes vedi. Të ikur nëpër marramendje pa kufij, të pafjalë kalëronim gjersa të ciknim anën e përfundme e të rrëzoheshim të plandosur mbi shtratin e zhubrosur, nën ritmet e shprishura të frymëmarrjeve. Ai trazim nuk shkaktohej vetëm nga orgazma. Fatet e ndërkryera nën peshën e dertit, kumbonin disi vjedhurazi nëpër terr, duke u shndërruar ca nga ca në psherëtima.
Asaj stine, ndryshimi nuk erdhi vetëm nga hapësira e ngarkuar, e cila tejmbushej nga shpendët në shtegtim. Trumba të shpërndara zogjsh përfshinë jo vetëm qiejt e Pekinit, por edhe fushat e mbjella me grurë dhe elb, ku flatrat e shpupuritura mbi plantacionet e pakorrura, linin pas hijet gri, si për të shënuar kthimin e mëvonshёm. Rrija dhe vështroja qytetin tek po mbetej bosh, pa shpirtrat rebelë, të vetmit pelegrinë që ngiheshin e binin të lirë deri në vdekje. Kurse ata më të paepurit, qëndrestarët, pas fluturimeve të shkurtra i shihje dendur tek rrinin mbi telat e shtyllave elektrike, ose mbi pullazet e rënduara të shtëpive bri rrugëve. Në të rrallë, shtyja perden e shkrehur nga drita dhe vështroja me përtesë atë pamje që ndihej sikur tkurrej gjithmonë e më shumë, përmbi çatitë e gërryera nga ndryshimet e shpeshta atmosferike, nëpër dyert e dritaret e palyera, që kërcitnin nga menteshat e ndryshkura. S’mundem t’i jap shpjegim pse përsëri shikimi mbetej oxhakëve të nxirë prej blozës dhe hera-herës të përshkuara nga valë të purpurta stuhish por edhe prej bornave që ngurteshin në akuj. Afër mesditës shtresat e borёs zinin tё shkriheshin pikë-pikë nën strehët e mbuluara me myshk dhe ndër sqepat e mprehtë të zogjve dimërorë. Gjatë atij fund viti gjithçka po transformohej çuditshёm. Mbase ky ishte pёrfytyrimi im mbi natyrёn, qytetin tek binte në qetësi shumë shpejt dhe përmendej tepër vonë. Po ashtu pёrshtypja ime mbi shndёrrimin e pandalshёm, pёrshkonte edhe rrugët e bllokuara, pemët e zhveshura, kujtesёn e dëmtuar nga vetmia si edhe trajtёn e krijesës që shihja atё çast përballë pasqyrës. Krejtёsisht lakuriq Tan Yu, përsillte duart rreth kurmit të saj të zhveshur. Nuk  kuptoja, më tej nuk po arrija ta besoja. Asaj kishin nisur t’i shprisheshin linjat e përkryera vajzërore.
-Përse nuk po ndahesh dot me pasqyrën? Apo je kaq e dashuruar me pamjen tënde, ashtu si edhe unë!
Ajo nuk u përgjigj menjëherë, por priti, madje jo pak, duke më parë ngultas në sy. Edhe unë qeshë mësuar ta vështroja gjatë, edhe mbasi ajo më kish kthyer shpinën dhe dalëngadalë largohej përtej kornizës së derës. Heshtjen e theu kësaj radhe po ajo, disi nё largёsi;
-Çan më ngjan se… së shpejti do të bëhesh baba! Kёshtu mu drejtua me zërin që po i mposhtej nga emocioni. U shkunda nga një gjëmim që më sëmboi së brendshmi.
-Po bën shaka me mua? Kërkon të qeshësh në mënyrën më të hatashme, ti! – i fola dhe e përfshiva nga beli duke e puthur pa pushim, pa kuptuar se fytyrat tona ishin qullur nga rrëketë e djersës përzier me lotët që shpërthyen beftë.
-Nuk po bëj shaka, djaloshi im, sot paradite mora përgjigjet e analizave. Dyshoja prej disa javësh, por u provua vetëm sot, pas konsultës mjekësore.
-Kjo do të thotë që prej këtij çasti ne nuk jemi më dy, por tri krijesa, tri shpirtra që përbëjnë një familje.
-Po, i dashuri im, tashmë jemi tri, ti, unë dhe fëmija i strukur brenda trupit tim.
U përqafuam fort aq sa harku i krijuar në barkun e Tan Yu u ngjesh dhe shtypi me rëndesën e një sekreti, mesin tim. Çastet shkartiseshin mes syresh dhe tërësia u përmblodh brenda ne të treve. Aty kuptova, e kohë më vonë krijova bindjen e thellë, se pikëtakimi im me Tan Yu, nuk ishte thjesht aksident, por ky kryqëzim i përjetshëm udhësh e fatesh.
Gjithmonë jam nisur tё hedh dritёn e arsyetimit nё gjithçka qё mё duhet tё ndёrmarr, me anë të meditimit por edhe nëpërmjet veprimit, tanimë i ndërgjegjësuar se kurrgjë nuk të jepet, apo fitohet lehtësisht në jetë. Nuk di, nëse të kam treguar se Tan Yu vinte nga një shtresë e mesme e shoqërisë, ndërsa unë isha veçse një djalosh i varfër që kisha lindur dhe e ujdisja jetën time në periferi të Pekinit. Familja ime i pёrkiste asaj shtrese shoqёrore që gëlonte në thellësitё e skajshme dhe anëve të atij qyteti të madh. Mbase ishte kjo arsyeja dhe shtysa e mospajtimit, pra pёrkatёsia ime e cila binte ndesh me normat dhe pretendimet e familjes sё saj, rreth tё ardhmes sё bijёs sё tyre. Unë qeshë kinse një i padukshëm, i mbyturi që rrjedha do ta shpinte së bashku me mbledhurinat e tjera në detin e hapur, andej nga përhumbte çdo i pamundur. Në mendjen time përsillej si pengu i kukuvajkës, dilema se a do të duhej të pranoja realitetin që po ndeshja përballë, apo do të prisja i pashpresë në bregun përtej? Për të parën herë në jetë, po ngurroja dhe nuk po dija se si t’i përgjigjesha atij mentaliteti të hekurt dhe të padepërtueshëm. Po guxoja, ose më saktë po provoja diç të ndryshoja brenda vetes, por shpejt e kuptoja që e gjitha kjo ishte një barrierë e pakalueshme. Diçka dija me siguri; unë nuk do të njësohesha dot kurrë me atmosferën e nderë që tirrej andej nga ku zhdukeshin shtigjet dhe hapat pёr kalimtarët periferikё. Sistemet  e sotme shoqërore tё ashtuqujtura moderne, sado të sofistikuara e kryeneçe të duken, e kanë thuajse të humbur betejën e kahershme për zhbërjen e traditës. Ja pra, mbase paskësh qenë e shkruar që fatet tona ranë pre e këtyre përplasjeve që sollën kriza të herë pas hershme në marrëdhënien tonë. Prindërit e saj në morinё e pretendimeve që ulnin e ngrinin në diskutimet e zgjatura, nuk e pëlqenin aspak profesionin tim në lëvizje. Ata në argumentet e tyre, përherë më përcaktonin si rob të lartësive, por edhe si njeriu i pastrehë që do të gjendesha pothuaj gjithmonë në udhëkryqet e  misioneve që do të më besoheshin. Në të vërtetë, për një budist shtegtimi është rituali pa të cilin nuk ndërtohet dot asnjë mendim. Epiqendra e gjykimit të drejtë dhe të pakushtëzuar nga asnjë lloj ndikimi që shënon përkohësi, mbetet meditimi. Rreth tij qenia njerëzore zhvillon vetpërmbajtjen dhe përqendrimin e mendjes. Mësuesi ynë pohonte se mençuria arrihet pikësëpari përmes meditimit që është disiplina e mendjes. Sipas budistëve, njeriu lind me dëshira dhe pa liri. Liria fitohet nga eliminimi i dëshirave. Buda të qenurit zot ia dedikon vetë njeriut. Zoti fillon nga vetvetja, nga njohja, veprimtaria dhe pavarësia e saj. Në mbarim koha është instrumenti që zhvesh të gjithë paragjykimet. Unë kurrsesi nuk mund të shndërrohesha në Budë, por në ndjekës të tij. Me vetёdije tё plotё kalova nё periudhёn time tё ndërmjetme e pagëzuar si Trishima, që nënkupton aspiratën për të jetuar, jo thjesht si përjetim, por edhe si dëshirë për të gjalluar, në krejt kuptueshmërinë e saj. Është pikërisht kjo dëshirë që trazon qetësinë e mbarë botës, sepse Trishima sjell sërish e sërish në jetë, gjithë ata që largohen prej saj. Dhe unë besova në të për një periudhë të gjatë, ndërsa tani kuptoj se kam dalë prej saj, mbasi realitetin po e lexoj në një tjetër pamje, thjesht or mik i mirë, edhe vijën e horizontit na duhet ta kundrojmë në forma të ndryshme, në orë e këndvështrime të baraslarguara nga pikënisja.
Në këto rrjedha që morën ngjarjet, për fatin tonë të mbrapshtë, prindërit tanë nuk u takuan kurrë. Ata nuk e krijuan dot kurrë një vendqëndrim të përbashkët mes tyre. Kjo gjë ndikoi që unë me Tan Yu të shiheshim gjithmonë e më rrallë, aq sa unë mezi munda ta njihja falë shpёrfytyrimit të përshkallëzuar që po pësonte muaj pas muaji, deri sa nuk e hasa kurrë më, qoftë edhe rastësisht. Për rrjedhojë humba çdo koordinatë rreth fatit të saj dhe të foshnjës, për të cilën mësova nga një e afërmja e tyre se ishte vajzë dhe këtu u ul perdja e çdo parafytyrimi të mundshëm rreth fatit të saj, vendndodhjes së nënës dhe pranisë sime në jetën e tyre.
Ende nuk kam krijuar bindjen e duhur në veten time rreth dilemës, nëse është botëkuptimi i ngurtë i shoqërisë apo arma e shkrehur në gjaknxehtësi, ajo që vret më shumë një ëndërr apo shuan frymëmarrjen? Vetëm kam mundur të marr me mend se largësitë vrasin po njëlloj si humbjet.
Kredhur në cepin e padukshëm të prapaskenës, mbështjellë me rrason e vjetër, të ngrënë nga hapat e të shpërbërë në zhele, si aktori i fyer nga turmat, munda të mbledh dhe të lidh copëra lajmesh e fragmente jete nga muri që më zinte çdo iluzion. Vetëm me këtë mënyrë rishkruaja aktet e fundit të dramës sime, tragjedisë së Tan Yu-së dhe legjendën e bijës që nuk u rrit kurrë në kujtesën e prindërve të saj, por mbeti thjesht foshnje.
Ajo vdiq pas një lindje të vështirë dhe të paralajmëruar nga mjekët. Por unë nuk e mësova dot, nëse ajo që mbijetoi, ime bijë, të cilën jashtë dëshirës sime e birësuan diku, në njërën nga anët e skajshme të Shangait, a gëzonte shëndet të plotë apo ish pasoja e trishtë e gjithë asaj çka përjetuam. Për rrjedhojë, me qëllim që unë të mos ta njihja dot kurrë, birësuesit e regjistruan me një emër që me gjasë të mos arrij ta gjeja askund edhe pse unë sot e kërkoj me sy tek të gjitha vajzat, anembanë globit ku unë vendos sinjalin dhe përhap valët ndërlidhëse. Për mua është një ritual i gjithëkohshëm ta përfytyroj tek rritet dita ditës dhe gjithmonë e më shumë t’i shëmbëllejë mëmës së saj, së ndjerës Tan Yu. Kam frikë se në qoftë se do t’i shfaqem ndonjë ditë, ku i dihet ç’mundet të ndodhë! Me gjasë, ka rrezik të pësojë traumë kur të mësojë të vërtetën. Kjo gjë herë pas herë më shtrëngon gjoksin. Kuptoj se në këtë kryqëzim udhësh dhe vramendjesh ku kam ngecur qysh atëherë, e kam të vështirë të gjej drejtimin e duhur për nga duhet t’ia mbaj. Nëse do t’ia nis aty ku mbaroi gjithçka, kjo mund të jetë njëherazi edhe zanafilla; po qe se do ta zë zgjidhjen e kësaj enigme nga fillimi, ky do të ishte në të njëjtën kohë edhe fundi. Ende edhe sot kam një pasiguri që më mban të stepur, mbi të cilën s’do të mund të ngrija ndonjë alibi të saktë apo gjykim për të shkuarën. Vetë kujtimet s’qenkan veçse ikje të ndërprera nëpër celuloid dhe falë tyre, njeriu arrin të rindërtojë atë që jetoi edhe më pas. E gjithë kjo përfundon si një shirit filmi i këputur disi në shkujdesje. Këtu mbaron ajo çka mundet të krijosh brenda një jete, kinse brenda një ëndrre!
Përgjatë rrëfimit të Çanit, nuk i pata rënë në të se qeshë mbështetur me shpinë në karrigen prej druri duke dëgjuar ligjërimin e tij të mekur. Më pat kapluar ideja se isha një spektator i vetëm në mesin e një kinemaje, ku prej kohësh nuk hynte dhe dilte askush. U përmenda vetëm kur ai heshti. Ndër veshët e mi ende kumbonin kordat e fjalëve të tij përmbyllëse: Këtu mbaron ajo çka mundet të krijosh brenda një jete, kinse brenda një ëndrre! Kështu e formuloi frazën e mbetur në buzët e ngrira nga një gjendje gjysmë e nënqeshur e gjysmë pezëm. Dritëhijet luhateshin mureve të palyera e të ndriçuara nga llamba e dobët. Ndonёse u mat, sikur me një veprim të padukshëm, të largojë mendimet gjithfarë nga sytë e lodhur, arriti vetёm tё tërhiqej nën batanijen e shprishur, pёr t’u mbyllur si gjithmonё nё guvёn e fshehtё, në veten e tij. Paditur, nga njëri kënd i dhomës në tjetrin, u fanit pamja e pelerinёs sё rënë e luftëtarit që vinte nga një betejë e humbur, teksa kthehet në shtëpinë ku dikur banonte një grua dhe fëmija i saj. Burri u kthye përsëri në pragun kur një herë motit kishte qarë si ai djaloshi i pamësuar me largimet. Kurse sot, tek mbërriti në folenë e tij, si për ters, bashkëshortja dhe fëmija nuk gjendeshin më aty, ku sapo kish dhënë shpirt qeni i plakur i shtëpisë, ndërsa streha e dikurshme ish shembur.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!